Sherr me armë për një femër, plagoset biznesmeni
Një shkëmbim zjarri mes katër personave ka ndodhur pas një konflikti mesnatën e së enjtes në afërsi të Liqenit Artificial, te Kopshti Botanik në Tiranë.
Nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur një 40-vjeçar, ndërsa është vënë në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, si dhe janë shpallur në kërkim vëllai i autorit dhe miku i të dëmtuarit. Dy vëllezërit, pronarë të një supermarketi, shkëmbyen zjarr me pronarin e lokalit përballë biznesit të tyre dhe një mikun e tij, në mbrojtje të nderit të kushërirës së tyre, e cila ishte e punësuar si shitëse në dyqan. Policia e Tiranës tha se është qëlluar me armë zjarri nga të dyja palët e përfshira në konfliktin e nisur për një femër. Fillimisht kanë qëlluar me automatik drejt supermarketit, i plagosuri Eduart Omeri, 40 vjeç, pronari i lokalit dhe miku i tij i shpallur në kërkim, Fatmir Garuja, 39 vjeç. Ndërsa u janë kundërpërgjigjur me pistoletë vëllezërit Aldi e Kristo Horanlli, 28 e 25 vjeç, pronarë të supermarketit. Efektivat e Komisariatit Nr.1 dhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar në flagrancë Aldi Horanllin, me akuzën vrasje me dashje e mbetur në tentativë. Ndërsa në Spitalin Ushtarak është arrestuar i dëmtuari Eduart Omeri, i cili ka tentuar të fshehë ngjarjen, duke mos lejuar lajmërimin e policisë. Nga ana tjetër janë shpallur në kërkim vëllai i autorit, Kristo Horanlli dhe Fatmir Garuja, i cili akuzohet gjithashtu për vrasje në tentativë ndaj vëllezërve Horanlli….
(Lajmin e plote e lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)
ETLEVA DELIA