Greqia zgjedhje të përgjithshme paralel me Serbinë

Presidenti grek Karolos Papulias nënshkroi sot pasdite dekretin për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme më 6 maj të këtij viti, në ditën kur zgjedhjet e përgjithshme, presidenciale e lokale është caktuar të mbahen edhe në Serbi. Papulias e nënshkroi dekretin në përfundim të takimit me kryeministrin Papadhemos.
Ky i fundit, pas daljes nga pallati presidencial, nuk bëri deklarata, por tha se do të japë një mesazh televiziv në mbrëmje, mesazh që do të përqendrohet në nevojën e vazhdimit të reformave edhe pas zgjedhjeve. Më herët, në mbledhjen e qeverisë, ku komunikoi datën e zgjedhjeve, ai iu bëri thirrje ministrave që do të jenë kandidatë për deputetë, që edhe gjatë fushatës të përmbushin detyrat e tyre si anëtarë të qeverisë.
Bankieri 64 vjeçar, Lukas Papadhemos, ish-zëvendës-president i Bankës Qendrore Evropiane, u bë kryeministër në fund të nëntorit 2011 për të ndihmuar Greqinë në kulmin e krizës. Qeveria e koalicionit, drejtuar prej tij, ishte e ngarkuar të negocionte marrëveshjet për reduktimin e borxhit dhe dhënien e një kredie të re Greqisë prej 130 miliardë euro, marrëveshje që u finalizuan me sukses, duke i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Qeveria e tij u mbështet nga të dy partitë e mëdha që e kanë dominuar politikën greke për dekada; partia konservatore "Demokracia e Re" dhe Partia Socialiste PASOK, e cila i pati fituar zgjedhjet e fundit në vitin 2009.