E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr mes Policisë së Kosovës e EULEX-it në Veri

Forcat policore në urën e Ibrit

Tension në Mitrovicë, KFOR tërhiqet nga bllokimi i rrugëve alternative.

Situata në Mitrovicën e ndarë nga ura e lumit Ibër ka provokuar një debat të fortë disaminutësh mes kryetarit të Policisë së Kosovës për Mitrovicën dhe forcave të EULEX-it. Debati i nxehtë dhe i pazakontë, sipas Express ka zgjatur rreth 3-4 minuta mes komandantit të PK për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi dhe komandantit të njësisë speciale të EULEX-it. Pse keni ardhur këtu, kush ju ka ftuar, a po e shihni se jeni duke e tensionuar situatën me gjithë këtë zhurmë e alarmime dhe për shkakun tuaj është mbledhur këtu e gjithë kjo masë e njerëzve kureshtarë, i ka bërtitur Nehat Thaçi komandantit të njësisë speciale të EULEX-it. Ky i fundit tentonte të mënjanonte mediat për të mos dëgjuar diskutimin e tyre. Sipas komandantit të EULEX-it, ata kishin marrë informacion se shqiptarët do të mbanin një protestë të madhe në Mitrovicë për ngjarjet e fundit në Veri, ndërsa kreu i policisë në Mitrovicë këmbëngulte se informacioni i tyre ishte i gabuar. Në fakt, mbi lumin Ibër ishin mbledhur vetëm 100 shqiptarë të Mitrovicës së Jugut, të cilët protestonin për ngjarjet e fundit në Veri. Thaçi ka kërkuar nga EULEX që ti largojnë makineritë e shumta nga ura dhe kujtoi se për çdo veprim duhet të konsultohen me Policinë e Kosovës. Pak para orës 15:00, një numër i madh i forcave të EULEX-it me sirena të aktivizuara duke parakaluar nëpër pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës, ka arritur tek ura kryesore mbi lumin Ibër, ku edhe ishin stacionuar. Po ashtu edhe afër urës perëndimore tek Tre rrokaqiejt. Në disa raste ka pasur edhe debate të nxehta mes qytetarëve të tubuar dhe pjesëtarëve të policisë. Kryetari i KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, tha se EULEX-i ka ardhur për të bërë spektakël dhe xhiruar film. Ai akuzoi misionin EULEX se në ditën kritike kur ka ndodhur sulmi terrorist në banesën e Selver Haradinjat dhe të hënën kur grupet kriminale serbe thyen kontejnerin e policisë, EULEX-i është ftuar për ndihmë, por nuk ka ardhur. Ndërkohë, KFOR ka pezulluar bllokimin e rrugëve alternative përkohësisht, për shkak të tensionimit të situatës në Veri.

Vijnë nacionalistët
Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (PPS), Tomisllav Nikolliç dhe zëvendësi i tij, Aleksandar Vuçiç, sot pritet të qëndrojnë në veri të Mitrovicës. Ata do të marrin pjesë në një tubim parazgjedhor, që do të mbahet në Mitrovicë të mërkurën në orën 13:00. Serbia ka shpallur zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale më 6 maj. Tomisllav Nikoliç është kandidat për president.

Thirrja e Kurtit
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, që të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë për shkak të ngjarjeve në Veri. Një letër i është dërguar edhe Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, nga i cili kreu i Vetëvendosjes kërkon ndihmë për inicim të diskutimit të ngjarjeve të Mitrovicës në NATO dhe OKB.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›