E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkelet plani i paqes, tanket e Asad bombardojnë Homsin, 1000 të vrarë

Tanket në Homs

Ushtarët sirianë kanë vazhduar dje bombardimet në Homs, edhe pas kalimit të afatit të planit të armëpushimit për tërheqjen e tyre nga ky qytet. Tanke të shumta kanë kaluar nëpër rrugët e Homsit duke hedhur predha dhe duke shkatërruar ndërtesa. Nga aktivistët e opozitës deklarohet se vetëm gjatë javës së fundit kanë humbur jetën mbi 1000 njerëz. Në një video të hedhur dje në YouTube, komentatori bërtet në gjuhën arabe: Ky është Homsi dhe këtu duhej të ishte armëpushim dhe komenti bëhej ndërsa në plan ishte një tank që bombardonte një ndërtesë. Luftimet janë intensifikuar gjatë 30 ditëve që kanë nisur diskutimet për planin e paqes dhe vetëm dje humbën jetën të paktën 160 persona. Një zëdhënëse e Këshillit Nacional Sirian tha se trupat besnike të Presidentit Bashar al Asad kanë përdorur armë të rënda, përfshirë kundërajrorë ndaj civilëve dhe situata humanitare në terren po përkeqësohet në mënyrë dramatike. Kryeministri turk, Rexhep  Tayip Erdogan, ka akuzuar Asadin se ka përgjegjësi personale në vrasjen e civilëve dhe ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa të paspecifikuar pas të shtënave nga trupat siriane në kampin e refugjatëve brenda territorit të Turqisë.

Afatet
10 prilli ishte afati i tërheqjes së trupave sirianë nga qendrat e populluara nën planin e armëpushimit të ofruar nga OKB dhe Liga Arabe. Afati u thye. Ndërmjetësi Kofi Anan vizitoi dje Turqinë për të parë kampet e refugjatëve sirianë dhe sot pritet që ai të mbërrijë në Teheran për të diskutuar krizën siriane. Nesër, në orën 06:00 është afati i fundit për armëpushimin total, sipas planit të Anan që është pranuar, por jo zbatuar nga Bashar al Asad.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›