Gara e republikanëve, tërhiqet Rik Santorum, kandidimi i Romnejt përballë Obamës, i sigurt

Rik Santorum
Rik Santorum, garuesi i dytë më i fortë i republikanëve për nominimin e kandidatit presidencial të kësaj partie, u tërhoq dje nga gara, duke i hapur rrugën Mit Romnejt për të garuar kundër Obamës. Deklarata e tij u bë një konferencë për mediat të martën pasdite. Santorum, ish-senatori i Pensilvanisë, u tërhoq pikërisht përpara se ky shtet të votonte kandidatin, gjë që do të ishte një sfidë e vështirë për Romnejn. Njoftimi erdhi një ditë pasi vajza e Santorum, 3 vjeçe, Isabella Maria, doli nga spitali pasi vuan nga një sëmundje e rrallë dhe kromozomike pneumatike që i kërcënon jetën. Santorum ishte sfida e fortë e vetme e Romnejt dhe dy kandidatët e tjerë të mbetur në garë, Neut Gingriç dhe Ron Paul, nuk duket se do të kenë potencial ta ndalojnë atë për të marrë mbështetjen e 1.144 delegatëve për të fituar nominimin. Me gjithë vështirësitë që po haste fushata e tij, Santorum kishte premtuar të qëndronte në garë të paktën deri më 24 prill, kur të votonte edhe shteti i tij, Pensilvania, por sondazhet treguan se mbështetja e tij nuk ishte e fortë sa duhej dhe Romnej kishte premtuar se do të investonte shumë dhe do ta tejkalonte atë ndjeshëm në reklamat televizive. Ky ishte fundi i papritur i një fushatë të konsideruar të suksesshme nga mediat amerikane.