E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greta Angjeli: Si u dashurova me Anastasin, pedagogun tim

Ajo është një zonjë e vërtetë. E komunikueshme, e fisme, shumë e matur dhe me një finesë të veçantë. Teksa flet e bisedon me të, ngjall kuriozitet, ndërkohë që rrëfimi bëhet tepër interesant. Këtë herë në faqet tona të verës, vjen bashkëshortja e ish-ministrit të Financave, Rektorit të një universiteti privat në Shqipëri zotit, Anastas Angjeli. Zonja Greta na tregon me shumë çiltërsi njohjen me atë që më pas u kthye në njeriun e jetës, ecurinë në lidhje si dhe krijimin më pas të familjes. U njohën bashkë në auditor, aty ku zoti Angjeli sapo ishte emëruar pedagog, ndërkohë Greta ishte studente në vitin e dytë. Vitet do të kalonin dhe pas martesës së tyre lindën dy fëmijë, për të cilët çifti Angjeli ndihet shumë krenar. Në këtë intervistë do të njiheni me bashkëshorten e zotit Anastas Angjeli, e cila rrëfen Anastasin si bashkëshort, baba, politikan, individ por edhe gjysh, pasi pak kohe më parë ka ardhur në jetë nipi i parë, Benjamini.

Zonja Angjeli, si jeni njohur me zotin Anastas?
Jemi njohur në auditorët e fakultetit Ekonomik të UT-së. Unë studente dhe ai pedagog i sapoemëruar. Nuk ka një datë ose orë të caktuar. Çdo ditë e pak nga pak, interesi u kthye në miqësi, e më vonë me thellimin e njohjes kjo miqësi u shndërrua pa kuptuar në dashuri, e cila më vonë sipas traditës u kurorëzua me fejesën, e cila pas një periudhe pothuaj trevjeçare u pasua me martesën. Pra fakulteti Ekonomik
i Universitetit të Tiranës është vendi që ne të dy e kemi respektuar me shumë punë dhe seriozitet dhe ai na e shpërbleu me profesionin dhe shansin për krijimin e familjes sonë.

Çfarë ju tërhoqi më shumë tek bashkëshorti juaj, në paraqitje, në karakter?
Fillimisht, natyra e tij shumë e hapur dhe miqësore, i qeshur dhe shumë komunikues me ne studentëtedhe për shkak të moshës së tij të re. Debatonte pa prapamendim dhe e bënte mësimin shumë interesant. Ne ndjeheshim të lirshëm dhe i shfaqnim mendimet tona më lehtësisht. Kjo ishte premisa e parë që më bëri të komunikoja me kënaqësi për temat mësimore dhe pastaj më vonë edhe për tema të tjera. Ndërkohë kisha vënë re që ai me gjithë ngushtësinë ekonomike të kohës, ishte më shumë se i kujdesshëm në veshje, fakt që ia rriste vlerat duke menduar që jetonte edhe vetëm në Tiranë, sepse familjen e tij e kishte në Sarandë.

Si e priti familja juaj këtë njohje?
Megjithëse prindërit e mi ishin të dy intelektualë dhe shumë mendje hapur, për mua, fëmijën e tyre të parë, nuk ishin ende të përgatitur për këtë hap, i cili e "prishi" disi jetën e qetë familjare që bënim deri në atë moment. Mbase më mendonin ende jo në moshën e duhur, për të marrë këtë vendim të madh. Kur ua thashë reagimi i tyre nuk ishte negativ, por më parashtruan faktin që isha ende e re dhe më duhej kohë të njihja njeriun, me të cilin do të ndaja jetën time më vonë. Shumë hapur më parashtruan vështirësitë që ata mendonin se do të hasnim në kushtet kur Anastasi nuk kishte familje në Tiranë dhe çdo gjë do të na duhej ta krijonim nga e para, ndërkohë që unë doja edhe gati dy vjet të mbaroja shkollën. Por të dy bashkë i bindëm dhe ata u ndjenë shumë shpejt të qetë në vendimin tonë dhe na mbështetën plotësisht dhe në vazhdimësi në rrugën që nisëm. I falenderoj pafundësisht për dedikimin e tyre ndaj nesh dhe sidomos ndaj fëmijëve tanë.

Çfarë natyre është zoti Angjeli? Çfarë do të dallonit më tepër tek ai?
Shumë social, komunikues, ka shpirt dhe zemër shumë të madhe dhe të dhembshur dhe ka shumë përkushtim dhe dashuri për familjen, si dhe të gjithë të afërmit, shokët dhe e miqtë. Kjo e bën që të ngarkohet shpeshherë edhe psikologjikisht dhe në këto raste nxjerr krye natyra impulsive, gjë që nganjëherë e bën edhe t'i prishi punë edhe vetes, por ky është ai, nuk bën dot ndryshe dhe unë mundohem ta mbështes me sa mundem.

A është zoti Angjeli një baba i përkushtuar?
Ai është mbase më shumë seç duhet i përkushtuar.Me gjithë ngarkesën e madhe me punë që ka zakonisht, por sidomos atë gjatë viteve 1996-2005, koha kur dhe fëmijët u rritën, ai kurrë nuk ka harruar, asnjë "orar dhe detaj" sado të parëndësishëm të aktiviteteve të fëmijëve ose timin. Koha e lirë për t'u marrë me ta nuk ka qenë në favorin e tij, por ai është munduar ta shfrytëzojë intensivisht kohën që ka pasur.

Kush merret më tepër me menaxhimin e shtëpisë?
Aktualisht, Anastasi nuk merret, përveçse kur duhet të kryejmë ndonjë mirëmbajtje, punë për të cilën ai merr përsipër gjetjen e personave të duhur. Menaxhimi i përditshëm është tashmë pjesë e normalitetit dhe bëhet nga ne pjesëtarët e tjerë sipas një rutine tashmë të mirëpërcaktuar. Por ka pasur raste, e sidomos në 10-vjeçarin e parë që Anastasi ka qenë shumë më tepër aktiv në menaxhimin e punëve në shtëpi. Pra, është një lavjerrës që është lëkundur sipas ngarkesës në familje dhe ngarkesës së gjithsecilit në momente të caktuara.

Na i përshkruani pak momentet kur kanëardhur dy fëmijët tuaj në jetë...?
Ka qenë 3 mars 1987 kur lindi Jona, dhe 6 mars 1991 kur lindi Erosi. Momente tepër të veçanta që s'mund t'i ndaj nga njëra- tjetra, sepse secili ka sjellë gëzim, ka rritur harmoninë dhe na kanë nxitur për të gëzuar jetën në familje dhe për ta përmirësuar atë më tej dhe tashmë jo për veten tonë por edhe për ata. Angazhimi dhe dashuria që i kemi dhënë dhe që ata kanë marrë jo vetëm nga ne, por dhe nga familjarët tanë, i ka bërë të rriten të lumtur, të qetë e të gëzuar duke na respektuar ne dhe përpjekjet tona me arritjet e tyre në shkollat që kanë përzgjedhur vetë. Vajza tashmë është e martuar dhe prej shtatorit 2010, ndërsa Beni që na e ka zbukuruar dhe mbushur jetën edhe më shumë me gëzim. Tashmë tek ai është dashuria dhe vëmendja më e madhe. Ka mbaruar universitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shkenca Politike dhe Makroekonomi, punon pranë fondacionit "Health Resource in Action" në Boston, Amerikë si dhe ndjek studimet pasuniversitare MBA, ndërsa, djali vazhdon studimet për Ekonomi-Biznes.

Na tregoni ndonjë aventurë që keni kaluar gjatë jetës suaj me bashkëshortin tuaj?
Aventurë të jashtëzakonshme, te dy bashkë, s'më kujtohet ndonjë, por e kemi përdorur kohën e lirë në mënyrën më efektive të mundshme duke qenë se e kemi pasur të pakët në krahasim me atë që do të donim të kishim. Cilat janë disa nga momentet më të vështira
me të cilat jeni përballur në jetë? Si për çdo njeri, nga ana familjare humbjet e baballarëve, kanë qenë ndër momentet më të rënda që kemi kaluar, ndërsa për sa i përket momenteve vetjake, janë ato të vitit 1991, kur populli në shesh kërkonte të sulmonte Bankën e Shqipërisë për të marrë e shpërndarë thesarin e shtetit, dhe Anastasi ishte ministër i Financave. Unë sapo kisha lindur Erosin dhe isha tepër e ndjeshme dhe ai doli para turmës qindra mijë personave dhe tha: Caktoni një komision trevetësh dhe të vijë të shohë e të marrë thesarin e Shtetit. Çelësat ja ku janë. Në fakt ishte lëvizje taktike, sepse në bankë realisht s'kishte thesar, por nëse turma do futej brenda, shkatërrimi nuk dihej ku do arrinte dhe guximi i tij qoftë dhe personal ishte i paimagjinueshëm. Pastaj nuk do doja më të kujtoja dhe pothuaj i kam fshirë nga kujtesa vitet 1996, 1997, 1998, shumë të vështira për të personalisht dhe akoma më të vështira për mua që duhej te isha si pranë tij dhe të mbaja larg nga ngjarjet fëmijët. Tashmë janë te kaluara dhe uroj që asnjërit dhe kurrë të mos ndodhin më.

Po më të lumturat?
Nëse vështirësitë i numërova, lumturia nuk llogaritet. Ajo përbëhet nga grimca të vogla që e plotësojnë atë çdo ditë. Martesa, lindjet e fëmijëve, martesa e vajzës,lindja e nipit, mbarimi i studimeve universitare dhe vazhdimi i atyre pasuniversitare dhe dashuria pa masë që na dhuron vajza, qetësia dhe mbështetja e djalit. Të qenurit të rrethuar me familjarëdhe miq shumë të mirë që i duam dhe na duan. Lumturia shumëfishohet sepse japim e marrim lumturi nga njëri-tjetri.

Cili është vendi juaj i preferuar për të bërë pushime?
Pushimet tona zakonisht janë të shkurtra, por disa herë në vit. Jemi të lidhur shumë me Sarandën, pëlqejmë Pogradecin si dhe na pëlqen të lëvizim në vende të reja për të njohur vende dhe njerëz të rinj. Viteve të fundit një nga destinacionet kryesore të pushimeve është edhe Amerika, për shkak edhe të fëmijëve dhe hapësirave e mundësive që të ofron ky vend i mrekullueshëm.

Keni bërë plane për pushime këtë vit?
Planet tashmë janë të lidhura dhe të ndërthurura me planet e fëmijëve. Një pjesë të pushimeve do e kalojmë duke vizituar Benin, Jonën dhe Pjerinin që jetojnë në Boston, dhe më pas me siguri disa ditë në Sarandë, një qytet që na jep komfortin e një pushimi dhe të kënaqësisë së takimeve me familjarët e Anastasit (nënën e tij) që banojnë aty ose vijnë me pushime nga vendet ku ata jetojnë jashtë Shqipërisë.
Kush kujdeset për arredimin e shtëpisë?
Anastasi është ai që shpreh zakonisht dëshirën për ndonjë ndryshim. Unë gjithmonë bëj rezistencë fillimisht. Më pas e diskutojmë dhe
e vendosim të dy.
Cili është hobi i tij?
Hobet - them se ka disa në fusha të ndryshme. Kryesori është studimi dhe shkrimi i artikujve dhe librave në fushën e ekonomisë dhe
politikës; Në sport hobi i tij është noti dhe kuptohet vjen nga Saranda dhe ka qenë kampion për moshat e reja në këtë sport. Pëlqen shumë shëtitjet e qeta në natyrë dhe ka hobi të udhëtojë me makinë sidomosnë pranverë...
Cila është dhurata më e bukur që ju ka bërë zoti Angjeli?
Është pyetje e vështirë sepse ai më bën dhurata vazhdimisht dhe shumë me gusto. Nuk harron asnjë datë që lidhet me ne të dy dhe me festa të zakonshme. Ne rastin më të keq më sjell lule.
Po ju çfarë dhuratash keni bere?
Unë jam më praktike si natyrë dhe si e tillë kur mendoj për dhuratë, mendoj për diçka që të nevojitet. Por edhe unë bëj dhurata dhe një të veçantë që më kujtohet është një unazë, me rastin e 15-vjetorit të martesës.
Diskutoni në shtëpi për politikë?
Me raste, por shumë pak. Edhe kur ndodh shkak bëhet televizioni dhe reagimet vijojnë natyrshëm mbi bazën e deklarimit ose bisedës që dëgjojmë në atë moment.
Me kë nga gratë e politikanëve keni marrëdhënie më të mira?
Shoqërinë që kam nuk e ndaj në gra politikanësh ose jo, në gra të djathta ose të majta, ato që kam shoqe i kam se i ndjej të tilla. Pra nëse kam shoqëri apo marrëdhënie të mira me politikane, ose gra politikanësh, kjo ka ndodhur sepse jemi ndjerë mirë me njëra- tjetrën dhe jo pse janë të tilla. Meqë më pyesni për gra politikanësh ose vetë politikane, njoh mirë Valentina Leskajn, Arta Daden, Mimi Kodhelin, Lindita Ramën, Zana Guxhollin, Lajla Pernaskën si dhe Eva Blushin, Aida Shehun, Albina Ahmetajn, Irena Islamin, Mimoza Pashkon,Rajmonda Malajn, Diana Solisin, Adriana Berberin, Monika Kryemadhin si dhe padyshim dhe zonja të tjera të respektuara që të më falin që s'po ja përmend emrat.
Sot kur shihni jetën tuaj, e kishit menduar këtë ecuri?
Nuk mund të them se e kisha paraparë këtë ecuri sepse nuk mund të mendoja për një periudhë kaq afatgjatë. Patjetër që kam dëshiruar të ecnim bashkërisht dhe mirë gjë që e kemi arritur. Por mund të them se është çfarë kam ëndërruar, një jetë e mirë familjare me fëmijë dhe me prindër e motrën e familjen e saj të mrekullueshme, gjë që ja kemi arritur. Pra si njeri racional, nëse bëj llogaritë besoj se ja kemi dalë mirë jetës deri tani, me shumë punë, përpjekje dhe durim, përkushtim, mirëkuptim, falje dhe si natyrë optimiste që jam mendoj dhe e shoh gotën gjithmonë plot.
Çfarë ju shqetëson më tepër tek puna e bashkëshortit tuaj?
Përkushtimi i madh. Dedikimi, ndershmëria dhe besimi në marrëdhënie me njerëzit që shpesh e kanë zhgënjyer, por ai s'ndryshon dot. Këto e dëmtojnë nga pikëpamja shëndetësore sepse i krijojnë stres dhe ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e tij, prandaj dhe me shqetësojnë.
Kujdeseni për veshjen e tij dhe nësepo, ku e vendosni më shumë theksin?
Në përgjithësi ai kujdeset vetë për veshjen e tij se e ka pasur hobi qysh kur e kam njohur. Unë i jap ndonjë mendim, më së
shumti kur ma kërkon, për kombinimin kravate, këmishë, xhaketë.
Kur zoti Angjeli është i ftuar në TV dhe merr pjesë në diskutime apo debate, e ndiqni gjithmonë atë?
Kam dëshirë dhe e ndjek kur i kam mundësitë. Atij i pëlqen që jo vetëm ta ndjek, por t'i jap edhe mendim për sa arriti ta përçonte idenë që donte të thoshte në bisedën ose debatin televiziv..
I bëni vërejtje?
Në përgjithësi jo, por ka dhe raste që bëj, e kryesisht këto lidhen me formën dhe mënyrën e të folurës se sa me përmbajtjen, se për sa i përket kësaj të fundit është tepër i kujdesshëm dhe se lë veten të bëjë gabime.
Jeni një amvisë e mirë?
Mendoj që jam. I marr punët me sportivitet e jo me bezdi. Ja kam dalë edhe kur kemi jetuar vetëm dhe kemi pasur shumë hyrje-dalje edhe kur kam jetuar me prindërit, që sigurisht kam qenë shumë më e lirë.
Çfarë gatuani më shpesh dhe cila është pjata e preferuar që gatuani për bashkëshortin tuaj?
Preferoj gatimet me zarzavate, të cilat i pëlqejnë edhe bashkëshortit. Nganjëherë më duhet të bëj kompromise qe t'i bëj qejfin edhe djalit duke gatuar makarona ose diçka që i pëlqen më shumë atij.
Ju bën apo i bëni shpesh komplimenta?
Anastasi më bën shpesh mua komplimenta. Unë nga natyra jam e rezervuar dhe bëj më rrallë komplimenta. Tashmë janë mësuar edhe Anastasi edhe fëmijët, edhe të afërmit dhe më kanë pranuar kështu siç jam. Fëmijëve, nipit të vogël Benit, nipit e mbesës(fëmijëve të motrës) i bëj shumë komplimenta sepse fëmijët në përgjithësi, me të cilët kam një durim të madh me japin shumë gëzim.
Si e mendoni veten edhe pas një dekade tjetër vitesh?
Uroj të jemi mirë me shëndet. Në këto kushte e mendoj veten ende me punë aktive, me njerëzit që i duam përreth, pse jo, edhe më të shtuar me nipër a mbesa, të lidhur e shumë afër shpirtërisht me njëri-tjetrin siç jemi edhe aktualisht.
(m.a/Summer Pages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›