E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greta Garbo, portreti i një legjende

Autori i Lajmit: red.
... Po të ish gjallë, legjendarja Greta Garbo, më 18 shtator do të kish mbushur 100 vjeç. Njëzet e pesë vjet pas vdekjes, humbja e kësaj aktoreje mitike të kinemasë mbetet e veshur plot mister edhe pse, një cikël fotosh e letrash të pabotuara gjer tani, përpiqen të hedhin dritë mbi të e të zbulojnë para nesh gruan pas së cilës fshihej "La Divine" (Hyjnesha). Libri në frëngjisht "Garbo-Portraits d une légende" (Garbo-portrete të një legjende) botuar nga shtëpia e njohur "Flammarion", ka mbledhur jo vetëm shumë foto të Greta Garbo-s por, po ashtu edhe letra e dokumente të pabotuara gjer më sot, marrë nga koleksioni privat i aktores. Në ketë libër zenë vend edhe kujtimet intime të Scott Reisfield, nip i Garbo-s si edhe një esse shkruar nga Robert Dance, ekspert në studimet e kinemasë pa zë, të cilat i bëjnë jehonë pikërisht, personalitetit e jetës private të këtij stari të shquar botëror. Lindur më 18 shtator 1905 në Stokholm, Greta Garbo, si një yll i rrallë verbues, ndriçoi plot dritë qiellin e kinemasë botërore por, në moshën 36 vjeç ajo i dha fund, në mënyrë të papritur, karrierës së saj artistike. Arsyeja ndaj atij vendimi, ishte dështimi jo fort i besueshëm nga kritika, të rolit të saj në filmin "Gruaja me dy fytyra" ( La femme aux deux visages ), më 1941. Dhe ishte pikërisht në atë periudhë që ajo kish arritur edhe majat më të larta të lavdisë, me interpretimet e shkëlqyera në kryevepra të tilla filmike si "Mbretëresha Kristinë" (La reine Christine-1932) dhe "Le roman de Marguerite Gautier" (Romani i Margeritë Gotié - 1936) ndërkohë që, pas braktisjes së karrierës, ajo shprehu pa rreshtur një obsesion të vetëm, i cili e shtynte të shqiptonte parreshtur fjalët: "Ju lutem, dëshiroj të më lini vetëm e të qetë !". Tërhequr në vetmi të plotë, fshehur nga gjithë të afermit e miqtë, mbyllur në një banesë të panjohur pothuajse prej askujt ajo kaloi një jetë krejtësisht të izoluar, duke u shpëtuar kështu edhe "paparaceve" më të njohur. Vetëm pak fotografë të shquar botërisht munden ti bëjnë disa foto, duke e bere kështu të pavdekshëm portretin e saj hyjnor. "Një fytyrë, një portret i tillë, ndodh të vije në kinema një herë në njëqind vjet" - fliste për të, kineasti dhe aventurieri i njohur suedez, Mauritz Stiller. Përtej fotove te pabotuara të cilat e bëjnë të pavdekshme ketë madhështi të artit të shtatë, libri i botuar nga "Flamarion", na jep kenaqesinë e rrallë të zbulojmë një Greta Garbo intime. Ndër të tjera, imazhe të cilat paraqesin vështrimin e ndrojtur të një vajze të njomë e cila, fillimisht, s qe veçse shitëse e rëndomtë në një magazine të madhe në Stockholm. E, pastaj, debutimi në kinema, rolet e saj të para në filmat pa zë e ata që vijuan më pas, me pistën aq të shumëpritur sonore e, natyrisht, triumfi i saj madhështor. Kujtojme se G.Garbo ishte aktorja e parë në botë e cila u diktoi kushtet e saj, studiove më të shquara të kinemasë, duke kërcënuar në çdo rast mosrespektimi, ndërprerjen e kontrates dhe kthimin e saj në Suedi (ku ajo nuk xhiroi veç një film, fill pas nisjes lavdiplotë në Hollyëood). Në se në këtë libër, zbulohet vetëm "veli i fshehtë" i rinisë së saj, kjo ndodh nga që shtëpia botuese "Flammarion" ka respektuar një tabu të vendosur qysh në të gjalle të artistes së shquar botërore. Pikërisht mosparaqitjen e asnjë portreti të saj, përgjatë viteve të pleqërisë, duke dëshiruar kështu që të mos lerë kurrë, as më të voglin "kërcenim", i cili mund të thyente sado pak mitin e imazhit të saj madhështor. "Hyjnesha" Greta Garbo, vdiq më 15 prill 1990 në Neë York në moshën 84 vjeç, duke ja dalë mbanë që ne ta ruajmë e ta respektojmë dhe pas vdekjes vullnetin e saj. Hiri i trupit të saj është vendosur në varrezën Skogskyrkogarden në Stockholm.
Ky lajm është publikuar: 01/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›