Greva dhe punimet në shesh bllokojnë rrugët e kryeqytetit
Qendra e kryeqytetit edhe pse zakonisht në fundjavë është e boshatisur, dje është zgjuar në kaos. Punimet në sheshin Skënderbej dhe së fundmi bllokimi i bulevardit "Dëshmorët e Kombit" nga greva e urisë së deputetëve socialistë ka bllokuar qarkullimin normal të mjeteve. Taksistët janë të parët që ankohen për këtë situata kaotike që ka nisur që pasditen e 30 prillit. Madje bllokimi i rrugëve thonë shoferët dhe ndryshimi i sistemit të qarkullimit, ka sjellë dhe ankesa nga klientët, të cilët tashmë duhet të paguajnë tarifa më të larta si pasojë e trafikut të mbingarkuar. Qarkullimi në Tiranë i automjeteve ka rreth dy javë që ka ndryshuar si pasojë e punimeve në shesh, akse të shumta kanë ndryshuar kahun e lëvizjes së tyre, ndërkohë që shoferët e automjeteve, çdo ditë duhet të përballen me trafikun si pasojë e këtyre ndryshimeve.