E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Ahmeti: Të zbatohet plotësisht Marrëveshja e Ohrit

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pjesë e koalicionit qeveritar maqedonas. Takimi në Tiranë mes dy politikanëve shqiptarë ndodh pak ditë pasi misionet kryesore diplomatike në Maqedoni vlerësuan nëpërmjet një letre se situata atje ka marrë tone shqetësuese për shkak të deklaratave të disa liderëve politikë për ndarje, konflikt dhe braktisje të Marrëveshjes së Ohrit. Pas këtij takimi, kreu i qeverisë shqiptare pohoi se diskutoi me kryetarin e BDI-së mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Maqedoni. Sipas tij, qëndrimi i Shqipërisë, qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare është dhe mbetet i pandryshuar, paqja, stabiliteti i Maqedonisë, integriteti i saj janë jetikë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Por po me kaq rëndësi për Berishën ka qenë dhe diskutimi për Marrëveshjen e Ohrit. Sikundër konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm zbatimin e plotë dhe konsolidimin e marrëveshjes së Ohrit dhe kur them këtë, dua të shpreh vlerësimin tim të palëkundur me të gjithë progresin thelbësor që është arritur në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Unë kam bindje se zbatimi i saj do të ecë i pandërprerë, sikundër ka ecur gjer sot, në interesin më të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në interesin më të mirë të mbarë shoqërisë maqedonase e të Maqedonisë në tërësi, - tha Berisha. Ahmeti nga ana e tij vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve. Ne kemi konsideruar dhe konsiderojmë se Shqipëria është një lobiste e vërtetë, që Maqedonia sa më parë të jetë anëtare e NATO-s, sepse duke qenë në NATO kemi më shumë siguri, më shumë stabilitet, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin si tërësi, - përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›