Lufta kundër korrupsionit, ILDKP takim me përfaqësuesit e rajonit
Vendet e rajonit do të krijojnë një strategji të përbashkët për të luftuar korrupsionin. Këtë qëllim ka dhe takimi që organizohet sot nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në bashkëpunim me Sekretariatin e Iniciativës Rajonale Anti-Korrupsion për vendet e Evropës Juglindore. Në këtë takim ku do të marrin pjesë përfaqësuesit nga 12 vende të Ballkanit dhe më gjerë do të jenë të pranishëm dhe Presidenti Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Aktiviteti Bashkëpunimi ndërkombëtar për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimin e pasurive-një instrument në luftën kundër korrupsionit synon pikërisht një bashkëpunim më të ngushtë për një luftë më efektive ndaj korrupsionit. Në përfundim të diskutimeve, palët do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët, e cila formalizon krijimin e Rrjetit Ndërkombëtar Antikorrupsion, si dhe do të miratohet statuti mbi të cilin do të funksionojë rrjeti ndërkombëtar.