Greva e urisë, dy minatorë në gjendje të rëndë
Gjendja e minatorëve në Bulqizë është rënduar. Mjekët kanë kërkuar që dy prej tyre të lënë grevën. Sindikatat bëjnë sherr në qytet, ndërsa zgjidhja mbetet pezull
BULQIZË- Dy prej 10 minatorëve që ndodhen në ditën e 7-të të grevës së urisë në Bulqizë u diagnostikuan me probleme shëndetësore dje, pasi katër mjekë të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë u kanë kryer vizitë grevistëve. Ndërkohë edhe gjendja e të tjerëve nuk është më e mirë. Marrëveshja mes tyre dhe kompanisë ende nuk është arritur, ndërsa mësohet se ajo është bllokuar në kërkesën për shkarkimin e drejtorit të minierës. Nga ana tjetër, po dje është shënuar një përplasje mes disa minatorëve dhe Gëzim Kalasë, president i Sindikatave të Pavarura.
Pas thirrjeve publike të minatorëve drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për dërgimin e mjekëve pranë grevistëve, paraditen e djeshme katër mjekë të profesioneve të ndryshme kanë kryer vizitë të imtësishme për 10 minatorët e grevës së urisë. Në përfundim të vizitës grupi i mjekëve ka konstatuar se katër nga dhjetë grevistët kanë probleme serioze për shëndetin.
Madje, është kërkuar që dy prej tyre, që kishin ftohje, dhimbje koke, të vjella, marrje mendsh dhe çrregullime të tjera, ta linin grevën dhe të shtroheshin në spital. Sipas presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, u është kërkuar dy minatorëve ta linin grevën dhe të shtroheshin në spital, por ata nuk pranojnë. “Gjendja e grevistëve sa vjen e rëndohet. Ne kemi kërkuar që mjekët të qëndrojnë pranë grevistëve vazhdimisht dhe jo të vijnë një herë në javë. Ata kanë nevojë për trajtim mjekësor në çdo moment. As ilaçet nuk bëjnë efekt, kur pacienti nuk ushqehet” - tha Nikollaj. Ai deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes ka mbetur peng i largimit të drejtorit Medat Zogu.
Ndërkohë mbërritja e Gëzim Kalasë në qytetin e Bulqizës dhe përballja mes tij dhe disa minatorëve në qendër të qytetit ka sjellë replika të ashpra mes palëve. Një ditë më parë Presidenti i Sindikatave të Pavarura ka udhëtuar drejt qytetit të minatorëve dhe është takuar fillimisht me administratën e ACR-së në këtë qytet. Ndërkaq, gjakrat janë ndezur në mesditë. Teksa Kalaja udhëtonte në sheshin “Minatori”, ka ngritur dorën për t’i përshëndetur minatorët që ndodheshin para Bashkisë Bulqizë. Personat me të cilët ka dashur të “komunikojë” në distancë Kalaja kanë qenë drejtues të komisionit të grevës së minatorëve. Kur Kalaja ka ngritur dorën, minatorët kanë filluar ta shajnë dhe pështyjnë, çka e kanë detyruar Kalanë të lëvizë për në dalje të qytetit. Kjo lëvizje e Kalasë drejt Bulqizës komentohet nga drejtuesit e konfederatës si një mision i dështuar i tij për të shuar lëvizjen sindikaliste që ka nisur më 4 korrik të këtij viti në qytetin e Bulqizës. “Kalaja nuk ka punë me minatorët e Bulqizës. Ai nuk ka kontratë me ne dhe gabon rëndë kur vjen si emisar i pushtetit për të shuar grevën e urisë. Ai nuk pati burrërinë të vizitonte minatorët e ngujuar. Ta harrojë se mund të jetë faktor në zgjidhjen e kërkesave tona” - thanë anëtarë të këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës.
P. HASA