E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë: fitore e humbur apo humbje e fituar

1. Dhjetë deputetë grevistë të ulur kacul në një minipodium të improvizuar, sipër tyre, e telajuar si cakull i shallosur i urisë së tyre, devizen e njohur: “Vota është e Shenjtë”. Në këtë skenë parlamentare të papame, alla shqiptarçe, në mes të grevistëve është edhe Ilir Meta, që e shpalli si politikan dhe i vuri shpatullat si mundës “urisë” së grevës së urisë, që cakulli i saj “han” veç vota të manipulueme e kërkon vota të shenjtërueme. Kujtesa historike e politike na çon jo larg. Në mandatin e parë të Ilir Metës si Kryeministër i Vendit (28 nëntor 1999 - 6 shtator 2001), ndodhën: e “zakonshmja” elektorale e së majtës: “vjedhja e votave të opozitës së djathtë” në Zgjedhjet për Qeverisjen Vendore më 1 tetor 2000 dhe në Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare më 24 qershor 2001. Ndodhi edhe e jashtëzakonshmja elektoriale, “Fenonomeni i Dushkut”, në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, ku 3 parti të koalicionit të majtë (PAD, PA e PBDNJ) kapërcyen pragun e limituar të 2.5 % e morën 9 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë… Vota e Shqiptarëve u ç’shenjtërua edhe dy herë të tjera , (pas korrikut 1997),në rastin e vitit 2000 dhe në rastin e vitit 2001, si asnjëherë tjetër në historinë politike shqiptare, me të gjithë cullakërinë e vet. Në mandatin e dytë (6 shtator 2001-29 janar 2002), Ilir Meta, rivjen qëndrueshëm në skenën politike si “Kryeministër i Dushkut”, pasi kishte kryer dy masakra elektorale e ngritur dy kaskada manipulimi elektoral. Këto dy cullakëri të masakrave elektorale, më 2000 e më 2001, kur Ilir Meta ishte Kryeministër i Vendit, tashmë ndodhen në cakullin e grevës së urisë të 10 nëntorit 2008, cakull që e shpalosin si shall elektoral të tri forcat politike, të 10 deputetët grevistë, në tribunën e Parlamentit me (de)vizën: “Vota është e shenjtë” (!) Ilir Meta i grevosur për Kodin Zgjedhor e ka si zgjedhë Cakullin me dy masakra elektorale të viteve 2000 e 2001, ndaj edhe pse nuk hanë bukë tash 7 ditë në grevën shtatanike të urisë elektorale, janë të tejngopur me Cakullin e vet të tejfryrë nga kaskadat e vjedhjeve të votave në elektoriadat e kaluara. Ndaj kjo grevë urie e Ilir Metës është një fitore e humbur që kur hyri në grevë dhe një humbje e fituar kur të dalin prej kësaj greve. Në rast se në dy mandatet kryeministrore nuk do të ishte damkosur me mandatin e manipulatorit ekzekutiv të votave dhe nuk do t’i kishte në Cakullin e grevës së urisë këtë “ushqim” të masakrave elektorale, atëherë vërtetë ndërkombëtarët do të besonin se “Shën”-Iliri lufton për Shën-Votën.
2. Ilir Meta, me të gjitha shanset për t’u bërë Burrë-Shteti, gjatë viteve 2000 dhe 2001, kur ishte kryeministër, e ktheu shtetin në një “Burracak” përsa i përket qëndrimeve e veprimeve me votën elektorale të shqiptarëve. Kjo për dy arsye: e përdori plotëfuqishmërinë e Shtetit për të manipuluar “me dushk e larushk”, si asnjëherë tjetër e askund tjetër, Votat e Shqiptarëve dhe e përdori plotëfuqishmërinë e Shtetit për të ndëshkuar politikisht e fizikisht, me “hunj gome shpinës, pranga në duar e plumba kokës” opozitën e djathtë që protestonte për ç’shenjtërimin e Votës.
Sot, ish-kryeministri Ilir Meta, është në ditën e shtatë të grevës së urisë, i shallosur me një (de)vizë “Vota është e Shenjtë”. Kujtesa shqiptare nuk harron, se kanë kaluar vetëm 7 vjet e jo 7 shekuj, nga këto bëma antivotë të Ilir Metës-Kryeministër. As 7 ditë “lavazh” në grevë urie nuk mund t’ia lajnë mëkatet e tij ndaj Votës së Shqiptarëve në vitet 2000 e 2001. Ilir Meta duhet të luftojë 7 mijë vjet për Shën Votën që të arrijë të bëhet, ndoshta, “Shën Iliri”, mbrojtës i saj. Ndaj kjo grevë urie e tij është dhe mbetet: fitore e humbur dhe humbje e fituar…
3. Aty, pikërisht aty, në podium të Kuvendit, ku e ka shallosur (de)vizën “Vota është e Shenjtë”, na keqkujtohet një skenë irrituese e nëntorit 2006 kur Lideri i LSI, Ilir Meta, doli si mundës para Tribunës së Parlamentit duke iu hakërryer Kryetares së Kuvendit, të zgjedhur me votat e popullit, një femre shqiptare me triumfin jozefinian në politikë. Kamerat e fiksuan këtë sulm banal dhe figura e Ilir Metës u asfiksua për një kohë të gjatë deri në udhënisje për fundosje politike… Atëherë për të dalë “në sipërfaqe” Ilir Metës iu deshën shumë energji e dredhi, kryesisht një lidhje aleancore me Edi Ramën, një superxhiro bllokuese në janar-shkurt 2007 për zgjedhjet lokale ( në emër të “Votës së Lirë”), një distancim ftohjeje me PS, një sulm ndaj disa ndryshimeve kushtetuese e deri tek greva e tanishme e urisë. E të gjitha këto, urithime, labirinthime, trumbëtime, trimërime… vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve e të elektoratit shqiptar, për të dalë si “faktor” i kohës, për të fituar pushtet politik në vitin 2009… Në nëntor 2006, për një anëtar të LSI në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve u hodh mbi tavolina, theu vazo lulesh, u përlesh me gardistët e sulmoi padenjësisht Kryetaren e Kuvendit. E fitoi një antar në KQZ e humbi mijëra simpatizantë në Shqipëri e jashtë saj. Kjo tregoi edhe diçka lidhur me Ilir Metën: I merr kthesat në vend e sulet vertikalisht pa e ditur se sa “karburant” ka dhe deri ku shkon apo e çon superxhiroja e tij. Dy vjet më vonë, më 2008, po në nëntor, teksa finishohej Kodi Zgjedhor nga Komisioni i caktuar Parlamentar për në Kuvend, mori një tjetër kthesë të forte, me superxhiro në vend e nga foltorja e Parlamentit u vërsul vertikalisht e në grevë urie në sallën e Parlamentit. Në vertikalitetin e parë, në nëntor 2006, nga salla e sulmoi tribunën e Kuvendit, kryetaren e Parlamentit, ndërsa në vertikalitetin e dytë, në nëtor 2008, nga tribuna e Parlamentit u sul drejt sallës. Në këto dy vertikalitete ka vetëm një ndryshim: herën e parë ishte në këmbë dhe herën e dytë rrinte kacul. Si në këmbë, si kacul, rrinte në njëjtin vend, veç një shkallë më poshtë…, ndërkohë që po të punonte e luftonte ndryshe do të ishte një shkallë më lartë.
Ndoshta nuk ka çka ban, kur e ka Sali Berishën përballë si triumfator e në të dy krahët e tij, Fatos Nanon e Edvin Ramën si gladiatorë në llogoren e tij.
Në këto kushte e rrethana, me sa duket, ka zgjedhur Ngujimin. LSI, pavarësisht nga disa kontribute, i ngjan një “Mbikalimi”, jo vetëm mes PS e PD, jo vetëm në (ç)aleanca brenda PS, jo vetëm në grevë me PDK e PS 91, jo vetëm me mbishkrime të inicialeve të saj në mbikalimin e Kamzës, jo vetëm me deklaratat e grafikuara në masmedia, por edhe për një arsye tepër të thjeshtë: Strategjia, filozofia e LSI është vetë “Mbikalimi Politik” në këto vite të jetës së saj aktive. Edhe vet kjo grevë urie është njëfarë mbikalimi politik. Uria ajsbergiane e asimetrike e Grevës së Urisë (nga data 10 nëntor, me 10 deputetë, ndoshta me zgjatje deri në 10 ditë kohë), po ndiqet sikur të ishte një “Kafaz i Artë”, si një “lojë politike”, si një “telenovelë e re”, ku “kafazierët” nuk hanë bukë, por as me ngujimin e tyre nuk i japin ndonjë “Bukë” këtij vendi, kombit, kësaj kohe, Demokracisë së re Shqiptare.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›