Prokuroria e Gjirokastrës, heton veprimet e kryebashkiakut Flamur Bime

Prokuroria e Rrethit të Gjirokastrës, është duke hetuar statusin e Kryetarit të Bashksië së këtij qyteti, për sa i përket çështjes së shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen “11 Janari”. Burime të kësaj prokurorie bënë të ditur se, ndërsa deri tani, Flamur Bime, është marrë me cilësinë e dëshmitarit, nuk përjashtohet, që pas verifikimit të akteve, dëshmive e dokumenteve, ai të thirret nga organi i akuzës, për të dhënë shpjegime, me cilësinë e personit nënë hetim.
Drejtimi, ku ka shtirën njërën nga pistat e hetimit, Prokuroria e Gjirokastrës, ka të bëjë me lejen e ndërtimit të dhënë nga KRRT-ja, si dhe për mënyrën e dhënies së kësaj leje, një firme që ende nuk ishte licencuar.
Firma ndërtuese “Arti” sh.p.k., mësohet se e ka marrë lejen e ndërtimit të firmosur nga kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, rreth tri javë para se ajo të merrte licencën për ushtrim aktiviteti. Kështu, nga burime të Prokurorisë së Rrethit të Gjiroakstrës, mësohet se, ndërsa “Arti” sh.p.k., e kishte marrë lejen në 13 qershor ët vitit 2008, rreth tri javë më pas, në 7 korrik 2008, ajo ishte licencuar për ushtrim aktiviteti.
Ky fakt, së bashku edhe me dokumentacionin përkatës, është tashmë në duart e Prokurorisë së Gjirokastrës, ndërsa pritet të zbardhet roli i kryebashkiakut Flamur Bime, njëkohësisht edhe kryetari i KRRT-së së Gjirokastrës në këtë leje ndërtimi.
Vetë Flamur Bime, ka dhënë disa ditë më parë shpjegimet e tij para organit të akuzës, ndërsa ka refuzuar të japë dorëheqjen pas ngjarjes së rëndë.
Ndërkohë, dje, gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për bashkëpronarin e shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k, Aristotel Haxhi, i teti person që merr këtë masë, pas shembjes së pallatit pesëkatësh në këtë qytet, më 9 nëntor, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën disa të tjerë. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Pëllumb Vehbiu, pasi shqyrtoi për më se një orë dosjet penale në ngarkim të Haxhit.
Ndërsa ndaj 40 vjeçarit është marrë masa e sigurisë “arrest me burg”, është duke u diskutuar edhe çështja e sekuestrimit të pasurisë së këtij personi, bashkëpronar me Sotiraq Janorën në firmën e ndërtimit “Arti” sh.p.k.
Aristotel Haxhia president i firmës “Arti” sh.p.k, u vetëdorëzua në polici tri ditë më parë, ndërsa kërkohej nga blutë e Gjirokastrës që nga dita e shembjes së një pjese të pallatit në lagjen 11 janari, ku humbën jetën 3 persona mes tyre edhe një e mitur 13 vjeçe.
Shembja e pjesshme e pallatit në lagjen 11 janari të Gjirokastrës të dielën e 9 nëntorit ne mesdite shkaktoi vdekjen e Parashqevi Zoto 65 vjeç, Valbona Dalani 35 vjeç dhe Anxhela Dalani 13 vjeçe, trupat e pajetë të të cilave u gjetën dy ditë më pas nën rrënojat e pallatit.
Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh, i ngritur në një kodër në qytetin jugor, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij. Për këtë arsye, pas ngjarjes tragjike u ndaluan 10 persona, zyrtarë të bashkisë së Gjirokastrës dhe firmës “Arti” sh.p.k.
...