Kryeministri Berisha takohet me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers

“Qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me administratën e presidentit Obama”
Kryeministri Berisha priti dje paradite në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers.
Gjatë këtij takimi, Ambasadori amerikan e njohu kryeministrin Berisha me situatën e re post zgjedhore në SHBA dhe me prioritetet e pritshme të administratës së re të Presidentit Obama.
Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet në SHBA janë një ngjarje e shënuar dhe një çast historik për popullin dhe kombin e madh amerikan, por edhe për mbarë njerëzimin që gjen te SHBA modelin më të shkëlqyer dhe garantuesin më të madh të lirisë dhe vlerave të saj.
Berisha u shpreh se pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtë me Presidentin Barack Obama dhe me administratën e re të SHBA.
Sipas kryeministrit, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe mbeten prioriteti më kryesor i qeverisë së tij.
Po dje, ambasadori Withers, pati edhe një takim me kreun e PS-së Edi Rama. Zyrtarisht nuk u bë asgjë e ditur për tematikën e këtij takimi.
...