Greva e urisë, negociata mes ish të burgosurve dhe Nishanit

Pas 21 ditësh grevë urie më në fund duket se u hap një dritë jeshile për ish- të burgosurit politik.
Me ndërmjetësimin e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu do të nisin sot negociatat mes ish të burgosurve politik dhe presidentit të vendit Bujar Nishani.
Përfaqësues të grevës së urisë do të takohen në orën 09:00 në presidencë me kreun e shtetit për të bërë të mundur arritjen e një marrëveshje mes palëve.
Ndërkohë 19 ish të përndjekur politik ndodhen prej 21 ditësh në grevë urie ndërsa kjo është hera e parë që ata negociojnë me një përfaqësues të lartë të shtetit.
Gjergj Ndreca dërgohet për kurim në Greqi
Dërgohet për kurim në Greqi ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca i cili disa ditë më parë tentoi të vetëdigjet.
Ndreca është dërguar mëngjesin e sotëm me mbështetjen e PS-së drejt shtetit fqinj për të marrë një ndihmë më të specializuar në një nga spitalet e kryeqytetit grek, Athinës.
Përfaqësuesja e PS-së Keti Bazhdari në një prononcim për mediat i bëri sërish apel qeverisë të negociojë me ish-të përndjekurit politik të cilët ndodhen në grevë urie për të bërë të mundur zgjidhjen e situatës së krijuar.
“Qeveria nuk duhet të tregohet rraciste dhe duket të kuptojë që kjo është një grevë ekonomike dhe jo politike. I bëjmë apel qeverisë të negociojë me ish-të burgosurit politik që të mos shohim më akte të tilla” theksoi Bazhdari.
Gjergj Ndreca tentoi të vetëdigjet disa ditë më parë pranë çadrave të grevës së ish-të burgosurve politik ndërsa shembullin e tij e ndoqi edhe kolegu i tij Lorik Bejko i cili gjendet i shtruar në QSUT me 50 përqind djegie në trup.
Ndërkohë, një tjetër ish i dënuar politik ka tentuar mbrëmjen e djeshme t`i vendos flakën vetes në afërsi të çadrave të grevës së urisë së ish të burgosurve politik por fatmirësisht policia ka parandaluar djegien e tij.
Grupi i ish-të përndjekurve prej 21 ditësh është ngujuar në grevë urie duke kërkuar dëmshpërblimin dhe një sëri kërkesash të tjera që pretendojnë se janë lënë në harresë nga shteti.