Votohen rekomandimet e interpelancës

Pas një debate të gjatë në interpelancën e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovës, janë votuar me shumicë votash edhe rekomandimet e kësaj partie.
Sipas rekomandimeve, Kuvendi i Kosovës kërkon përgjegjësi dhe përgjegjshmëri nga Qeveria, veçmas për çështjen e njohjes apo mosnjohjes nga tri shtete dhe për këtë të njoftoj Kuvendin e Kosovës deri në fund të këtij viti.
Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës urgjentisht të sqaroj kompetencat e anëtarëve të Qeverisë duke përshkruar saktë obligimet dhe detyrat e punës të të gjithë përfaqësuesve të kabinetit qeveritar që merren me politikë të jashtme.
Po ashtu, në këto rekomandime, thuhej se Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që merren hapa menjëhershëm për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare në Këshillin e Evropës dhe të raportojnë në Kuvend në baza tremujore lidhur me procesin e avancimit,
Kuvendi kërkon nga Qeveria krijimin e partneriteti strategjik bilateral, Kuvendi i Kosovës obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të i përgjigjet Komisionit për Punë të Jashtme në baza të rregullta dhe Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndalon politizimin e shërbimit diplomatik të Kosovës dhe të veproj në përputhje me ligjet në fuqi dhe me kushtetutën në rast emërimeve apo ngritjes në detyrë./Kosovapress/
Thaçi: Kosova po përpiqet t'i bëj 100 njohje
Deputetët e opozitës kanë kritikuar ashpër politikën e jashtme të Kosovës, duke e vlerësuar si të çakorduar dhe jo efektive. Këto qëndrime kanë dal nga interpelanca me ministrin e jashtëm Enver Hoxhaj, e thirrur nga Grupi Parlamentar i LDK-së, lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovës. Ndryshe nga opozita, deputetët e koalicionit qeverisës e kanë mbështetur punën e ministrit, Hoxhaj.
Kryetari i GP të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se është kjo interpelancë është thirrur me qëllim të informimit të qytetarëve për gjendjen në politikën e jashtme.
Ai ka thënë se kërkohet seriozitet dhe qartësim i situatës së krijuar që shkon në dëm të Kosovës. Gjithashtu, kërkohet të sqarohet nëse ka pasur njohje formale nga Mali apo ka pasur falsifikim të dokumenteve.
Po ashtu, Beqiri ka kërkuar përgjigje të prerë nga Qeveria nëse Nigeria dhe Uganda e kanë njohur Kosovën.
Deputeti Beqiri ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme nga viti 2010 nuk ka hapur asnjë ambasadë apo konsullatë. Sipas tij, në këtë proces ka dominuar më shumë nepotizmi.
“MPJ nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar imazhin. Jo serioziteti i politikës së jashtme ka dëmtuar këtë imazh edhe më shumë. Janë disa raste të shkeljeve që bëhen siç janë rasti i drejtorit për çështje konsullore, për buxhet dhe financa për personelin. Këta drejtorë janë emëruar pa u përfillur asnjë rezolutë. 8 zyrtarë vetëm nga Suhareka të pranuar pa procedura apo me procedura joligjore”, ka theksuar Beqiri.
Për më tepër, ai ka shtuar se përfaqësimi rajonal ka degraduar përkundër kompromisit për përfaqësim rajonal me fusnotë.
GP i LDK-së ka propozon këtë mocionin në përputhje me rregulloren e Kuvendit, duke i ftuar deputetët që të përkrahin.
1. Kuvendi kërkon përgjegjësi për skandalin nga Republika e Malit,
2. Të njoftohet Kuvendi, në afat prej 2 javësh, nga MPJ për njohjet nga Nigeria dhe Uganda duke paraqit dëshmi,
3. Të sqarohen kompetencat e anëtarëve të Qeverisë, të të gjithë përfaqësuesve që merren me njohje,
4. të merren hapa të menjëhershëm për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe të raportojë në Kuvend në baza mujore dhe
5. Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndalojë politizimin e shërbimit diplomatik të Kosovës.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka falënderuar të gjithë që kanë punuar deri më tash në diplomacinë e vendit.
Sa i përket çështjeve të njohjeve, ai ka thënë se Kosova dëshiron t’i arrij 100 njohje, por ja që nuk mundet.
“Mund të them se suksesi i arritur është madhor në krahasim me lëshimet apo ndonjë dobësi e paraqitur dhe unë dua që të kemi më tepër se 100 njohje, por nuk mund t’i arrijmë. Është e vërtet na kishin premtuar që do të kemi njohje të shpejt, por edhe është e vërtet që pastaj ato njohje janë ngadalësuar. Pse janë ngadalësuar është çështje që mund të diskutojmë gjerë e gjatë edhe në parlament edhe jashtë, edhe takime të mbyllura dhe komisione të ndryshme”, ka theksuar Thaçi.
Ndërkohë, sa i përket 5 vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë, ai ka thënë se kjo çështje është shumë e qartë, pasi këto vende nuk janë kundër Kosovës, sepse të gjitha pa dallim e mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës.
Ai i ka ftuar të gjithë që të ndihmojnë procesin e njohjeve, e nëse nuk munden, të paktën, të mos e pengojnë atë.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se politika e jashtme është interes nacional dhe reflektim i unitetit politik.
Ai ka thënë se fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës është prioritet i lartë shtetëror duke shtuar se në vitin 2011 është hartuar dokumenti strategjik, siç ishte strategjia për arritjen e njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj ka shtuar se gjatë mandatit të tij ka vizituar 42 shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, ku ka takuar mbi 120 përfaqësues të këtyre shteteve.
Gjatë këtyre muajve ai ka thënë se kanë ardhur edhe njohjet për Kosovën.
“Brenda 17 muajve, Republika e Kosovës është njohur nga 17 shtete. Për çdo muaj kemi arritur të sjellim nga një njohje. Jemi përkrahur nga aleatët e fuqishëm si SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia e shtetet e tjera. Jemi shumë falënderues ndaj këtyre shteteve. Një qasje të veçantë edhe ndaj 5 shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Padyshim që mosnjohja nga këto vende paraqet sfidë dhe ka të bëjë me politikën e tyre të brendshme, por jo të jashtme”, ka theksuar Hoxhaj.
Shefi i diplomacisë ka thënë se procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit është i kushtëzuar nga rrethanat e veçanta politike dhe ligjore.
Ai ka shtuar se në bazë të praktikës ndërkombëtare legjitimimi i shteteve të reja është realizuar përmes anëtarësimit në OKB, ndërsa në rastin e Kosovës mungesa e konsensusit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe mungesa e unitetit brenda BE-së ka ndikuar negativisht edhe në pjesët tjera të botës, në aspektin e njohjes së Kosovës.
Duke folur për çështjen e Malit, ia ka thënë se ka ndodhur një keqkuptim në komunikimet mes Republikës së Kosovës dhe Malit. “Unë ndjej keqardhje para qytetarëve dhe Malit. Në të njëjtën kohë përpjekja ime dhe si MPJ është që në çdo formë me çdo kusht ta ruajmë kredibilitetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkohë sa i përket emërimit të ambasadorëve, Hoxhaj ka thënë se ata janë njerëz profesionistë kompetent dhe apartiak.
Në kohën e deklarimeve të grupeve parlamentare, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se duhet çmuar dhe vlerësuar puna e ministri Hoxhaj.
Ndërkohë që, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni ka thënë se ka thënë se e dinë procesin e njohjeve se sa i ndjeshëm është, por, sipas tij, këtë proces e kanë lënduar edhe më shumë udhëheqësit e MPJ-së.
“I nderuar ministër të jeni i sigurt se unë më mirë se kushdo tjetër jam i vetëdijshëm sa i ndërlikuar është procesi i njohjeve, sa delikat sa i ndjeshëm sa i lëndueshëm është ky proces. Dhe duke qenë deri në atë masë ju me kolegët tuaj e keni lënduar keq, e keni diskredituar, e keni kompromituar keq. Madje, madje duke u përpjekur të instalohen edhe metoda korruptive në një proces i cili duhet të ruhet aq i pastër dhe i pa komprometuar sepse vetëm si i tillë në afatgjatë Kosovës i sjell dobi”, ka thënë Hyseni.
Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova ka ndërtuar shumë strategji, por, sipas Hysenit, efekti i të gjitha këtyre matet me rezultate konkrete dhe rezultatet konkrete flasin për dështim total.
Ish-shefi i diplomacisë kosovare, nuk është ndaluar me kaq duke shtuar se ka një degradim të skajshëm dhe një nxitim qesharak për të zëvendësuar ambasadorë të dëshmuar të Kosovës, nxitim të pakuptueshëm që të ngopen apetitet qoftë edhe militante partiake gjithnjë në kurriz të një shërbimi diplomatik.
Ai e ka pyetur ministrin Hoxhaj për agjendën e presidentes së Kosovës, kryetarit të Kuvendit dhe agjendën e secilit ministër në Qeverinë e Kosovës për aktivitet ndërkombëtare.
Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, fjalimin e ministrit Hoxhaj, e ka quajtur si një fjalim që i përket një forumi ndërkombëtar.
“Mu krijua përshtypja se ministri Hoxhaj po flet në një forum ndërkombëtar dhe jo në Kuvend të Kosovës. Çdokush që shkruan dhe flet e ka në mendjen e vet një dëgjues që do t’i lexoj ose dëgjojë ato. Dhe nga adresimi i Hoxhaj është e qartë që dëgjuesi i tij nuk jemi ne. Pra, ky fliste si në forum dhe jo si në Kuvend ku duhet të japë përgjegjësi dhe llogari për çështjet që janë ngritur këtu. Nga pikëpamja e ministrit Hoxhaj ne nuk ishim këtu, kjo sallë ishte e zbrazët”, ka theksuar Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes ka thënë se edhe pak bëhen 6 muaj që Hoxhaj nuk ka qenë në Komisionin për politikë të jashtme. Sipas tij, ai vjen në komision vetëm atëherë kur dëshiron të përzgjedh një ambasador për në një vend të caktuar.
Ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe emërimin e Ahmet Shalës si ambasador në Japoni.
“Përveç shkeljeve të ndryshme ligjore që i kemi diskutuar në komision, kemi edhe dobësi të llojit të kandidatit për ambasador Ahmet Shala, i cili bashkë me të ndjerin Dino Asanaj u paraqit person kryesor i privatizimit neoliberal. Dino Asanaj përjetoi vdekje të dhunshme, ndërkaq Ahmet Shalën po e fërfllojnë në Japoni si ambasador pas dështimit që ai të bëhet ambasador në Belgjikë dhe SHBA”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se MPJ nuk e njeh Republikën e Serbisë dhe kjo është mirë, mirëpo Qeveria e Kosovës nuk është në përputhje me qëndrimin e MPJ-së.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Blerim Shala ka thënë se diplomacia e Kosovës prej viteve 90-ta ka pas rol të veçantë në zhvillimet historike dhe politike të Kosovës.
Sipas tij, ajo edhe sot vazhdon të ketë një detyrë shumë të veçantë, edhe pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjeve që i bënë shtetit të Kosovës.
Megjithatë, Shala ka thënë se po që se i bëhet një vlerësim të punës shihen edhe ngecjet.
“Po që se synojmë të bëjmë vlerësim të punës nuk është vështirë të spikaten të metat që kanë përcjell në vazhdimësi diplomacinë”, ka thënë Shala.
Debat i ashpër rreth politikës së jashtme
Ish-ministri i Jashtëm, deputeti i LDK-së, Skënder Hyseni tha se politika e jashtme është diskredituar.
“Ju me kolegët tuaj në Qeverinë e Kosovës, e keni lënduar keq, e keni diskredituar, e keni komprometuar keq, madje madje duke u përpjekur të instalohen edhe metoda korruptive”, tha Hyseni.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti, tha se politika e jashtme e Kosovës duhet t’i kushtojë vëmendje marrëdhënieve mes shqiptarëve.
“Politika e jashtme e Kosovës në rajon duhet të përqendrohet në marrëdhëniet me shqiptarët që jetojnë në vendet që na rrethojnë. Pra, politika e jashtme të përpilohet varësisht nga pozita dhe gjendja e shqiptarëve në ato vende”, tha Kurti.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Blerim Shala, u shpreh skeptik se mund të ketë njohje të reja.
“Improvizimet e shumta, mungesa e koordinimit midis autoriteteve kryesore të politikës së jashtme të Kosovës, mandej gafet dhe skandalet diplomatike, kanë bërë që të dobësohen gjasat që të marrin njohje të reja”, tha Shala.
E ndërkohë, edhe kryeministri Hashim Thaçi e mori fjalën.
“Mund të them se suksesi i arritur është madhor në krahasim me lëshimet apo me ndonjë dobësi të paraqitur. Edhe unë dua t’i kemi më shumë se 100 njohje, por nuk po mund t’i arrijmë”, tha Thaçi.
Gratë deputete lëshojnë seancën, ndihen të ofenduara
Grupi i grave deputete të PDK-së, në Kuvendin e Kosovës, gjatë interpelancës ndaj ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kanë lëshuar seancën plenare, pasi janë ndier të ofenduar nga deklarata e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili gjatë fjalimit të tij, para deputetëve, ka thënë se ministria e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, po i puth dhe po i përqafon zyrtarët e lartë evropian më mirë se ministri.
Më këtë rast, Grupi i grave deputete i PDK-së kanë kërkuar nga Gashi të kërkoj falje dhe ta tërheq fjalën e tij, por Gashi nuk e ka përfillur këtë kërkesë të tyre.
Gratë deputete të PDK-së në shenjë pakënaqësie ndaj këtij veprimi kanë lëshuar sallën kuvendit të Kosovës. Më vonë këtyre u janë bashkangjitur edhe disa deputete nga partitë e tjera parlamentare.
Hoxhaj: Për çdo muaj kemi arritur të sjellim nga një njohje
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në Interpelancën e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se politika e jashtme është mishërim i politikës së brendshme dhe reflektim i unitetit politik.
“Në Politikën e Jashtme të gjithë duhet të ndajmë përgjegjësinë e përfaqësimit të interesit shtetëror. Unë si ministër, ju si deputet dhe ne si qytetarë”, ka shtuar ai.
Sipas Hoxhajt, Kosova është shtet i pavarur dhe procesi i njohjeve është i pakthyeshëm dhe i pandalshëm.
“Prandaj, askush nuk mund të ndalë rrjedhën e historisë së njohjes së plotë të Republikës së Kosovës. Kosova e pavarur është pjesë e peizazhit të shteteve sovrane, demokratike të Ballkanit perëndimorë dhe Evropës. Ajo përfaqëson një realitet politik dhe juridik dhe një fakt gjeopolitik në Evropë dhe botë.
Kryediplomati kosovar ka theksuar se për herë të parë, lobimin, krahas qendrave multilaterale është vendosur edhe në rrafshin bilateral - shtet me shtet.
“Gjatë tërë kësaj kohe, unë kam pas një plan konkret të punës dhe të matshëm, një agjendë javore, mujore dhe vjetore, të shoqëruar me një qasje të menduarit mirë strategjik dhe me analiza të detajuara për secilin shtet. Duke u bazuar në këtë strategji, unë kam vizituar mbi 42 shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Rezultatet janë të matshme. Brenda këtyre 17 muajve Republikën e Kosovës e kanë njohur 17 shtete sovrane, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për çdo muaj kemi arritur të sjellim nga një njohje, në një përudhë shumë të vështirë, ku sigurimi i njohjes është i kushtëzuar nga rrethana të veçanta gjeopolitike”, ka shtuar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se njohjet janë të rëndësishme dhe do të mbesin prioriteti politikës së jashtme, derisa Kosova do të bëhet anëtare e plotë e OKB-së. Mirëpo, politika e jashtme nuk guxon të reduktohet vetëm në njohje.
Sipas tij, jetësimi i objektivave tjera të MPJ-së janë po aq i rëndësishëm sa shtimi i njohjeve.
“Njohjet janë kuptimplota me anëtarësimin e plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike. Sepse njohjet i shërbejnë forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, mbi të gjitha atëherë kur ne marrim pjesë aktivisht në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Ministri Hoxhaj ka pohuar se për një vjet e gjysmë ai ka zhvilluar mbi 150 takime bilaterale.
“Ne në këtë vit e gjysmë ne kemi dyfishuar numrin e shteteve, me të cilat kemi lidhur marrëdhënie diplomatike. Tani jemi në proces të nënshkruajmë marrëdhënie diplomatike edhe me shtetet e mbetura. Ne kemi nënshkruar 105 marrëveshje bilaterale në mes Republikës së Kosovës dhe shteteve tjera, janë 10 marrëveshje multilaterale dhe 9 marrëveshje ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Ai ka folur edhe për anëtarësimin në organizata ekonomike, financiare, kulturore, sportive, të cilat sipas tij janë përcaktuese që Kosova të integrohet në sistemin ndërkombëtarë.
“Prandaj, ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në sigurimin e mbështetjes së shteteve për të qenë anëtare e plotë në shumë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, ka theksuar Hoxhaj.