Grevistët, Berisha i përshëndet me dorë

Ora 10: 55
Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentari italian, Fini, pyeten në konferencë shtypi për grevën e urisë së opozitës. Fini deklaron se kriza duhet zgjidhur me dialog.
Ora 11: 05
Kryeministri Berisha, duke përcjellë nga kryeministria kryeparlamentarin italian, Xhianfranko Fini, nuk heziton të përshëndesë grevistët e urisë që kishin dalë për ajrim jashtë çadrave.
Ora 12:35
Grevisti Demo Muhaj në gjendje të rëndë shëndetësore dërgohet me urgjencë në spitalin "Nënë Tereza". Shkak ishte tensioni i lartë i gjakut.
Ora 13:10
Deputetja Klodiana Spahiu, tashmë në rolin e mjekes deklaron se gjendja e grevistëve sa vjen e përkeqësohet, megjithëse nuk ka raste të tjera emergjence.
Ora 13:30
Mblidhet grupi parlamentar socialist dhe vendos që të mos marrë pjesë në seancën e djeshme plenare, ndërsa merr masa për protestën që pritet të mbahet ditën e diel.
Ora 16:55
Protestuesit e ardhur nga qarku i Shkodrës dhe i Lezhës marshojnë nga "Stacioni i Trenit" drejt bulevardit "Zogu i I", duke bllokuar përkohësisht trafikun.
Ora 18:00.
Nis protesta e shtatë e opozitës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" pranë çadrave ku janë ngujuar grevistët. Në protestë përveç qytetarëve nga Tirana merrnin pjesë dhe qytetarë të ardhur nga Shkodra dhe Lezha.
Ora 19:30
Kreu i PS-së, Edi Rama, duke folur në protestë deklaron se nuk ka kthim pas. Turma e protestuesve, si dhe dy qarqet kthehen sërish drejt sheshit "Skënderbej".
Kryeparlamentarit italian, Gianfranco Fini, dhe delegacionit të tij i është dashur dje të përballet disa herë me grevistët
TIRANË - Ndërsa greva e urisë për transparencën e votës ka hyrë në një fazë tepër kritike për shëndetin e të ngujuarve, kryeministri Sali Berisha në vend të dhënies së një zgjidhje ka zgjedhur t'i provokojë sërish. Kësaj here jo me deklarata, por me një xhest të përhershëm të tij, duke i përshëndetur grevistët nga selia e kryeministrisë.
Një situatë e tillë ka ndodhur dje paradite, në momentin që nga kryeministria po dilte kreu i dhomës së deputetëve italian, Gianfranco Fini.
Duke përcjellë mikun italian, kryeministri Berisha duke ecur në krah të tij para godinës së Këshillit të Ministrave është kthyer nga çadrat dhe ka përshëndetur me dorë një grup grevistësh, të cilët kishin dalë jashtë në atë moment për tu ajrosur.
Përshëndetja e Berishës nuk është vënë re nga grevistët, ndërsa ka sjellë reagimin e mbështetësve të tyre që panë xhestin e kryeministrit. Të njëjtin veprim kryeministri ka tentuar ta bëjë edhe në kthim, por kësaj here vetëm duke buzëqeshur dhe parë nga çadrat.
Pavarësisht ironisë së kryeministrit duket se greva e 200 të ngujuarve për shkak edhe të vendit të zgjedhur prej tyre për të kryer këtë akt, pra bulevardi kryesor i kryeqytetit, ka nisur të popullarizohet jo pak. Jo vetëm qytetarët e Tiranës që në çdo orë të ditës qëndrojnë pranë çadrave, por edhe delegacionet e huaja që vijnë në Shqipëri janë detyruar për shkak të pozicionit të njihen nga afër me këtë sakrificë.
Kështu, edhe kryeparlamentarit italian, Gianfranco Fini, dhe delegacionit të tij i është dashur dje të përballet disa herë me grevistët dhe protestuesit që i mbështesin ata. Kështu, ndërsa gjatë hyrjes për në kryeministri ai i ka parë nga makina, në dalje ai nuk i është shmangur dot kontaktin direkt me grevistët që gjendeshin në atë moment jashtë çadrave, megjithëse nuk ka dashur të tërheqë vëmendjen dhe të krijojë ndonjë incident.
Më pas, ai ka ecur edhe fare pranë çadrave, kur i është dashur të futet në selinë e kryesisë së Kuvendit, në hyrje të së cilës e priste homologia e tij shqiptare, Jozefina Topalli. Këtu Fini ka mundur ta shikojë më nga afër situatën, pasi për disa momente ka qëndruar në hyrje të kryesisë, ndërsa ka zhvilluar një telefonatë.