E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rendohet gjendja e grevistëve, Rama: Nuk tërhiqemi

Nëpërmjet një lidhje audiovizive, deputetët Xhovalin Kadeli, Ilir Beqja, Ledi Shamku, Arben Ahmetaj dhe disa grevistë të tjerë, kanë shprehur vendosmërinë për të mos u tërhequr nga sakrifica për votën


TIRANË - Rëndimi i gjendjes shëndetësore të mbi 200 grevistëve, jo vetëm që nuk ka zbehur vullnetin e opozitës për t'i shkuar deri në fund betejës për transparencën e votës, por ka shtuar edhe më shumë bindjen se kjo është një betejë e drejtë dhe për të cilën ia vlen të sakrifikohesh.


Në ditën e shtatë të protestës, kreu socialist, Edi Rama, duke folur para qindra mbështetësve të ardhur nga qarku i Shkodrës dhe Lezhës, ka siguruar edhe një herë se nuk do të ketë kthim nga kauza për votën e lirë.


Të njëjtin besim kanë shprehur edhe vetë të ngujuarit në çadrat e vendosura në bulevard, të cilët duke përshëndetur protestuesit për mbështetjen e tyre, kanë theksuar se nuk do të dorëzohen.


Rama


Partia Socialiste dhe koalicioni i saj opozitar ka zhvilluar dje në mbrëmje në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" protestën e saj të radhës, jo vetëm për të kërkuar hapjen e kutive, por edhe për t'i dhënë mbështetje morale grevistëve të urisë që gjenden të ngujuar në çadra, ndërsa grupi parlamentar i saj ka refuzuar të marrë pjesë në seancën e djeshme plenare të Kuvendit.


Përveç oratorëve të përhershëm tashmë, mitingun e djeshëm e kanë përshëndetur edhe drejtues lokal të qarqeve Shkodër dhe Lezhë, si dhe kreu i Partisë së Gjelbër Shqiptare, të cilët kanë evidentuar problematika të ndryshme që shqetësojnë komunitetet që ata drejtojnë që, sipas tyre, kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes dhe shurdhërisë së një pushteti të pamerituar dhe jolegjitim.


Ndërsa kreu socialist, Edi Rama, në fjalimin e tij të radhës ka evidentuar faktin se gjendja e grevistëve ka nisur të rëndohet, por ka përcjellë tek të pranishmit vendosmërinë e grevistëve dhe gjithë opozitës për të mos u ndalur në betejën për shpëtimin e demokracisë, siç e konsideroi ai betejën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.


Pavarësisht shurdhërisë së kësaj mazhorance, theksoi ai, PS-ja dhe të gjitha forcat që e mbështesin atë nuk do të heqë dorë nga e drejta për të siguruar të drejtën e transparencës së votës.


"Ne nuk do zmbrapsemi, sepse kjo është edhe e mira e atyre të rejave dhe të rinjve që me lista do të vijnë nesër të dhunuar në lirinë dhe të drejtën e tyre, siç u dhunuan ato gra që u dhunuan me bukën e gojës për të bërë një manifestim, të cilin zemra nuk ua donte, por mbijetesa e familjes ua kërkonte", - tha Rama, duke denoncuar kështu një përpjekje tjetër të segmenteve të PD-së për të organizuar sot një antimiting tjetër, si ai i dy ditëve më parë.


Ndërsa, duke iu referuar deklaratës së bërë dje nga Partia Popullore Europiane, ku dhe i bëhej thirrje PS-së të respektonte shtetin ligjor dhe Kushtetutën, kreu socialist ka theksuar se kjo është pikërisht ajo që kërkon opozita shqiptare. "Në emër të PS-së i kërkoj Partisë Popullore Europiane të na ndihmojë, duke e bindur Sali Berishën që ta respektojë shtetin ligjor.


Duam të njëjtën gjë. Duke kërkuar tek ne respektimin e të drejtës ligjore e kërkojnë në adresë të gabuar", - shtoi Rama. Ai edhe një herë i ka bërë thirrje qytetarëve në mbarë Shqipërinë që të vijnë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" më datën 9 maj, ditën e fitores mbi fashizmin, për t'i dhënë fund fantazmave të kësaj filozofie, siç e quajti ai kreun e qeverisë Sali Berisha.


Protestuesit


Protestën, ashtu si edhe dy ditë më parë, e kanë përshëndetur edhe një pjesë e grevistëve nga brenda çadrave, kryesisht të zgjedhur ose bij të qarqeve Shkodër dhe Lezhë.


Nëpërmjet një lidhje audiovizive, deputetët Xhovalin Kadeli, Ilir Beqja, Ledi Shamku, Arben Ahmetaj dhe disa grevistë të tjerë, kanë ngritur entuziazmin tek mbështetësit e tyre jashtë çadrave, teksa kanë deklaruar vendosmërinë për të mos u tërhequr nga një sakrificë e tillë. Deputeti Arben Ahmetaj theksoi se morali i grevistëve dhe bindja për të vijuar këtë beteje është më i madh edhe se ditën e parë kur ata vendosën të ngujohen.


"Bindja jonë dhe morali jonë është më i lartë se ditën e parë të grevës. Kemi 10 muaj që kërkojmë çdo instrument për transparencën e kutive, të 200 grevistët janë të vendosur të vazhdojnë betejën e nisur", - u shpreh Ahmetaj, duke i bërë thirrje Berishës të reflektojë sa nuk është vonë.


Ndërkohë, burime pranë komitetit të grevës së urisë bënë të ditur dje se grevistët kanë marrë vendim që të mos dalin nga greva. Kështu edhe në rast se do të duhet që ata për shkak të përkeqësimit të shëndetit t'i çojnë në spital ata do të rikthehen sërish në çadra për të vazhduar grevën.


Të njëjtat burime bëjnë të ditur se grevistët i kanë deklaruar drejtuesve të opozitës që në rast se dikush tjetër do të kërkojë të hyjë në greve, atëherë për të do të shtohet një krevat tjetër, pasi ata që janë brenda nuk do të dalin për asnjë arsye deri në plotësimin e kërkesës për transparencën e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›