Kriza, Fini: Zgjidhja në respekt të Kushtetutës

Fini takohet me kryeministrin Berisha. Ky i fundit nuk ndryshon qëndrim sa i përket zgjidhjes së krizës
Berisha: "Shqipëria disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret"
TIRANË - Në ditën e 7-të të grevës së urisë, kryeministri Sali Berisha nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kërkesës kryesore të opozitës, hapjen e kutive të votimit. Në konferencën për shtyp të zhvilluar pas takimit, me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Republikës së Italisë, Xhanfranko Fini, Berisha u shpreh i gatshëm që të hapte çdo dokument, madje atë me sekretin, por vetëm konform ligjit dhe Kushtetutës.
"Unë sigurova Presidentin Fini se qeveria ime mbetet e vendosur të respektojë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari shqiptar, force politike apo organizate për të protestuar në mënyrë paqësore, në formën që ai konsideron më të përshtatshme.
Sikundër jam dëshmuar dhe dëshmohem i hapur për zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, transparencën e plotë të çdo procesi në këtë vend. Shqipëria është një vend me shtet ligjor dhe disponon të gjitha ligjet dhe institucionet për të bërë transparent edhe dokumentin më sekret të saj. Unë shpresoj që opozita të përfitojë dhe e ftoj opozitën të përfitojë nga këto mundësi", tha Berisha.
Nga ana e tij, edhe Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini, është shprehur se zgjidhja duhet të vijë përmes zbatimit të Kushtetutës dhe ligjit. "...nuk më mbetet tjetër veçse të uroj për një zgjidhje sa më të shpejtë të të gjitha çështjeve, që janë ende të hapura dhe që kërkojnë zgjidhje.
Dhe, sigurisht, sikundër përmendi edhe Kryeministri Berisha, në respektim të Kushtetutës, të ligjit dhe të pavarësisë, por edhe të rekomandimeve apo të mendimeve të gjithë komunitetit ndërkombëtar", - tha ai. Fini deklaroi gjithashtu se Italia vazhdon të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave. "Procesi i liberalizmit të vizave është një proces më se i rëndësishëm dhe që duhet të bazohet në meritën dhe ky përbën edhe synimin kryesor.
Gjithashtu, Italia është duke punuar gjerësisht për mbështetjen dhe vazhdon të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave, që, sikundër e tha edhe zoti Berisha, është një proces më se i rëndësishëm, pavarësisht sprovave të shumta që i është dashur të përballet e të kapërcejë qeveria shqiptare, pikërisht, sprova që i janë vënë përpara nga Bashkimi Europian", - tha ai.