Grevistët e Bulqizës dhe turistja serbe
Ditë pas dite ne ndjekim mjerimin e minatorëve të Bulqizës, të cilët ishin në grevë urie për 27 ditë me radhë, 1400 metra nën tokë dhe ne, qytetarët e thjeshtë solidarizohemi me ta duke thënë “të shkretët, kanë të drejtë”, ose disa prej nesh mendojnë "mirë i gjen, atje të rrinë se greva është politike". Se ku u pikon çatia e dinë vetëm ata, minatorët, të cilët bëjnë punë vërtet skllevërish dhe paguhen po si skllevër. Ata dhe familjet e tyre e ndjejnë kur në fund të çdo muaji, pas një pune të vështirë e të rrezikshme, marrin aq para sa nuk përballojnë jetesën e tyre. Nuk plotësojnë nevojat e fëmijëve të tyre, të cilët nuk e dinë që ndoshta babai nuk do të kthehet kurrë nga ajo minierë e vdekjes. Çfarë kërkojnë më shumë këta skllevër të kohëve moderne? Ata kërkojnë t'u vlerësohet pak më shumë djersa e tyre dhe të kenë kokën më të sigurt për të mos lënë fëmijët rrugëve. Na qenka një firmë koncesionare, e cila nuk begenis të shkojë te miniera (vendi ku ata përfitojnë miliona euro) për të kontaktuar me minatorët, por kërkon t'i takojë në Tiranë ose diku tjetër. Minatorët ngjajnë si ata fëmijët jetimë që i marrin bota nëpër këmbë. Them jetimë, sepse qeveria që duhet t'i përkrahte nuk është dukur fare, por përkundrazi, është bërë palë me firmën skllavëruese. Reagimi i qeverisë vjen ditën e 27-të, e cila dërgon atje më shumë policë nga sa Bulqiza ka banorë e minatorë. Duke i nxjerrë me forcë dhe rrahur minatorët dhe familjarët e tyre. Pas kësaj dhune minatorët presin...Vitet e tranzicionit në Shqipëri kanë qenë të hidhura për nga mënyra se si u trajtuan pasuritë kombëtare. Deri tani të gjitha qeveritë kanë punuar në të kundërt të interesit kombëtar, duke dhënë me koncesione dhe qira pasuritë e paçmueshme nëntokësore. Të vetmit që kanë përfituar nga koncesionet janë ish-qeveritarë dhe qeveritarë, të cilët e kanë pasur të thjeshtë të japin këto pasuri që çdo shtet tjetër i ka zili. Në dhënien e koncesioneve më të humbur jemi ne shqiptarët, zotët e tyre dhe Shqipëria, sepse nuk është marrë parasysh si do të punojnë dhe si do të paguhen shqiptarët që do të punojnë në to, plus që buxheti i këtij vendi të begatë mund të përfitonte më shumë nga pasuritë e tij. Absurde është që qeveria nuk shtrëngon firmën të plotësojë kërkesat e minatorëve të Bulqizës, por shkon i nxjerr me shqelma nga greva. Meqë firma është austriake, disa ditë më parë pata një eksperiencë të hidhur; duke fluturuar nga Vjena në Tiranë me një linjë po austriake, në bordin e avionit, për të lexuar pasagjerëve shqiptarë u jepej një revistë austriake, në brendësi të së cilës ishte një artikull nga një fotografe serbe me emrin Andrea Palati, e cila pas vizitës në Shqipëri, të vetmet gjëra që kishte parë këtu ishin bunkerët e kohës së komunizmit dhe një qen i plagosur, në revistë, një goxha foto me bunker dhe qenin zinte 1 faqe. Përse shqiptarëve që udhëtonin me paratë e tyre duhet t'iu servirej për të lexuar një artikull i shkruar nga një artiste nacionaliste antishqiptare, një antireklamë për vendin e tyre?! Ajo vazhdonte të sqaronte se bunkerët tani përdoren për takime nga çiftet e dashuruar, dhe qeni dukej të ishte përdorur për shënjestër zjarri?! Dhe ishte e zhgënjyer nga parulla turistike "ALBANIA, a new mediterranean love". Me artisten nuk po merrem, por dua të them që sikur ta bojkotonim këtë kompani për 1 javë vetëm për këtë arsye ne si shqiptarë, do të shihnim me siguri se herën tjetër në bord nuk do të kishte revista të tilla. E dhashë shembullin për arsye se jemi ne shqiptarët e thjeshtë, artistë, politikanë etj, që duhet të mbrojmë dinjitetin tonë. Sikur qeveria të përzinte këtë kompani koncesionare, jam i sigurt që tjetra që do vijë, do të plotësojë më mirë kushtet financiare dhe teknike të minatorëve. Në këtë vend me kaq shumë pasuri dhe bukuri natyrore, të gjithë ankohemi për shitje të pasurive kombëtare, për shitje të sipërfaqeve detare, për vrasjen e demonstruesve, për mosvlerësimin e minatorëve, për shitjen e identitetit kombëtar, për vjedhjen e votës etj, etj, shitje e tradhti dhe themi se "nuk bëhet ky vend". Vitet e fundit ne kemi ndërruar shumë qeveri, secila me mangësitë e saj. Sepse kriter kryesor për një politikan ka qenë të jesh servil dhe të japësh ç'të kërkohet. Është koha që ne shqiptarët të kërkojmë një qeveri që të punojë për shqiptarët dhe të ndërtojmë të ardhmen në këtë vend të bukur e të begatë, me të cilin natyra është treguar shumë bujare, t'i kthejmë këto pasuri në të mirë të shqiptarëve, jo të një dore servilësh e hajdutësh.
(I akuzuar për protesta kundër V. Bollanos e S. Kserës
(I akuzuar për protesta kundër V. Bollanos e S. Kserës