E Diel, 1 Nëntor 2026

Grevistët e Gërdecit: Greva do të vazhdojë, sot të gjithë në protestë

Vazhdon të përkeqësohet gjendja e punëtorëve të fabrikës së Gërdecit, të cilët janë futur në grevë urie prej shtatë ditësh. Pavarësisht kësaj edhe dje asnjë zyrtar nuk i ka vizituar për të dëgjuar kërkesat e tyre. Sipas grevistëve, ata do të vazhdojnë grevën, ndërkohë që sot në orën 11.00 të paradites punëtorë të tjerë të fabrikës famëkeqe dhe shoqëria civile do të mbështesin grevën, duke protestuar përpara Kryeministrisë. Sipas tyre, kërkesat duhet të plotësohen sa më parë, pasi gjendja e punëtorëve është mjaft e rëndë. Njëri prej punëtorëve thotë se qeveria ka përgjegjësi për gjendjen e tyre dhe duhet të ndërhyjë menjëherë.

Këtë nismë e ka mbështetur edhe komisionerja e Avokatit të Popullit, Florina Nuni. “Ne kemi takuar pjesën dërrmuese të grevistëve, personat e dëmtuar dhe familjarët e tyre njëkohësisht. Ankesa e tyre mbetet në të njëjtin kuadër: dëmshpërblim për të plagosurit; kërkojnë pagën që ka mbetur e papaguar për personat që kanë punuar që nga data 1 deri në 15 maj. Pra, ka qenë ky dyjavësh që ata nuk kanë marrë para”, - shprehet Nuni.

Pjesa dërrmuese ka pasur ankim për mënyrën e verifikimit që ka bërë komisioni i vlerësimit për mënyrën e dëmshpërblimit që iu është caktuar, pra që nuk kanë qenë dakord me të. Këto janë bërë kryesisht nga fshatrat që kanë afër shpërthimit, në Sharkë, Marqinet, etj. Sipas Nunit, ka pasur ankesë për personat që janë dërguar në Brindizi të Italisë për t’u mjekuar, të cilët nuk merrnin dot vizën për t’u larguar, pasi qëndrimi i tyre këtu dëmtonte edhe më tepër shëndetin e tyre”, - shprehet ajo. Kanë qenë pikërisht tre të plagosur rëndë që ishin operuar një herë në Itali, janë kthyer në Shqipëri dhe do të shkonin përsëri për vizitë mjekësore atje. Ministria e Shëndetësisë ka bashkëpunuar me Ministrinë e Jashtme, ambasadën italiane dhe këta persona kanë marrë vizën një muaj pasi iu kishte mbaruar afati i paraqitjes në spitalin italian.

“Pra, ata kanë shkuar atje vetëm para dy ditësh, me një muaj vonesë, dhe aktualisht janë duke u vizituar atje. Emrat nuk më kujtohen, por janë dy vajza dhe një djalë. Djali quhet Klodian Kodra, ndërsa vajzat quhen njëra Meltina dhe tjetra Anisa. Gjithashtu, në ankimimet e tyre, që i janë drejtuar edhe Avokatit të Popullit, ata kërkojnë dëmshpërblime për mjetet motorike që kanë humbur, si dhe shpenzimet e varrimeve për viktimat, të cilët humbën jetë ditën e shpërthimit. Në fakt, ne i kemi parë të gjitha këto kërkesa dhe ia kemi rekomanduar Bashkisë së Vorës procesin e dëmshpërblimeve për dëmet që kanë pësuar këta njerëz. Në këtë rekomandim janë përfshirë ankesat mbi komisionet, rivlerësimet, të cilat janë bërë nga dy komisione në faza të ndryshme kohore. Me sa shoh unë, edhe banorët kanë mbetur të kënaqur nga këto komisione, kjo ngaqë ka shumë pak ankesa në këtë drejtim”, - thotë Nuni.

Janë shumë të paktë personat që kërkojnë edhe një herë rivlerësim, sepse nuk kanë qenë prezent në momentin që kanë shkuar komisionet për të vlerësuar dëmin që iu është shkaktuar.

“Kemi ankesa për orenditë shtëpiake dhe për mjetet motorike, të cilat nuk janë përfshirë fare në këtë vlerësim. Për mjetet motorike ne jemi duke diskutuar, kemi bërë një rekomandim të brendshëm, të cilin po e diskutojmë edhe me Avokatin e Popullit dhe pastaj do të shikojmë se cilat nga at mjete kanë qenë të siguruara”, - thotë ajo. Bëhet fjalë për ato mjete që kanë qenë afër dhe që janë shkatërruar plotësisht nga shpërthimi.

Nuni shprehet se, gjithashtu është rekomanduar edhe mundësia që të shikohet pagesa për ata persona që kanë qenë në punë nga data 1 deri më 15 mars.

“Megjithëse një përgjigje na ka ardhur, që qeveria i ka akorduar një fond prej 150 000 lekësh të reja për çdo punëtor të fabrikës menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja dhe me këtë ata kanë menduar që e kanë shlyer edhe këtë pjesë detyrimi. Në fakt, ky është detyrim i shoqërisë punëdhënëse”, - thotë ajo. Kështu që, sipas saj, është sugjeruar që këta persona t’i drejtohen prokurorisë, ministrisë dhe në vërtetimin që do t’i bëhet pasurisë së shoqërisë që merrej me këtë biznes, të hiqet pjesa e pagës që do të japë për punëtorët nga data 1 deri në 15 mars.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›