E Diel, 1 Nëntor 2026

PNUD e qeveria shqiptare, projekt për klimën

Qeveria Shqiptare dhe PNUD-i shpallën nisjen e projektit të “Identifikimit dhe Implementimit të Masave Përgjegjëse për Adaptim ndaj Ndryshimeve të Klimës në Deltat e Lumenjve Drini – Mati.” 

Ky projekt do të implementohet brenda kuadrit të Programit ‘Një OKB’. Ndikimi i ndryshimeve klimatike në Shqipëri pritet të shfaqet me ngritje të temperaturës, pakësimi i sasisë së reshjeve dhe rritja e nivelit të detit. Në qoftë se nuk merren masa në kohë, ky ndikim mund të çojë në vonimin e progresit që po bën vendi ynë në arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit. Nga studimet e bëra në vend janë identifikuar sektorët dhe fushat që janë më të rrezikuara ku përfshihen: burimet ujore, energjia e prodhuar nga burimet ujore, zona bregdetare, ekosistemet dhe bujqësia. Zyra qendrore e PNUD-it në Shqipëri, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe partnerët e tjerë janë fokusuar mbi aksionet e nevojshme për adaptim në zonën e Deltave të Lumenjve Drini – Mati, një zonë kjo me vlera të rëndësishme për biodiversitetin në këndvështrim global dhe kombëtar. Projekti i cili do zgjasë 4 vjet, do fokusohet mbi vulnerabilitetin e lartë në Deltat e Lumenjve Drini – Mati, që kombinohet me mundësinë e impakteve dalluese të pafavorshme për konservimin dhe ruajtjen e biodiversitetit global; identifikon një nevojë urgjente për të gjithë aktorët që të marrin në konsideratë impaktet e ndryshimeve të klimës në të gjitha planet për të ardhmen që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm në këtë zonë. Ndër të tjera, projekti synon të asistojë Qeverinë e Shqipërisë në zbatimin e strategjive për të zbutur, përballuar ndikimet e ndryshimeve të pritshme klimatike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›