E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Topit, pezullohet votimi

 

Bllokimi i votimit të dekreteve të Presidentit në Parlament detyron opozitën të bojkotojë seancën.

Opozita protestoi dje paradite për mosparaqitjen për votim të pesë emrave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Përveç opozitës, zëra pro votimit të dekreteve përfshinë demokristianët, PBDNJ-ja dhe deputeti i djathtë avokat Spartak Ngjela. Që në fillim të seancës opozita kërkoi nisjen e procedurave të shqyrtimit të dekreteve të Presidentit, por maxhoranca nuk e pranoi një gjë të tillë. Pas diskutimeve jashtë rendit të ditës, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi të dihej në mënyrë definitive se në cilën datë do të votohej për dekretet e Presidentit. “Jemi në pritje të caktimit të datës nga ana juaj për një çështje të tillë”, iu drejtua Leskaj, Topallit. Pas kësaj kërkese, kryeparlamentarja ndërpreu seancën për 15 minuta për të marrë një konsultim me krerët e grupeve parlamentare. Kryetarja e Kuvendit ka dhënë si qëndrim të sajin pas pushimit, ditën e enjte dhe të hënë për votimin e dekreteve, pra datat 19 ose 23 qershor për votimin e dekreteve në seancën e Parlamentit. Por kryetarja e grupit të PS-së, Leskaj, ka deklaruar se opozita do ta braktisë seancën, pasi nuk janë përfshirë në rendin e ditës votimi i dekreteve. PS-ja bëri të ditur se do të jetë e pranishme në Kuvend vetëm kur të votohej për dekretet e Presidentit. “Ju nuk mund të abuzoni me një gjë të tillë, gjithë kjo tymnajë që keni ngritur është një spekulim, një mashtrim, një politikë e vjetër, që realisht nuk i shkon figurës së deputetëve. E gjithë kjo është një mashtrim”, iu drejtua Topalli, opozitës. Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi deklaroi se, “ju nuk na detyroni si pakicë që maxhoranca të votojë dekretet që sot dhe se maxhoranca po respekton rregulloren me këtë proces”. Kreu i PSD-së, Gjinushi, ka deklaruar se është dhunuar e drejta e Presidentit dhe se opozita po kërkon zbatimin e rregullores së Kuvendit. “Gjithë loja bëhet për imunitetet. Qeveria është e kapur nga krimi i organizuar. Ajo do të kontrollojë Gjykatën e Lartë, Prokurorinë, Presidencën për të fshehur krimin e organizuar. Janë tejkaluar afatet dhe se të hënën dekretet e Presidentit duhet të jenë në Parlament”, tha Gjinushi. Ndërsa deputeti i maxhorancës, Spiro Peçi, kontestoi qëndrimin e mbajtur nga ana e deputetëve të PD-së në lidhje me dekretet e Presidentit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, vendimi i Gjykatës nuk ka të bëjë me tejzgjatjen e procedurave për dekretet dhe se pëlqimi jepet vetëm nëpërmjet votës së deputetëve për emrat e paraqitur. Pas shprehjes së qëndrimeve për dekret, të gjitha partitë e opozitës iu bashkuan qëndrimit të opozitës, duke bojkotuar seancën. Partitë si LSI, PSD lanë seancën në shenjë proteste për mos votimin e dekreteve në seancën e Parlamentit.

Përplasjet në Parlament

Spartak Ngjela: Ju shpreheni se a ka diskutuar presidenti me ju ose me maxhorancën për 5 dekretet. Pyetja ime është a keni diskutuar ju si maxhorancë me presidentin kur ndryshuat Kushtetutën?..

Jozefina Topalli: Por nuk besoj se do ta ketë parasysh një hakmarrje për këtë punë.

Spartak Ngjela: Mos më ndërprit se po diskutoj për kohën time në Parlament. Nëse do debat, hajde me mua në media dhe debatojmë. Votojini dekretet, nëse s’keni shumicën jepni dorëheqjen.

Jozefina Topalli: Jo, jo, s’jam duke ardhur në debat. Ishe krejt jashtë procedure. Bëhemi pjesë e debatit kur të votohen dekretet.

Fatos Beja: Do të ndryshojmë Rregulloren e Kuvendit për të saktësuar procedurat e domosdoshme, në mënyrë që institucionet në Shqipëri të jenë sa më të forta. Për këtë unë kam kontaktuar me misionin Euralius.

Spiro Peçi: U diskutua që të bëhen ndryshimet në Rregullore për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Mua nuk më duket gjë tjetër veçse për ta zvarritur pambarimisht këtë procedurë në lidhje me dekretet e paraqitura nga ana e Presidentit. Vendimi i Gjykatës nuk lë shteg që të bësh diskutime të tilla. Merita nuk mund të jetë kurrë perceptim kolektiv, ai bëhet i tillë vetëm kur voton çdo deputet dhe bashkimi i votave sjell pëlqimin e Kuvendit.

Jozefina Topalli: Të hënën për imunitetin seanca pasardhëse do të jetë çështja e dekreteve. Ju nuk mund të abuzoni me një gjë të tillë, gjithë kjo tymnajë që keni ngritur është një spekulim, një mashtrim, një politikë e vjetër, që realisht nuk i shkon figurës së deputetëve. E gjithë kjo është një mashtrim.

“Jemi me Topin, votoni dekretet”

Kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Jak Ndokaj, u shpreh pro dekreteve të kreut të shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Personalisht mendoj se debati është i panevojshëm, sepse as Kushtetuta dhe as ligjet e tjera në fuqi nuk na japin ne të drejtë t’i themi Presidentit, mos bëj më dekrete, mos merr më vendime pa na pyetur më parë, pra mos ushtro kompetencat e tua kushtetuese pa pyetur grupet parlamentare të dy partive të mëdha. Kjo këshillë nuk është as e arsyeshme dhe as profesionale”, tha Ndokaj. Ai shtoi se, “grupi demokristian e ka parë listën e gjyqtarëve dhe shohim se kemi emra shumë dinjitozë, personalitete që përfaqësojnë shtresën e ish-të përndjekurve politikë, që kanë përfaqësuar Shqipërinë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të KLD-së”.

Mustafaj: Kuvendi në kolaps, të vijnë dekretet

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputet i PD-së, Besnik Mustafaj, tha dje se Parlamenti ndodhet në kolaps dhe në një situatë të padëshirueshme. Ai i kërkoi Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të vijnë për votim sa më shpejt pesë dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë. “Aktualisht Parlamenti është në një kolaps shumë të padëshirueshëm dhe shumë i dëmshëm edhe për imazhin e Parlamentit, por edhe për fatin e ligjeve, dekreteve që duhet të votohen. Unë mendoj se tashmë është vonë të merremi me faktin nëse janë bërë gabime apo jo gjatë rrugës për të ardhur deri këtu. Tashmë ne duhet të shohim në mënyrë shumë serioze dhe të kërkojmë daljen nga ky kolaps, nga ky ngërç”, tha Mustafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›