E Diel, 1 Nëntor 2026

Grevistët, me mjekë privatë

Autoritetet e Shëndetësisë deklarojnë se kanë mbuluar me shërbim shëndetësor deputetët socialistë që kanë hyrë në grevë vetëm ditën e premte. Pëllumb Pipero, drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë u shpreh se deputetët socialistë i kanë mbuluar shërbimet shëndetësore nëpërmjet mjekëve të tyre private, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka vënë në dispozicion të tyre shërbim shëndetësor, pasi sipas Piperos, greva është e paligjshme. "Autoritetet e shëndetit të Tiranës kanë vënë në dispozicion të tyre tre autoambulanca të pajisura me personel mjekësor dhe mjete të nevojës urgjente për të tilla raste. Ndërkohë pas përfundimit të protestës dhe fillimit të grevës së urisë, ne menjëherë kemi marrë kontakt me autoritetet drejtuese të grevës së urisë. Është e pamundur që një ekip mjekësh që janë në cilësinë e vullnetarit aty, mund ta mbulojnë një grevë urie të këtyre përmasave me kapacitetet e tyre dhe njëkohësisht u deklaruam se shëndeti i tyre është përgjegjësia jonë në këtë rast. Ju këshilluam që gjithsesi ata duhet të bëjnë dhe një verifikim të personave që kanë në grevë urie, sa prej tyre kanë sëmundje kronike dhe këto të na i japin, sepse ndryshe shkon shëndeti me një të sëmurë në grevë urie, dhe ndryshe shkon shëndeti për një person të shëndoshë", - tha Pëllumb Pipero. Të njëjtën gjë ka konfirmuar për Alsat edhe drejtori i urgjencës së Tiranës, Dritan Koçia, i cili u shpreh se urgjenca është në gatishmëri, por vetëm nëse vjen një kërkesë zyrtare, mjekët e saj do të ndërhyjnë për ti mbuluar me shërbim mjekësor deputetët grevistë të opozitës. Drejtoresha e autoritetit rajonal shëndetësor për Tiranen u shpreh se deputetët socialistë vetëm për ditën e premte kanë paraqitur një kërkesë zyrtare nëpërmjet zotit Besnik Bare dhe shërbimi mjekësor ka qenë i garantuar për 24 orë, ndërkohë që për ditët e tjera shërbimi mjekësor nuk mund të jepet pa një kërkesë zyrtare. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e deputetëve socialistë në dy ditët e para të grevës së urisë ka qenë e mirë dhe pa probleme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›