Grevisti: Do rikthehem te shokët edhe sikur të vdes
"Do të rikthehem në grevë pranë shokëve të mi. Më i rrezikshëm se vdekja është kryeministri që vjedh votat e shqiptarëve". Kështu u shpreh për gazetën Demo Muhaj, grevisti i cili u detyrua të linte grevën ditën e djeshme për shkak të kushteve të rënda shëndetësore. Megjithëse mjekët pohuan se grevisti ka shfaqur probleme kardiake Muhaj theksoi se nuk do ta ndalojë asgjë për tu rifutur në grevën e urisë.
Ndërkohë, deputetë të Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi dhe Eduard Shalsi, së bashku me të afërmit e grevistit Demo Muho, kanë ndjekur të shqetësuar ecurinë e situatës shëndetësore të grevistit. Gjithashtu, në pavijonin ku gjendej i shtruar grevisti Demo Muhaj është shfaqur edhe drejtori i Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Ilir Dashi, i cili ka vizituar pacientin. Grevisti
Janë mbledhur të gjithë rreth shtratit ku qëndron Demo Muhaj për ta bindur se shëndeti i tij nuk mundet ta përballojë sërish grevën. Madje, as këshillat e mjekëve dhe të afërmëve nuk e bindin atë të heqë dorë nga greva e urisë apo beteja për të fituar të vërtetën siç e quan ai. "Jap fjalën se do të kthehem pranë shokëve të mi në grevë edhe sikur ta di se do vdes.
Këtu bëhet fjalë për parime, për votën e lirë të popullit. Besoj se ka ardhur koha që njerëzit të dinë se për kë votojnë dhe vota e tyre nuk duhet të vidhet siç ka ndodhur deri më sot", - thekson Demo Muhaj.
Grevisti është shtruar fillimisht në pavijonin e Infektivit, ku ka marrë edhe ndihmën e parë mjekësore. Më pas, janë konstatuar probleme kardiologjike dhe ekipi mjekësor e ka transportuar atë në pavijonin e dytë të kardiologjisë, ku edhe ka marrë ndihmën mjekësore. Me gjithë problemet shëndetësore, miqtë e tij nuk e kanë bindur që të heqë dorë nga greva.
Vizitorët
Pavijoni i Kardiologjisë në QSUT duket i mbushur me njerëz dhe fare pranë derës së grevistit presin radhën secili për t'u futur në dhomën e tij. Deputetet e PS-së, Ermelinda Meksi dhe Eduard Shalsi nuk reshtin së biseduari me stafin mjekësor për gjendjen shëndetësore të grevistit.
Pasi qetësojnë të atin e grevistit për situatën, futen në dhomën e të sëmurit për ta pyetur nëse ndihet më mirë. Ndërkohë, edhe kreu i QSUT-së, Ilir Dashi, shfaqet në pavijonin e Kardiologjisë për të takuar grevistin, por nuk ka lënë mënjanë as deputetët e PS-së, me të cilët ka biseduar për disa minuta.
Në spitalin Infektiv është krijuar një ambient i vçantë vetëm për grevistët
Dashi, urdhër shefave: Bëni gati dhomat për grevistët
TIRANË - Të gjithë shefat e pavijoneve në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" do të jenë në gjendje gatishmërie dhe çdo pavijon do të rezervojë dy deri në tre shtretër për grevistët, duke u ofruar ndihmën mjekësore.
Ndërkohë, edhe në Spitalin Infektiv është krijuar një ambient i vçantë, ku do të priten të gjitha rastet, me shtretër ekzaminues dhe më pas hospitalizues. Sipas urdhrit të drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi, të gjithë personat, të cilët do të transportohen nga çadrat e grevës së urisë drejt QSUT-së, do të priten në këtë ambient për të marrë ndihmën e parë.
"Detyrat për shefat e pavijoneve do të fillojnë nga Departamenti i Laboratorit dhe Imazherisë që të marrin masat për t'ju përgjigjur çdo kërkese, për ekzaminime gjatë 24-orëve. Shërbimet e Sëmundjeve të Brendshme, Shërbimet e Kirurgjisë, Shërbimi i Mjekësisë Interne dhe Shërbimi Infektivit, do të rezervojnë shtretër për çdo pavijon, në funksion të grevës", - thuhet në urdhrin e drejtorisë së QSUT-së, duke shtuar se shefat e Shërbimeve duhet të sigurojnë urgjentisht prezencën e personelit shtesë, përfshirë mjekë, kryeinfermierë, infermierë.
MSH: Lejoni mjekët të futen brenda grevës
TIRANË- Ministria e Shëndetësisë vë në dukje se dhënia e një kujdesi shëndetësor cilësor për grevistët është e domosdoshme si dhe përbën një detyrim ligjor ndaj dhe shpreh shqetësimin e saj për mos lejimin e autoriteteve shëndetësore shtetërore për të ofruar shërbim shëndetësor të kualifikuar brenda mjediseve të grevës.
Kështu u shprehën dje burime zyrtare të dikasterit të Shëndetësisë sipas të cilëve pas komunikimeve zyrtare dhe publike, dje i bënë edhe njëherë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama që t'i lejojë autoritetet shëndetësore shtetërore që të japin ndihmën mjekësore në brendësi të grevës.
Sipas tyre, monitorimi i shëndetit të grevistëve është një detyrim i patjetërsueshme si dhe përbën një përgjegjësi ligjore e cila duhet ushtruar në mënyrë profesionale ndaj dhe Ministria e Shëndetësisë konfirmon edhe njëherë gatishmërinë për ta përmbushur këtë përgjegjësi.