E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 5 të rinjve, përdorën një peshkatar si tabelë qitjeje

ELBASAN/ Të ndaluarit e moshës 14-25 vjeç kanë pranuar krimin e kryer duke u shprehur se gjithçka ishte një lojë


ELBASAN- Pesë të rinj rezultojnë autorët e vrasjes së 50-vjeçarit Dylaver Peqini 16 ditë më parë në 21 prill. Komisariati i Elbasanit, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit dhe organet e specializuara të hetimit, ka arritur të zbardhë versionin e kësaj ngjarjeje, si dhe 5 autorët.


Mësohet se 50-vjeçari është përdorur si tabelë qitjeje nga të rinjtë gjatë një loje me armë dhe njëri prej tyre ka qëlluar plumbin fatal që i ka marrë jetën banorit të lagjes "Beqir Dardha" që kishte shkuar të peshkonte në lumë. Pasi janë marrë në pyetje dhe kanë pranuar krimin, të rinjtë kanë treguar se çfarë kishin bërë duke thënë edhe se ka qenë një lojë që më pas është kthyer në një vrasje.


Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në sajë të punës disaditore dhe marrjes në pyetje të shumë personave dhe të dëshmitarëve është arritur të finalizohet edhe operacioni i mbiquajtur "Peshkatari".


Nëpërmjet të dhënave dhe provave është bërë i mundur arrestimi i pesë autorëve të ngjarjes së ndodhur më 21 prill të kë tij viti në vendin e quajtur Byshek. Autorët mësohet se kanë qëlluar me një armë zjarri tip automatik nga zona e Krastës për në anën tjetër të lumit ku ndodhej duke peshkuar Peqini.


Ata kanë provuar të qëllojnë me radhë dhe një prej të shtënave e ka zënë 50-vjeçarin afër zemrës duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 5 të rinjtë, banorë të lagjes Shënkoll, që ndodhet në pjesën fundore të qytetit në afërsi të lumit Shkumbin janë larguar me shpejtësi, por nuk kanë pastruar të gjithë provat.


Arrestimi


Janë arrestuar një ditë më parë 5 të rinj përkatësisht Kozma Beti, 20 vjeç. lindur në fshatin Lisnaj dhe me banim në lagjen "Emin Matraxhiu" në vendin e quajtur Krastë e Vogël, A.XH 16 vjeç me banim në të njëjtën lagje me vendlindje fshatin Qerret të komunës Labinot Mal, Z.H 15 vjeç lindur në fshatin Griqan me banim në Krastë, Ariston Jolla 25 vjeç dhe G.E 14 vjeç me banim po në të njëjtën zonë. Konfirmohet se të 5 të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë shtetasin Dylaver Peqini.


Autorët e kësaj ngjarjeje kanë konsumuar veprat penale "vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim" dhe "armëmbatje pa leje". Nga ana e policisë janë bllokuar në cilësinë e provës gëzhojat e qëlluara nga arma. Të rinjtë janë duke u marrë për pyetje mbi vendndodhjen e armës, të cilën mendohet se e kanë hedhur në lumë pasi kanë kryer krimin.


Adoleshentët: Ishte lojë

Dëshmia tronditëse e adoleshentëve që kishin vendosur të provonin shenjestrën mbi një njeri ka qenë tronditëse. Ndërsa kanë pranuar krimin, ata kanë thënë se kanë qenë të gjithë bashkë duke provuar një kallashnikov, ndërsa kanë parë në anën tjetër të lumit një peshkatar.


Atëherë në një formë sfide kanë nisur me njëri-tjetrin diskutimet se kush mund ta qëllonte nga ajo largësi peshkatarin. Atëherë kanë filluar provat dhe ndërsa kanë qëlluar, njëri prej tyre e ka shtrirë për tokë 50-vjeçarin që nuk kish kuptuar se të shtënat nga krahu tjetër i lumit ishin në drejtim të tij dhe të mund të mbrohej.


Ky është edhe version zyrtar i policisë për këtë ngjarje. Të rinjtë që kishin përfshirë në grupin e tyre edhe të mitur janë "tradhtuar" nga dëshmia e tyre, si dhe nga dëshmitarë të tjerë që kishin parë më parë edhe një lojë me armë të tyre.


Të ardhur nga zona të ndryshme të qytetit dhe të vendosur pikërisht në afërsi të repartit ushtarak të Krastës ata mbanin të fshehur një kallashnikov të cilin e përdornin duke qëlluar në hapësirën e lumit. Këtë herë kishin vendosur të kishin një tabelë qitjeje një njeri dhe qëllimi në shenjë i ka kushtuar atij jetën.


21 prill 2010


Një 50-vjeçar i zhdukur prej dy ditësh u gjet i vdekur në ujërat e lumit Shkumbin në afërsi të fshatit Byshek në rrethin e Elbasanit. Dylaver Peqini, 50 vjeç, me banim në lagjen "Beqir Dardha" kishte shkuar për peshk dy ditë më parë dhe nuk ishte kthyer më në shtëpi. Familja dhe vëllezërit e tij pasi kanë pritur kthimin, një ditë më parë kishin lajmëruar policinë.


Trupi i pajetë u gjet në anë të lumit Shkumbin rreth 1 km larg Urës së Shkumbinit. Fillimisht u deklarua se 50- vjeçari ishte mbytur. Gjatë ekspertizës është zbuluar se ai kishte një plagë afër zemrës dhe pas verifikimit të mjekut ligjor rezultoi se plaga ishte shkaktuar nga një plumb.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›