E Diel, 1 Nëntor 2026

Grima: Të përqendruar në Kupë, por larg pazareve

Vllaznia Kapiteni i shkodranëve beson te qëndrimi korrekt edhe në kampionat

Fitorja minimale me Laçin ka bërë që Vllaznia të mendojë më e qetë për sfidën e radhës në Kupën e Shqipërisë. Shkodranët e drejtuar nga Edi Martini do të luajnë të mërkurën në Durrës, në sfidën e parë të vlefshme për gjysmëfinalet e aktivitetit të dytë për nga rëndësia. Kapiteni Admir Grima thekson se, për mënyrën sesi kanë rrjedhur ngjarjet në këtë sezon, Kupa është objektivi kryesor i kuqebluve, por pa harruar edhe kampionatin. “Natyrisht që Kupa është objektivi ynë. Jemi në gjysmëfinale dhe kemi një shans të mirë që ta fitojmë këtë aktivitet. Fitorja e fundjavës me Laçin në kampionat na ndihmon që të jemi më të qetë për ndeshjen e parë përballë Teutës. Synimi ynë kryesor është që të mos pësojmë gol në këtë përballje, për të luajtur më të qetë në ndeshjen e kthimit (më 7 prill), ku do të shfrytëzojmë faktorin fushë”, deklaroi numri 1 i portës së Vllaznisë. “Jemi në javët e fundit të sezonit dhe në këtë sprint final kërkohet sakrifica e të gjithëve. Duhet të mendojmë për ndeshjet njëra pas tjetrës dhe të evitojmë euforinë. Për ne ka shumë rëndësi Kupa, por kjo nuk do të thotë se do të tolerojmë në kampionat”.

Në dy javët e fundit, tani që lufta për mbijetesë është “nxehur”, në Kategorinë Superiore janë ngritur mjaft dyshime për tolerime. Më të përfituarat kanë qenë skuadrat e vendeve të fundit, mbi të gjitha Skënderbeu dhe Kastrioti. Grima theksoi se Vllaznia nuk është bërë dhe nuk do të bëhet pjesë e këtyre “pazareve”, por do të qëndrojë korrekte deri në fund. “është përfolur shumë për ndere apo pazare, por Vllaznia nuk ka qenë pjesë e tyre dhe nuk do të bëhet. Ne vazhdojmë sezonin tonë, kemi një rrugë për të ndjekur dhe do japim maksimumin”, shtoi “gardiani”. Në fundjavë shkodranët luajnë në kryeqytet me Tiranën, skuadrën përballë së cilës gjatë edicionit të kaluar humbën titullin. “Nuk mendoj se është momenti për të menduar për kampionatin. Përpara kemi një ndeshje të rëndësishme me Teutën. Edhe sfida me Tiranën ka vlerën e saj, por puna për ndeshjen e fundjavës do të fillojë vetëm pas gjysmëfinales së parë të Kupës”, përfundoi Grima.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›