Grindet me kushëririn, e godet me kosën e barit
Dy kushërinj janë grindur me njëri-tjetrin për motive banale dhe njëri prej tyre i ka dhënë fund konfliktit duke përdorur kosën e barit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.30 të së mërkurës, në fshatin Xibrakë të Komunës Shalës, rreth 30 km larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy kushërinjtë Taulant dhe Shaban Baha janë grindur mes tyre dhe Shabani, në gjendje të dehur, ka marrë kosën e barit dhe ka sulmuar me të 21-vjeçarin. Ndërkohë, burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se ka filluar procedimi penal në ngarkim të 47-vjeçarit Shaban Baha, banues në fshatin Xibrakë. Mësohet se i riu është goditur në pjesën e sipërme të këmbëve. 21-vjeçari Taulant Baha, banues po në fshatin Xibrakë, është dërguar me urgjencë për në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, ku është vënë nën kujdesin e bluzave të bardha. Ndërkohë materialet u kanë kaluar organeve kompetente për hetime të mëtejshme.