Qëllon me armë kuturu dhe vetëvritet në mes të njerëzve
Qëllon me armë zjarri duke krijuar panik te qytetarët dhe më pas i jep fund jetës duke qëlluar veten në kokë me plumbin e fundit. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë në lagjen "Kiras" në vendin e quajtur Rruga e Gjerë në Shkodër. Mësohet se 50-vjeçari Ahmet Et‘hemi në gjendje të dehur ka nxjerrë një pistoletë që e mbante pa leje dhe ka nisur të qëllojë me të në ajër. Sipas dëshmitarëve okularë, të shtënat nuk kanë qenë vetëm në ajër, pasi personi në fjalë, duke mos i kontrolluar lëvizjet, ka shkrehur armën në të gjitha drejtimet, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve të rastit. Pas disa minutash, Et‘hemi është futur në ambientet e brendshme të një lokali dhe në atë moment ka qëlluar veten me një plumb në kokë. Plumbi i fundit i pistoletës ka qenë vdekjeprurës për 50-vjeçarin. Ndërkohë policia e mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta pas ngjarjes, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit tip pistoletë që viktima mbante pa leje. Ndërkohë, trupi pa jetë është dërguar për në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës. Sipas policisë, mësohet se viktima njihej si person që pinte herë pas here dhe vuante nga depresioni nervor. Për të sqaruar detaje të tjera të ngjarjes, policia ka marrë në pyetje disa dëshmitarë okularë, si edhe familjarët e 50-vjeçarit të vdekur.