E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia, pyetjet jashtë programit orientues

Ndonëse provimi i parë i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i gjuhës dhe letërsisë, në dukje kaloi normalisht dhe pa shënuar incidente, pakënaqësitë kanë nisur menjëherë më pas. Tejet të shqetësuar shprehen gjimnazistët, të cilët të klasifikuar në profilin shoqëror u përballën me një tezë që, sipas tyre, përmbante një pjesë jashtë programit orientues të dërguar në shkolla nga ana e Ministrisë së Arsimit. E ndërsa ata e ndiejnë veten të penalizuar, sqarojnë se në programin orientues të MASH-it ishte përcaktuar në mënyrë të përgjithshme "Vargje të lira" nga Migjeni. Ndërkohë që, ata pretendojnë se nuk ka qenë e specifikuar pjesa "Baladë qytetëse" e këtij autori. Lidhur me këtë, shprehen se ata i kanë kushtuar më tepër vëmendje "Poemës së mjerimit" që edhe gjatë zhvillimit të orëve të mësimit ka qenë më e diskutuara, se sa kësaj pjese, që është e panjohur për një numër të konsiderueshëm të rinjsh. Edhe disa mësues të lëndës së letërsisë në gjimnaze pohojnë se jo të gjithë nxënësit e kanë lexuar këtë pjesë, ndaj dhe në provim përgjigjet i kanë dhënë me përafërsi. Ata e konsiderojnë jo si një zgjidhje të mençur nga ana e përzgjedhësve të tezave, pasi për ta mundësitë nuk kanë munguar që të zgjidhnin pyetje që janë zhvilluar qartë në përputhje me programin e përcjellë nga Ministria e Arsimit. Nga ana tjetër, mësuesit e letërsisë shtojnë se kjo pjesë është trajtuar në vitin e dytë të shkollës së mesme, por nuk është se ka pasur një peshë të madhe si tema të tjera. Ata përpiqen që ta përligjin këtë qëndrim me faktin se nga këto provime varet e ardhmja e këtyre të rinjve dhe përveç presionit të madh në këtë periudhë decizive, atyre u duhet dhënë një shans që përzgjedhjet e pyetjeve të jenë nga ato për të cilat ata janë përgatitur me seriozitet.

Nga ana tjetër, një tjetër pikëpyetje është ngritur mes vetë arsimtarëve të lëndës së letërsisë edhe lidhur me kriteret përzgjedhëse të vlerësuesve të testeve. Këta konsiderohen si një element kyç në zhvillimin normal të procesit të maturës, por edhe në dhënien e hakut të gjithsecilit. Por hakun e saktë e japin profesionistët e zotë. Pikërisht, lidhur me këtë fakt, ndonëse është folur shumë për vlerësues të përzgjedhur, sërish kolegët e tyre janë ata që ngrenë pikëpyetjet: a u zgjodhën vërtet më të mirët, apo u përzgjodhën ata që duheshin shpërblyer?

Lidhur me procesin e ankimit të rezultateve prej të rinjve të pakënaqur që do të kërkojnë rishikimin e tezave të tyre, një tjetër problem është ai i shumës së lartë që do të detyrohen ata të paguajnë këtë vit. Plot 16 mijë lekë të vjetra për të riparë testin personal dhe që më pas të mund të kryhet ankesa.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›