E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Besimi ndaj bankave, nevojitet një mirëmenaxhim

Një drejtim më i mirë i bankës do të rrisë padyshim besimin ndaj saj. Ky ëhstë koncepti i ri që Banka e Shqipërisë kërkon të fusë në sistemin bankar në vend, duke marrë shkas nga perceptimi disi jo pozitiv që konsumatori ka në këto kohë krize. Për këtë arsye, pak kohë më parë u miratua rregullorja "Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre", u hartua në zbatim të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë".

Drejtimi i përgjegjshëm i bankave sot njihet si një mjet i fuqishëm për të krijuar besim dhe siguri në një institucion. Ligji "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", sjell plotësimin dhe qartësimin e përgjegjësive të strukturave drejtuese të bankave, ndërkohë që zhvillimet e reja dhe tendencat e sistemit tonë bankar, rritja e aktivitetit të kreditimit, futja e produkteve të reja dhe në përgjithësi rritja e kompleksitetit të bankave, gjë që çon në rritjen e profilit të rrezikut për bankat, bëhen shtysë për prezantimin e koncepteve dhe praktikave bashkëkohore të drejtimit të bankave.

"Në këtë kuadër kjo rregullore vë theksin në përgjegjësitë dhe detyrat e rëndësishme që strukturat drejtuese të bankave kanë për sigurimin që institucionet e tyre të operojnë në mënyrë të sigurt dhe të shëndoshë", pohon Banka e Shqipërisë.

Sipas anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të cilët dhanë votën pro, "rregullorja e miratuar është një plotësim i rregullores ekzistuese ku përcaktohen kriteret bazë për një drejtim të përgjegjshëm dhe efektiv të bankave dhe degëve të bankave të huaja, kriteret që duhet të plotësojnë administratorët e bankave dhe degëve të bankave të huaja, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për miratimin e tyre nga Banka e Shqipërisë". Gjithashtu, kjo rregullore përcakton kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm në rastin e lidhjes së marrëveshjeve me të tretët për ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive në lidhje me administrimin dhe drejtimin e bankës.

Depozitat, në rritje

Gjatë muajit prill, depozitat në banka u rritën me mbi 3 miliardë lekë, kundrejt muajit mars. Për herë të parë pas 6 muajsh rënie, depozitat në banka kanë nisur të rriten sërish. Krahasuar me prillin e vitit të kaluar, depozitat në banka janë 1 për qind më të ulëta, kjo për shkak të tërheqjeve masive që ndodhi sidomos në muajt e fundit të 2008. Ndërkohë që në tetor, kur kriza globale ishte në kulmin e saj, depozitat ranë me 26 miliardë lekë krahasuar me një muaj më parë, në nëntor ranë me 14 miliardë lekë dhe në dhjetor me 8 miliardë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›