E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, 14 mijë të sëmurë në ditë

TIRANE-Vendi është në prag të një epidemie gripale, ku numri i personave të prekur nga gripi stinor shkon në 14 mijë të sëmurë. Ndërkohë që më të rriskuarit mbeten fëmijët, të sëmurët kronik moshat e treta dhe gratë shtatzëna.
Mbi 320 fëmijë të prekur nga virozat e stinës janë paraqitur në spitalin pediatrik pranë QSUT-së, për të marrë përkujdesje mjekësore në harkun kohor të 24 orëve. Ky numër i lartë justifikohet me mbylljen e poliklinikave dhe ambulancave në të gjithë qytetin e Tiranës, përgjatë ditëve të festave. Zv/drejtori i spitalit pediatrik Ariel Como këtë prurje e konsideron normale, duke marrë parasysh të njëjtën periudhë të viteve të shkuara.
Kryesisht fëmijët të cilët janë të prekur nga virozat e stinës, paraqiten me temperature të lartë, të vjella dhe diarre. Ndërsa të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik flasin për rreth 14 000 raste me viroza stinore në të gjithë vendin, prej të cilëve pjesa e madhe i përkasin simptomave të infeksioneve respiratorë të sipërme.

Kujdes, sipas mjekëve, duhet të bëjnë dhe të sëmurët kronikë, të cilët rekomandohet të marrin vaksinën. Nga të dhënat e QSUT bëhet e ditur se në shërbimin kardiak paraqiten çdo ditë rreth 100 pacientë me viroza stinore dhe rreth 80 në shërbimin e Infektivit. Mjekët këshillojnë gjithashtu përdorim me kriter të antibiotikë, të përshkruar vetëm nga mjeku, në rast të prekjes nga sëmundja, si dhe përdorimin e lëngjeve të frutave dhe çajet e shumëllojshme me prejardhje bimore, që japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›