Defekt në rrjet, qyteti i Vlores pa ujë të pijshëm
VLORË - Një defekt i rëndë i shënuar mbrëmjen e së mërkurës në një prej tubacioneve kryesore të ujësjellësit në lagjen "10 Korriku", ka lënë pa ujë të pijshëm gjysmën e qytetit të Vlorës. Mësohet se specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit ndërprenë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, furnizimin me ujë të pijshëm për të mundësuar riparimin në kohë të defektit. Problemet në rrjetin e tubacioneve janë konstatuar kohë më parë. Sipas specialistëve, defektet kanë ardhur si pasojë e amortizimit të plotë të rrjetit të ujësjellësit. Ndërkohë, punonjësit e ndërmarrjes në fjalë kanë vazhduar punimet për gjatë gjithë ditës së djeshme për riparimin e defektit dhe kthimin e ujit të pijshëm në çezmat e qytetarëve vlonjatë. Sipas drejtuesve të Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Vlorës, problematikat që hasen në rrjetin e ujit të pijshëm janë të përditshme. Ata pohojnë se zgjidhja përfundimtare e këtij problemi do të jetë vendosja në funksionim në fund të këtij viti, e rrjetit e ri të ujësjellësit në qytetin bregdetar. Nga ana tjetër, banorët janë të indinjuar nga defektet e shumta që ndodhin në rrjetin e ujësjellësit. "Është e padurueshme të mos furnizohesh me ujë të pijshëm gjatë gjithë ditës. Sa herë shënohen defekte në rrjet, punimet për riparimin e tyre zgjasin për orë të tëra. Ne jemi taksapagues të rregullt, ndaj duhet të merren masa për zgjidhjen e këtij problemi", - shprehen banorët e qytetit bregdetar.
(d.b/GSH/BalkanWeb)