E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, brenda ditës vdesin dy të infektuar

ISHP: Pacientët, një 47-vjeçare dhe një 53-vjeçar, që të dy nga Shkodra

Numri i personave të infektuar në vend arrin në 310

Vetëm brenda pak orësh të ditës së djeshme gripi i derrit ka shënuar dy viktima në vend. Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar zyrtarisht se viktimat janë dy persona të infektuar, një 47-vjeçare dhe një 53-vjeçar, që të dy nga qyteti i Shkodrës. Bilanci i personave të vdekur nga ky virus në vendin tonë deri tani është tre.

Rastet

Specialistët sqarojnë se 47-vjeçarja vuante prej kohësh nga hipertensioni në mushkëri dhe hiperobeziteti dhe së fundmi ishte prekur dhe nga virusi i rrezikshëm i gripit. Rreth mesditës së djeshme u mësua se viktima e parë për ditën e djeshme me A/H1N1 është një 47-vjeçare nga Shkodra, që vuante nga patologji të tjera. Prej 5 ditësh 47-vjeçarja, emri i të cilës nuk bëhet ende i ditur, ishte shtruar në sanatoriumin e Tiranës pasi gjendja e saj ishte rënduar së tepërmi. 47-vjeçarja që vuante prek kohësh nga hipertensioni në mushkëri dhe hiperobeziteti ishte prekur dhe nga virusi i rrezikshëm i gripit. Gruaja me sëmundje kronike në mushkëri nuk mundi t’i bënte ballë virusit A/H1N1 dhe humbi jetën dje në mjediset e sanatoriumit. Pak pas pasdites, Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi viktimën e tretë në vend, sërish nga Shkodra.

Bëhej fjalë për një 53-vjeçar me iniciale R. SH., që ndodhej prej datës 6 dhjetor në spitalin e Shkodrës dhe po kurohej nga gripi i tmerrshëm, pasi u konfirmua nga analizat se ishte prekur nga ky virus. 53-vjeçari humbi jetën dje dhe mjekët dyshojnë se vdekja është shkaktuar nga virusi A/H1N1. Mësohet se pacienti vuante nga pneumonia masive bilaterale, ndërsa është trajtuar prej 5 ditësh me tamiflu.

Viktimat e shënuara dje vijnë pas rastit më 3 dhjetor me vdekjen e një 57-vjeçari nga Sukthi i Durrësit. Edhe kjo viktimë, e para në vend, vuante prej shumë kohësh nga tumori beninj i prostatës si dhe kishte kaluar edhe infarkt miokardi të një forme të rënduar, megjithatë shkaku i vdekjes së tij ka qenë infeksioni me virusin A/H1N1.

Gripi

Gripi i derrit tashmë është evident në vendin tonë. Deri më tani numërohen 310 persona të prekur nga virusi A/H1N1. Duke sjellë në vëmendje se rrezikshmëria e infeksionit nga virusi i ri pandemik A/H1N1 është veçanërisht e lartë te pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive apo dhe me tumore, Ministria e Shëndetësisë këshillon "të gjitha grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga OBSH-ja dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist në çdo rast që kanë shenjat klinike qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi, siç jeni në dijeni, rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë. Ministria këshillon gjithashtu shmangien në maksimum të mjediseve të mbifrekuentuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›