E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë: ǒtë keqe ka...?



Dialog mes një opozitari dhe një studiuesi

Opozitari: Opozita jonë kërkon hapjen e kutive. Mazhoranca nuk pranon. ǒtë keqe ka të hapen kutitë?

Studiuesi: Të rihapen kutitë e votave!?

Opozitari: E, të rihapen. Po, ç’të keqe ka?

Studiuesi: Edhe kutitë e materialeve të votimit!?

Opozitari: Edhe ato. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Kutitë janë hapur një herë. Votat e çdo kutie janë numëruar nga 4 numërues, dy për çdo palë në një tryezë numërimi. Secila tryezë është vëzhguar nga 4 e më shume vëzhgues nga të dyja palët. Drejtuesit lokalë të çdo partie kanë vëzhguar gjithashtu numërimin e votave të çdo kutie. Këta e dinin me shumë përafërsi se sa vota prisnin për partinë e tyre nga çdo kuti e çdo fshati a lagjeje. Për çdo kuti ka pasur një duzinë e më shumë palë sy. Do t’i kishte rënë në sy ndonjërit që në kutinë X numri i votave ishte tej rezultatit të pritshëm ose nuk përputhej me atë çka dilte në ekranin e vënë në sallë për atë tryezë numërimi. Kjo vlen për çdo tryezë numërimi e për çdo kuti, në çdo qendër numërimi. Ka pasur edhe plot vëzhgues shqiptarë e të huaj. Në raportin e tyre këta thanë se “... nuk pati asnjë provë të numërimit të parregullt ose të manipulimit të rezultateve...”

Opozitari: Po, por opozita jonë kërkon të rihapen kutitë dhe të rivlerësohen e rinumërohen votat. Dyshojmë se ushtria jonë ose ka qenë syleshe ose është blerë. S’kemi prova për këtë, por ç’të keqe ka të rihapen kutitë e të rinumërohen votat?

Studiuesi: Cilat kuti të hapen? Sa kuti?

Opozitari: Të gjitha kutitë. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Janë mbi 4800 kuti të votave dhe po aq të materialeve të votimit. Të rihapen të gjitha!?

Opozitari: Të gjitha! Të gjitha! Të hapen aty, para një komisioni me deputetë, shumica tanët. Të shihet çdo votë. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Anëtarët e komisionit të shohin çdo votë!?

Opozitari: Po, një për një. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Për 8 kutitë e Fierit KQZ-së iu deshën 12 orë për t’i rihapur e rinumëruar. Me llogaritje të thjeshtë, hapja e të gjitha kutive dhe rinumërimi i të gjitha votave, një për një, në sytë e komisionit parlamentar, do të kërkonte të paktën 3 vite pune të përditshme. Pa lëvizur nga vendi. Se po të kenë nevoja personale a të sëmuret ndonjëri, procesi ndërpritet se lindin dyshime. Kaq vite nëse s’do ketë kundërshtime për ndonjë votë. E nëse do diskutojnë e kundërshtojnë mundet të mos mbarojnë asnjëherë. Kush e di se sa e si do zihen mes tyre! Është imja a është jotja!? Edhe tifozët e të dyja palëve pas tyre! Edhe i gjithë populli para ekraneve! Për disa vite rresht. Ditë për ditë. Natë për natë nëpër emisione debatesh po ashtu. Edhe Rama aty, pa lëvizur, se ka mundësi t’i rilindë dyshimi ke të vetët e kërkon nisjen nga e para te rinumërimit pastaj. Natyrisht edhe Berisha për pasojë. Atëherë, të hapen të tëra!?

Opozitari: Për hir të transparencës të hapen të tëra. Qoftë edhe nëse kjo kërkon një shekull. Vetëm e vërteta të dalë. Megjithatë, e vërteta e vonuar është e vërtetë e munguar. Ndaj rihapja dhe rinumërimi të bëhet me disa grupe numërimi. Kështu koha shkurtohet.

Studiuesi: Me një grup numërimi 3 vite sikur gjërat të shkojnë vaj. Me 3 grupe 1 vit. Me 6 grupe 6 muaj. Me 12 grupe 3 muaj. Me 36 grupe 1 muaj. Me 144 grupe numërimi 1 javë. Çilen metodë do zgjidhnit?

Opozitari: Të zgjedhin ç’të duan vetëm t’i hapin! E mira është sa më shpejt! Po kjo me 144 grupe bëhet njësoj si më 28 qershor në fakt. Ndaj, le të bëhet me 36 grupe për një muaj.

Studiuesi: Me 36 grupe njëherësh!? OK. Pra besimi për rinumërimin korrekt do t’u delegohet numëruesve të çdo grupi. Afërmendsh që anëtarët e komisionit parlamentar në një moment kohe mund të shohin vetëm një votë. S’mund të shohin 36 vota njëherësh që rivlerësohen në të njëjtin moment nga 36 kuti. Sytë në një pikë fiksohen. Edhe tifozët, edhe populli para TV-rave po kështu. A nuk mund të lindë dyshimi në korrektësinë e këtij numërimi të dytë? Ku ka delegim, ka dyshim. Pse këta numëruesit e dytë do të jenë më korrektë e më të besueshëm se të parët!? Pse liderët dhe popujt “opozitarë” dhe “pushtetarë” do besojnë këta të dytët!?

Opozitari: Të parët ishin syleshë dhe na i blenë. Të dytët janë të sigurt. S’i ke parë sa të vendosur janë në mitingjet tona. Kemi plot për të zgjedhur tani mes tyre. Trima dhe besnikë të vërtetë. Luftojnë për ideal e jo për pushtet si ata te 28 qershorit!

Studiuesi: Po edhe për të parët kështu thatë, që janë syçelë e të sigurt! Edhe këta në mitingje dilnin. Pastaj, a të kujtohet se mosmarrëveshjet filluan në momentin kur filloi të qartësohej rezultati? Gjithnjë sherret në numërim në këtë moment kanë filluar. Tani rezultati është i qartë. Edhe qëllimi i palëve është i qartë. Njëra kërkon të mbrojë rezultatin e 28 qershorit, tjetra kërkon të vërtetojë se ia kanë vjedhur votat. Me këto synime sherri do shtrohet këmbëkryq që në fillim e do vazhdojë në çdo moment. Të zezës do t’i thonë të bardhë dhe anasjelltas. Do duhet një skalion i dytë të ndajë sherret për çdo votë. Po edhe këta do hyjnë në sherr. Do duhet një skalion i tretë. Në sherr edhe këta. Në fund do duhet që sherret t’i ndajnë Rama dhe Berisha. Për çdo votë. Pra aty duke numëruar të dy, natë e ditë. Po këta për sherr e kanë mendjen vetë e po fusin të tjerët në sherr. Edhe populli para ekraneve sherr do bëjë. Si puna e ndeshjeve që shikohen nëpër bare e restorante. Tifozët zihen nëse ishte penallti apo jo. Asnjëherë s’bien në një mendje. Edhe përsëritja e ngadalësuar në ekran nuk i çon në një mendje, ishte a s’ishte penallti.

Opozitari: Sherr le të bëhet, dynjaja le të digjet. Vetëm e vërteta të dalë. Numëruesit dhe komisionerët tradhtarë e syleshë të 28 qershorit të ndëshkohen. Mos t’i vejë mëndja njeriu të luajë me votën!

Studiuesi: Po këta të 28 qershorit do ngulmojnë se kanë numëruar saktë. Në procesin hetimor gëzojnë të drejtën e prezumimit të pafajësisë. Kanë të drejtë edhe të mbrohen nga akuza për neglizhencë apo korruptim para komisionit hetimor parlamentar. Pra, do kërkojnë të jenë prezent në numërim si palë e tretë e interesuar. Secili prej tyre që do ndjehet i kërcënuar nga numërimi i dytë, praktikisht gjithë, do kërkojë të drejtën e tij, vetë apo edhe me avokatë. Do kundërshtojnë rezultatet e numërimit të dytë se u duhet të mbrojnë rezultatin e numërimit të parë. Do mbrojnë veten. S’mund të pranojnë se janë shitur. Se mos na plas sherri mes numëruesve të parë opozitarë dhe atyre të dytë opozitare. Sherr brenda opozitës, mes mijëra numëruesve të secilit raund. Këta të mazhorancës do fërkojnë duart. Mes tyre s’do ketë sherr. Përkundrazi, unitet në mbrojtjen e rezultatit të 28 qershorit. Kanë edhe këta të LSI-së aleatë tani. Aq më shumë që këta të LSI-së do t’i bëjnë sytë katër të gjejnë se si ia ka marrë votat opozita socialiste e Ramës.

Opozitari: Tymi le t’i dalë, vetëm transparenca të bëhet. Të rihapen kutitë e të rinumërohen votat. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Po sikur të mos bien dakord as me numërimin e dytë? Me gjithë këtë sherr që mund të plasë! Të bëjmë një të tretë!?

Opozitari: Do bien dakord. Do bien dakord. Do e formalizojmë në marrëveshje politike.

Studiuesi: Po kështu kishin premtuar edhe para 28 qershorit. Kishit marrëveshje. Edhe kod elektoral konsensual. Edhe komisione zgjedhore, edhe kolegj gjyqtarësh konsensual. Po s’e mbajtët fjalën ama! E plasët sherrin. Me ca vonesë e niset sherrin, po ja ku jemi tani! Le që, nëse jua blenë numëruesit, vëzhguesit dhe komisionerët e parë, pse të mos jua blejnë edhe të dytët?

Opozitari: Ka mundësi t’i blejnë edhe këta të dytët në fakt. Berisha s’të fal për pushtet. Atëherë të bëhet rinumërimi i tretë, i katërt derisa të bëhet transparencë dhe shkelësit e shenjtërisë së votave të shkojnë në burg. Edhe të parët, edhe të dytët e kështu me radhë. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Ti sapo the “transparencë e vonuar, transparencë e munguar”!

Opozitari: E vërtetë. E lëmë mënjanë këtë variant për momentin. Kemi edhe variant tjetër, më të thjeshtë. Për shembull, le të hapen vetëm 100 kuti. Të biem dakord se cilat do të zgjedhim. Kampion me 100 kuti nga të gjitha qarqet. S’ka më mirë. Apo s’ka mësuar populli statistikë këto kohët e fundit. Rezultati i 100 kutive menjëherë përgjithësohet për gjithë Shqipërinë. Merret vesh se kush ka manipuluar dhe kush ka fituar. Kuptohet, mazhoranca ka manipuluar dhe ne kemi fituar. Ja kështu. Kjo dihet! ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Por njësoj sherr do ketë edhe për këto kuti e për votat e tyre. Deri te Rama e Berisha. S’do bien dakord. Secila palë do kërkojë të nxjerrë palën tjetër manipuluese. Kush do ta ndajë sherrin!? I gjithë populli po ashtu, në sherr. Në një qafë do përfundojmë edhe me këtë variant.

Opozitari: Punë e madhe! Sherr të bëhet! Vetëm e vërteta të dalë! ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Po mirë, le ta zëmë se nga këto 100, që kanë afërsisht 50 mijë vota, del se 2000 vota janë “manipuluar”. Nga të cilat 1200 opozita dhe 800 mazhoranca. ǒdo thoni?

Opozitari: E kemi vetë në dorë. Po të duam, themi se kanë bërë manipulime edhe tanët. Punë e madhe. Rëndësi ka të vërtetohet manipulimi. Tek e fundit ne në opozitë jemi. Barazimin në xhep e kemi. S’kemi ç’të humbasim. Ne e dimë që tanët i kanë bërë përpjekjet që të përlajnë ca vota. Nga votat e LSI-së se më shumë se andej nga demokratët s’na dilte gjë. Vetëm ndonjë fort i shkathet yni çoku bënte diçka ke shporta e demokratëve. Por, po të duam, themi edhe që këto 100 kuti nuk përfaqësojnë të vërtetën e gjithë Shqipërisë. Kanë manipuluar këta të mazhorancës më pak në këto kuti, por po të hapnim kuti të tjera në bastionet e tyre do dalë që kanë bërë ata më shumë. Le që, në dorë e kemi të kërkojmë më shumë se 100 kuti ose ndërrojmë numrat e kutive. Në fakt, do bëjmë sherr të madh në komisionin parlamentar që të hapen kuti nga zonat ku e marrim me mend se ata të mazhorancës mund të kenë bërë më shumë zullum se këta tanët.

Studiuesi: Po pse budallenj i kujtoni ju këta të mazhorancës? Edhe ata e dinë se kështu do silleni me 100 kutitë dhe s’do bien dakord. Edhe ata do kërkojnë ose më shumë kuti ose kuti në zonat ku ata mendojnë se ju keni futur më shumë duart. Sherr i madh për numrin e kutive. Do përfundojë që të kërkoni që t’i hapini të gjitha kutitë. Ose do mbetet ke 100 kuti po s’do bihet dakord se cilat kuti konkretisht, ju do kërkoni kuti në disa zona dhe ata në zona të tjera.

Opozitari: E thjeshtë. I hedhim me short numrat e kutive. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Po t’ju bien kuti që s’i keni qejf, se mos thoni se edhe shorti është bërë me hile? Do hetojmë edhe hedhjen e shortit pastaj?

Opozitari: Po, edhe këtë mund ta themi. Gjithsesi, shohim e bëjmë, pa vetëm kutitë të hapen. Votat të rinumërohen. Dihet që janë bërë gabime. Gabimi njerëzor është. Këto i shesim si manipulime. Kollaj fare është. Ne e kemi dhënë verdiktin tonë. Votat na janë vjedhur. Na duhen vetëm ca prova tani se për dreq s’bëmë asnjë kontestim më 28 qershor. Sikur edhe një votë të dalë e numëruar gabim, vërtetohet teza jonë.

Studiuesi: Meqë ra fjala, si do hidhet shorti për kutitë? Me zare, sfera apo me letër me vrimë?

Opozitari: Shohim e bëjmë për këto. Rëndësi ka të hapen kutitë. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Edhe nëse përfundojmë njësoj në sherr të pafund për numrin e kutive apo numrat e kutive dhe pastaj për çdo votë dhe projeksion rezultati? Në këtë variantin e dytë me 100 kuti ka më shumë lloje e burime sherresh se në rastin e hapjes së të gjitha kutive. Në variantin e parë të paktën s’do ketë sherr se sa dhe cilat kuti do hapen! Tek ky i dyti do ketë dy lloje sherresh, për numrin dhe/ose numrat e kutive dhe pastaj për çdo votë deri në pafundësi.

Opozitari: E lëmë mënjanë edhe këtë variant për momentin. Kemi edhe një variant tjetër. Për shembull, hapim vetëm kutitë e Beratit, Tiranës dhe Shkodrës. Këtu fle lepuri. Nuk janë shumë kuti. Rreth ¼ e të gjitha kutive, ndoshta pak më shumë. Në fakt, ky është qëllimi i vërtetë. Varianti i parë yni ky ka qenë dhe mbetet.

Studiuesi: Po edhe këtu sherr do të plasë si në variantin e parë e të dytë!

Opozitari: Punë e madhe. E vërteta të dalë. ǒtë keqe ka?

Studiuesi: Ka vendosur në themel gjykata për këto kuti.

Opozitari: Punë e madhe. Tek e fundit s’kërkojmë të ndryshojë rezultati. Vetëm të shohim se ç’ka në ato kuti dhe kaq. E dimë që na e kanë futur. I blenë këta tanët. Le që kishim inate brenda vetes. “Dy këndes në një qymez” shkoi puna në Berat.

Studiuesi: Gjykata Kushtetuese ka thënë që “pavarësia e gjykatave nuk vendos embargo ndaj vlerësimeve kritike që mund të vijnë nga qytetarët apo deputetët, por artikulimi i këtyre vlerësimeve nëpërmjet raporteve të komisioneve hetimore parlamentare nuk është në përputhje me parimet kushtetuese”. Pra, jo vetëm s’hetohet një vendim gjykate, por as kritikë s’mund të ketë për një vendim gjykate nga Parlamenti.

Opozitari: Këtu po akuzojnë e shajnë pa doganë! Punë e madhe se u kritikuaka gjykata nga Parlamenti! E çfarë pastaj?! Aq më shumë që e dimë se gjykatësit i bleu Berisha.

Studiuesi: Po pse nuk i kërkoni mendim Gjykatës Kushtetuese? Të vendosë ajo nëse rihapen kutitë apo jo. Qoftë për variantin e parë, qoftë për të dytin e qoftë për këtë të tretin! Aq më shumë që kjo gjykatë ka rrëzuar plot akte të qeverisë. Mjafton që opozita të shkojë në Kuvend, të bëjë betimin, të kërkojë me 28 firma deputetësh komision hetimor, të shkruaje 3-4 faqe dokument kërkesë për qëllimin e hetimit, lëndën për t’u hetuar, metodën hetimore, përfshirë variantin që dëshiron për rihapjen e kutive. S’do bjerë dakord mazhoranca për hapjen e kutive të kërkuara!? Punë e madhe! Opozita i kërkon mendim Gjykatës Kushtetuese për drejtësinë e kërkesës së saj. Gjykata Kushtetuese vendos. Kështu është vepruar për këto hetimet parlamentare edhe më parë. S’keni fare nevojë t’ia kërkoni Berishës rihapjen e kutive. Kërkojani Gjykatës Kushtetuese. Mjafton të shkoni në Kuvend.

Opozitari: Të shkojmë në Kuvend. Na i blen Berisha gjysmën e deputetëve, po u futem aty. Mezi po i mbajmë këtu jashtë. Le pastaj të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese?

Studiuesi: Po ju në gjykata po akuzoni Berishën për shpifje. Në Gjykatën Kushtetuese do shkoni për të vërtetuar çmendurinë e Berishës. Pse nuk kërkoni edhe të rihapen apo s’rihapen kutitë nga kjo gjykatë? ǒtë keqe ka?

Opozitari: Për shpifjet i besojmë gjykatës. Berisha s’ia ka ngenë t’i blejë gjykatësit për shpifjet. E ka treguar që s’e prish terezinë për to. Ndërsa për votat dhe pushtetin s’të fal ai. I blen të gjithë ose i tremb. I frikshëm është. Edhe nëse i humbim gjyqet për shpifje, punë e madhe. Ka shpifur, kemi shpifur. S’ka rëndësi kush ka shpifur më shumë. Nëse ka shpifur ai më shumë, në dorë e kemi t’ia kalojmë. Rëndësi kanë votat. Pas tyre është pushteti. Pastaj kemi edhe Gjykatën e Strasburgut për shpifjet. Deri atje do shkojmë për to. Këtu s’i arrin dora Berishës. Do vërtetojmë se i ka të gjitha shpifje.

Studiuesi: Do shkoni deri në Strasburg për shpifjet dhe s’shkoni dot as te ana tjetër e godinës së zyrave të Kuvendit, ku ndodhet Gjykata Kushtetuese.

Opozitari: S’është puna aty. Po sikur Gjykata Kushtetuese të thotë se kutitë s’rihapen!? Kush duron Berishën pastaj! Ja do thotë, e dija unë! Ju thashë! Le që edhe këta të Gjykatës Kushtetuese në dorë i ka ai. I blen ose i tremb.

Studiuesi: Shkoni në Strasburg edhe për kutitë atëherë. Meqë kërkoni transparencë dhe drejtësi me çdo kusht dhe jo pushtet. Qëllimi i vetëm juaji apo jo? ǒtë keqe ka?

Opozitari: Zgjat shumë deri në Strasburg për kutitë. I bie për 2017-n. Kush pret deri atëherë! Shpifjet presin, votat s’presin! Le që ku i dihet. Berisha blen edhe ata të Strasburgut. Ndaj, s’ka zgjidhje tjetër. Të ikë Berisha. S’ka zgjidhje tjetër.

Studiuesi: Pra ju nuk doni të përdorni rrugën ligjore për kërkesën e kutive. Ore, mos nuk e keni seriozisht ju këtë punën e kutive. Kështu i bie që nuk ju duhet drejtësia, transparenca, votimi i lirë, po vetëm të ikë Berisha?! Pra, të merrni pushtetin!

Opozitari: Tani e kuptove ti këtë? Në fakt, po ta kishe kuptuar, s’ishe lodhur të arsyetoje kaq gjatë kotësinë e të gjitha varianteve të rihapjes së kutive. Ne e dimë që asnjë variant nuk ecën. Ti qenke budalla fare. Jeni ca leshko ju studiuesit në fakt. Berisha e dinte që në fillim se hapja e kutive s’shkon me Kushtetutën dhe tha ‘jo’. I interesonte ne fakt, jo se e ha meraku për Kushtetutën. Mirë që tha ‘jo’ se po të mos i kishte shkuar mëndja se ç’është kjo rihapja e kutive, do kishte pranuar t’i rihapte kutitë e kush ia hynte gjithë kësaj valleje pastaj! Nuk u nxitua ai këtë radhë se do ia kishim hyrë një valleje pa mbarim. Kot s’thotë populli fut një lek e hyr në valle, jep miliona e s’del dot pastaj. Më kollaj është të bësh mitingje për javë sesa të rinumërosh votat. Kutitë janë sa për motivimin e popullit “opozitar”. Po punë dreqi edhe këto mitingjet. Na prishi mendjen ai yni më 15 nëntor dhe sfiduam Berishën. Berisha eto mitingjet i ka zanat. Hajde mblidh prape njerëz tani! Këta tanët për mbledhje a punëra ndërtimore janë të vetmit, por për mitingje s’ia thonë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›