Nuk u shlyente borxhin prej 1 mijë eurosh, i presin gishtat e dorës
Policia e Tiranës vuri në pranga pesë autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, mes tyre edhe një punonjës të patrullës së përgjithshme të policisë
Një 41-vjeçar është torturuar mizorisht nga pesë persona, mes tyre një punonjës i policisë, të cilët i kanë prerë gishtat e dorës së djathtë sepse nuk po arrinte t’u shlyente një borxh prej një mijë eurosh. Ngjarja ka ndodhur para tri ditësh, por vetëm mbrëmjen e së premtes, policia përfundoi me sukses operacionin “24 orë”, ku vuri në pranga autorët e kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve nga policia, i dëmtuari me inicialet E. E. nga Tirana, ka pësuar dëmtime serioze dhe ka humbur gishtat e dorës së djathtë. Të arrestuarit janë të moshës nga 24 deri në 35 vjeç. Ata janë shoqëruar në qeli, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për të marrë masën e arrestit.
Ngjarja
Prej disa kohësh 41-vjeçari me inicialet E. E. me banim në Tiranë, i kishte marrë një borxh prej një mijë eurosh 35-vjeçarit Ilir Trini, por ai nuk po arrinte që t’ia jepte sërish paratë e marra. Një gjë e tillë duket se e ka acaruar së tepërmi atë. Ditën e enjte, pasi ka kontaktuar me E. E., ai i ka thënë atij që të shkonte e ta takonte në lokalin në pronësi të tij, “Poko Loko”. Këtu kanë nisur vuajtjet e 41-vjeçarit. Duke qenë se “borxhliu” nuk arrinte të shlyente shumën e parave, reagimi i Trinit dhe miqve të tij ka qenë i dhunshëm. E. E. i është nënshtruar një dhune mizore nga të pestë personat. Ai ka pësuar goditje të shumta në kokë e trup. Por, i lidhur në karrige, ai i është nënshtruar një torture të vërtetë, ndërsa të pestë “pengmarrësit” kanë nisur që t’i presin, një nga një, gishtat e dorës së tij të djathtë. 41-vjeçarit i është dashur të përjetojë një dënim tepër të dhimbshëm, ndërsa më pas është lënë i lirë në një gjendje të rëndë.
Hetimi
Agjentët e sektorit Kundër Krimit ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë nisur menjëherë hetimin në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, ndërsa në spital është paraqitur një person me dëmtime të rënda në trup dhe me gishtat e dorës së djathtë të prerë. Pas nisjes së hetimit dhe mbledhjes së provave, me anë të metodave speciale të hetimit u arrit të identifikoheshin dhe arrestoheshin autorët e dyshuar të ngjarjes. Në prangat e uniformave blu ranë punonjësi i policisë së patrullës së përgjithshme Joan Buli, 26 vjeç; 24-vjeçari Aleksandër Buli, lindur e banues në Tiranë, i paproceduar më parë; 35-vjeçari Ilir Trini, lindur në Laç e banues në Tiranë, i paproceduar më parë; Andi Haxhi Bulku, 25 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i paproceduar më parë dhe 26-vjeçari Drini Lato, lindur në Sarandë e banues në Tiranë.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestrua një armë zjarri e shtetasit Joan Buli. Të pestë të ndaluarit akuzohen për kryerjen veprave penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”, “torturës” të kryera në bashkëpunim.