Gripi i derrit, origjina nga është importuar virusi
Emanuela Sako
Specialistët e ISHP-së tregojnë rrugët nga mund të ketë ardhur virusi i gripit të derrit për 12 personat e prekur. Në publikimin e Buletinit të 6 të ISHP-së, specialistët sqarojnë se në pjesën më të madhe të rasteve virusi është importuar nga vendet e huaja, pasi personat që mbartin virusin kanë kryer udhëtime në vendet e prekura. Ndërsa vetëm për 3 prej tyre nuk gjendet origjina e saktë. Në këto raste, pacientët nuk kanë paraqitur të dhëna dhe nuk kanë pasur dijeni për mënyrën e infektimit. Në Buletinin e 6, Instituti publikon se të 12 rastet e konfirmuara tashmë janë të shëruar. Specialistët bëjnë të ditur se 3 prej rasteve janë marinarë të huaj, 2 Filipinas dhe 1 Rumun, të cilët kanë udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Gjashtë raste janë të lidhura me udhëtimin e tyre kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe për 3 raste nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugët e infektimit. Të gjitha rastet u paraqitën në kuadër klinik të lehtë.
Rastet
Sipas Buletinit, asnjë nga rastet nuk paraqiste sëmundje shoqëruese përfshi këtu sëmundje respiratore, obstruktive, sëmundje kronike të zemrës, diabet, sëmundje që dëmton imunitetin apo shtatzëninë. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i Virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit Europian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti për të gjitha rastet e dyshuara me virus. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Që pas zbulimit të rastit të parë në vendin tonë, deri më tani janë marrë analizat e 375 personave për të cilët është dyshuar se janë prekur nga gripi i derrit. ISHP, bën të ditur se brenda kësaj jave pritet konfirmimi për 9 persona të tjerë. Specialistët shprehen se rastet për persona të dyshuar me virus ka pothuajse çdo ditë, por autoritetet shëndetësore nuk japin shifra deri në momentin e kryerjes së analizave laboratorike në ISHP dhe më pas në Rumani.
Mjekimi
Specialistët apelojnë për t’u drejtuar tek mjekët, për të gjithë ata persona që vënë re simptomat e para, të ngjashme me virusin gripal. Kjo do të mundësonte shmangien e përhapjes së virusit dhe do të mundësonte kurimin e menjëhershëm brenda afateve të caktuara. Në rast se Tamifluja nuk përdoret brenda afateve të caktuara, ajo nuk mund të japë efekt tek pacientët. Specialistët sqarojnë se kura e Tamiflusë aplikohet brenda 48-orëshit të parë të shfaqjes së simptomave të gripit të derrit. Ndërsa, lidhur me efektin shërues të ilaçit, pohojnë se arrin deri në 98 për qind të shkatërrimit të virusit. Por përdorimi i këtij mjekimi që rezulton si shkatërrues i sëmundjes, rrezikon të japë efektet e tij kuruese për shkak të vonesave në kthimin e përgjigjeve të sakta të analizave.
Kompanitë farmaceutike, provohet vaksina kundër virusi H1N1
Kompania farmaceutike GlaxoSmithKline ka filluar të provojë vaksinat kundër gripit të derrave tek njerëzit. Kompania Glaxo informoi se do të zhvillojë 16 prova klinike në mbi 9000 njerëz në Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Edhe dy kompani të tjera farmaceutike Novartis dhe Sanofi-Aventis kanë filluar provat në njerëz të vaksinave kundër gripit të derrave. Në muajin shator vaksina do të jetë gati për t’u shpërndarë në të gjithë vendet e botës, të cilat kanë paraqitur kërkesën për blerjen e saj. Vaksina është i vetmi medikament që mund të ndalë përhapjen e virusit në masë tek të gjithë personat. Pas përhapjes së virusit, disa grupe shkencëtarësh janë përpjekur për të zbuluar vaksinën antivirus. Nga prilli i këtij viti kur u shfaq për herë të parë gripi i derrave ka marrë jetën e 1462 personave në gjithë botën. Miliona të tjerë janë infektuar.
Si mund të dallohen virozat e stinës nga gripi i derrit
Urgjenca e Tiranës është përfshirë nga fluksi i pacientëve për shkak të panikut nga prekja me virusin e gripit të derrit. Por, mjekët e konsiderojnë një panik të parakohshëm dhe se shumica e tyre janë prekur nga virozat e stinës dhe jo nga virusi AH1N1. Mjeku Besnik Lamçe shprehet se mënyra më e mirë për të shmangur gripin është higjiena dhe se shumica e qytetarëve që paraqiten në urgjencë preken nga virozat stinore. Mjekët infeksionistë shpjegojnë ndryshimin e virozave të stinës dhe simptomat e gripit të derrit, të cilat shpeshherë duken të ngjashme. Sipas tyre, virusi qëndron i fshehur në organizëm dhe shfaqet në ditën e tretë nga dita e marrjes së virusit. Ata bëjnë të ditur se simptomat më të forta që shfaqen tek pacientët, janë gjatë javës së parë. Specialistët e ISHP-së, shprehen se të gjitha rastet që paraqiten, kanë të njëjtat shenja klinike të gripit, të cilët mund të kenë temperaturë 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulore si dhe lodhje. Ndërsa virozat dhe alergjitë manifestohen me teshtima, sekrecione të hundës, fryrje të syve etj. Specialistët sqarojnë se shfaqja e alergjive vjen si pasojë e ndërrimit të stinëve apo nga ushqimet që konsumohen. Kryesisht, ato shfaqen gjatë stinës së pranverës, në ditët e nxehta të verës, apo gjatë ardhjes së vjeshtës. Në rastet kur alergjia vjen nga ushqimet shfaqet në çdo kohë. Në shumicën e rasteve, alergjia apo virozat e stinës manifestohen me teshtima të shpeshta, të herëpashershme, kullim, kruajtje, skuqje dhe bllokim të hundëve, por shpeshherë edhe me kruajtje të syve dhe skuqje të tyre. Mënyra më e mirë për të parandaluar këtë lloj alergjie është mosekspozimi në këtë periudhë në ambiente të ndryshme apo ndryshimi i tyre herë pas here.
17 Gusht 2009