Shqiperia, e papërgatitur per turizmin me rulote, shume ndotje pak fitime
Ervin KOÇI
Turistët e huaj që kanë nisur të vizitojnë vendin tonë këtë verë, edhe pse u pritën me shumë bujë, nuk kanë sjellë aspak të ardhurat e pritura për sektorin tonë turistik. Kjo gjë ka zhgënjyer si operatorët turistik vendas të cilët prisnin më tepër, ashtu edhe qeverinë e cila edhe pse investoi në infrastrukturën e zonave turistike, nuk ka mundur që të grumbullojë fitimet e duhura. Këtë vit në pikat kufitare si në aeroportin e Rinasit, portet detare ashtu dhe në pik-kalimet tokësore kufitare, u shënua një numër jo i vogël turistësh të huaj, por asnjë nga operatorët turistik në vend, deri tani nuk ka raportuar të ardhura optimale. Të vetmit turistë të cilët kanë mundur të mbajnë në këmbë të paktën në dy muajt e parë të verës sektorin tonë turistik të prekur tashmë nga kriza ekonomike, kanë qenë vet shqiptarët. Edhe pse frekuentimi i plazheve dhe i të gjithë njësive akomoduese turistike këtë vit ka qenë shumë më i vakët se një vit më parë, sërish sipas operatorëve, klientët më të mirë kanë qenë vet shqiptarët. Pronarët e njësive turistike në mbarë vendin flasin me buzë të varur kur bëhet fjala për turistët e huaj por edhe për ata kosovarë dhe shqiptaro-maqedonas, të cilët këtë vit nuk kanë pasur as fluksin e viteve të kaluara por as nuk kanë kryer shpenzimet e pritura. Të ardhurat e vendit tonë nga turizmi këtë vit, ndonëse po numëron një numër të konsiderueshëm vizitorësh, janë më të ulëta se sa ishin vjet. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se saktësisht deri në fund të qershorit të këtij viti, turistët e huaj që kanë ardhur në vend kanë qenë 4,3 për qind më pak se sa kjo shifër ishte vjet për të njëjtën periudhë kohe. Kohët e fundit është vërë re edhe fenomeni i ardhjes së grupeve të turistëve të huaj me automjetet e tyre ose me autokampe (makina shtëpi, rulot), por edhe këta lloj vizitorësh duket se kanë qenë pa bereqet për sektorin turistik në vend që është kapur nga ethet e krizës ekonomike.
Turistët me rulot
Në disa raste nga Porti detar i Durrësit por dhe nga pik-kalimet tokësore kufitare me vendet fqinjë janë raportuar hyrje autokolonash apo grupesh turistësh të huaj me autokampe. Shumë prej këtyre grupeve kanë zhvilluar në mënyrë private dhe fare të paorganizuar udhëtime përgjatë bregdetit shqiptar, ku mjetet e tyre janë parë që nga Velipoja deri në Sarandë. Por grupe të tilla turistësh vetëm sa kanë shërbyer për të fryrë statistikat e ministrisë së Turizmit, e cila në fund të këtij sezoni do të raportojë shifra pozitive për numrin e vizitorëve të huaj, por pa pasur interes për të ardhurat që ata i kanë sjellë vendit. Po të shikohen nga ana e leverdisë ekonomike, këta lloj turistësh edhe pse janë të mirëpritur në vendin tonë, janë më tepër një problem se sa një mundësi përfitimi. Automjetet e tyre ndotin ajrin, këto grupe turistësh ndotin mjediset ku parkohen dhe shtojnë sasinë e plehrave, nuk paguajnë asnjë taksë në vendet ku parkohen, konsumojnë fare pak produkte vendase pasi pjesën më të madhe të produkteve i sjellin me vete, shtojnë sasinë e mjeteve në qarkullim dhe rrezikun për aksidente, si dhe rrezikojnë edhe parqet natyrore kombëtare nga zjarret apo ndotjet organike. Nga ana tjetër edhe mungesa e organizimit për këtë lloj turizmi nga shteti dhe privati në vendin tonë, si parkimet e posaçme për autokampe, zonat e caktuara për ngritjen e kampeve me rulote, si dhe taksat e posaçme për këta lloj turistësh që hotelin e sjellin me vete, bën që vendi ynë të ketë fitime minimale ose zero prej tyre.
Turistët me jahte
Këtë sezon veror në vendin tonë është konstatuar një prani më e madhe anijesh kroçiera që kanë sjellë turistë të huaj, si dhe një numër mjaftë i lartë turistësh që kanë vizituar brigjet tona me jahtet e tyre (skafe personale). Këta të fundit sipas ekspertëve të turizmit janë një grup që konsiderohen si turistë potencial pasi hyjnë në kategorinë e pushuesve “VIP” ose që kryejnë shpenzime të mëdha. Kjo nga vet fakti pasi jahtet janë skafe ose barka mjaftë të shtrenjta që posedohen kryesisht nga njerëz të pasur ose shumë të pasur, që i kanë blerë ato ose i kanë marrë me qira për të kryer udhëtime nga një deri në disa ditore në brigjet e ndryshme detare. Vetëm kostoja e përdorimit për pak ditë të një jahti është tepër e lartë, për të mos thënë që ata që i posedojnë kryejnë edhe ndalesa në vende turistike interesante duke shpenzuar kështu përveç lundrimit në kushte luksoze edhe për aktivitet të tokë. Sipas të dhënave nga kapiteneritë e porteve në Durrës dhe Vlorë si asnjëherë tjetër në sezonet turistike të 19 viteve të fundit, bregdeti shqiptar po josh turistë të huaj, që bëjnë xhiro nëpër botë me jahte të përmasave të ndryshme. Disa dhjetëra prej tyre janë ankoruar përgjatë brigjeve të qytetit të Durrësit gjatë ditëve të para të korrikut. Përveç taksave të imbarkimit pronarët dhe turistët e jahteve nuk ngurojnë të konsumojnë edhe në restorantet, baret dhe dyqanet e qyteteve bregdetare. Këto jahte janë kryesisht anije me motor dhe me vela, të cilat përshkojnë brigjet e Dalmacisë e përfundojnë deri në Greqi. Një numër i pazakontë jahtesh me flamuj të Italisë, Kroacisë, Sllovenisë, Spanjës, Gjermanisë e të tjera vendeve, gjatë ditëve të para të korrikut kanë mbushur brigjet e Durrësit. Një pjesë e tyre kanë preferuar të ankorohen në portin detar të qytetit e të qëndrojnë për një ose dy ditë, ndërsa të tjerë kanë qëndruar për disa orë e më pas kanë vazhduar sipas itinerarit të tyre të paracaktuar. Të tjerë janë ndalur në gjiret detare si në Kepin e Rodonit, në Bisht-Pallë, në Porto-Romano, në gjirin e Lalësit, në Kalanë e Turrës e gjetkë, ku kanë shijuar bregdetin e virgjër të këtyre zonave. Turistët e huaj kanë deklaruar se kanë qenë agjencitë turistike të vendeve nga vijnë, të cilat u kanë sugjeruar Durrësin në axhendat e tyre jo vetëm si vend interesant, por edhe si pikë ku mund të strehoheshin në raste me kohë të keqe, si dhe ku mund të merrnin furnizime me karburant, ushqime dhe ujë.
BSH: Të huajt shpenzojnë pak në Shqipëri dhe shqiptarët më tepër jashtë
Kriza ekonomike globale ka prekur turistët e huaj, por jo ata shqiptarë. Nga të dhënat e fundit të Bankës Qendrore rezulton se gjatë pjesës së parë të këtij viti, të huajt që vizituan vendin tonë kanë shpenzuar më pak para se një vit më parë, ndërkohë që e kundërta ndodh me turistët shqiptarë të cilët kanë rritur shpenzimet e tyre në udhëtimet jashtë shtetit. Kështu gjatë periudhës janar-qershor 2009 turistët e huaj kanë shpenzuar në Shqipëri një shumë prej 211.6 milionë eurosh, ose 4.3 % më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë turistët shqiptarë kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 211.9 milionë euro ose 3.6 % më shumë se në vitin 2008. Ekspertët e ekonomisë e shpjegojnë rënien e shpenzimeve të qytetarëve të huaj në Shqipëri me krizën ekonomike botërore, e cila ka rënduar buxhetet e tyre duke kushtëzuar edhe shpenzimet që ata bëjnë. Turistët e huaj që vijnë të vizitojnë dhe të kalojnë pushimet në Shqipëri, duket se nuk janë pjesa e pasur e vendeve nga ata vijnë, kjo edhe për faktin se vendi ynë nuk ka investuar në industrinë e turizmit ashtu si vendet fqinje për të thithur grupet e turistëve elitarë që kërkojnë shërbime të specializuara dhe komoditete. Ndërkohë që pjesa e qytetarëve shqiptarë që kryejnë udhëtime turistike jashtë Shqipërisë, janë nga ajo kategori individësh me të ardhura mbi mesataren ose të pasur. Ekonomia shqiptare nuk do të marrë nga sektori turistik këtë vit atë nivel të ardhurash që të mund ta ndihmonte më shumë se sa vitet e shkuara. Për të njëjtën arsye, më pak të ardhura ekonomisë sonë i kanë ardhur edhe nga emigrantët e kthyer në atdhe për pushime. Nga të dhënat e BSH-së rezulton se gjatë tre muajve të parë të këtij viti, dërgesat e emigrantëve kanë pësuar një rënie prej 7.7%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
17 Gusht 2009