Kuponët e pasaportave në treg të zi, emigrantët protestojnë në Shkodër
Tiranë - Dhjetëra emigrantë në qytetin e Shkodrës kanë protestuar mëngjesin e djeshëm para Bashkisë së qytetit. Shkak i kësaj proteste ka qenë mosfunksionimi për asnjë minutë i zyrave të aplikimit dhe shitja e kuponëve jo në sportelet e postës, por në tregun e zi. Është hera e parë që qytetarët ndërmarrin një iniciativë të tillë dhe kjo vjen pas deklaratave të autoriteteve zyrtare se për të përballuar fluksin e emigrantëve zyrat e aplikimit do të punonin me orar të zgjatur dhe do të ishin në shërbim të qytetarëve edhe në fundjavë. Problematike paraqitet situata edhe në qarkun e Fierit ku aplikantët janë të detyruar të presin me orë të tëra në radhë e ku ka mungesë kuponësh.
Radha
Emigrantët prej ditësh rrinë në radhë për kartat dhe pasaportat e reja, ndërkohë që rrezikojnë edhe lejet e tyre të qëndrimit në vendet ku jetojnë dhe punojnë për shkak të problemeve që kanë shkaktuar strukturat qeveritare. Edhe pse Ministria e Brendshme, pak ditë më parë, nëpërmjet zëdhënësit Fatmir Konja, njoftoi zgjatjen e orarit në zyrat e aplikimit, ndryshe shfaqet realiteti në qytetet e vendit, ku veç reduktimit dhe mosfunksionimit të sporteleve tashmë shfaqet një tjetër problem, mungesa e kuponëve në sportelet e postës dhe shitja e tyre në tregun e zi.
Rastet
Probleme me aplikimin për kartat dhe pasaportat e reja janë shfaqur edhe në Fier. Emigrantët fierakë rrinë me orë e ditë të tëra në radhë për të aplikuar, por reduktimi i sporteleve dhe mungesa e kuponëve ka bërë që situata të kthehet në alarmante.
Ndërsa emigrantët presin në radhë, punonjësit e këtyre zyrave kanë harruar edhe orarin e veprimeve për t’i shërbyer komunitetit. Dyert qëndrojnë të mbyllura edhe pse orari është caktuar për t’iu shërbyer qytetarëve nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 19:30. Veç kësaj, problem tjetër është mungesa totale e kuponëve në sportelet e postës së qytetit, ku edhe aty paraqiten radhë të gjata. Edhe këtu emigrantët shprehen të indinjuar, madje dhe të frikësuar për humbjen e vendeve të punës, për shkak të vonesave të paparashikuara.
Arrestohen katër të rinj nga Lazarati, vodhën një automjet
Gjirokastër – Katër persona nga Lazarati janë arrestuar dje nga policia pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin vodhën një automjet. Policia e Gjirokastrës çoi në qeli 24-vjeçarin Bako Buzheri, Tahir Brahimi, 23 vjeç, Ervin Bejko, 22 vjeç dhe Erjon Buci, 26 vjeç. Sipas policisë, të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm në lagjen “Kodra e Shtufit” në Gjirokastër, kanë vjedhur automjetin tip-Benz 200, me targa GJ 84 26 A, në pronësi të shtetasit A. K. Pas marrjes së njoftimit nga Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për vjedhjen e automjetit, e cila ishte njoftuar nëpërmjet një telefonate, forcat e policisë që kryenin shërbim në aksin rrugor Gjirokastër - Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhoçë, kanë bërë të mundur kapjen e lazaratasve së bashku me automjetin e vjedhur i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të katër të rinjve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “vjedhjes kryer në bashkëpunim”.
17 Gusht 2009