E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt një diplomacie kulturore integruese



Nga Shpresa Sulo

Diplomacia kulturore, si mjeti kyç dhe më i përshtatshëm në drejtim të identifikimit, njohjes dhe promovimit të një vendi në arenën ndërkombëtare, kultivohet dhe praktikohet nga shumë organizata, kompani apo shoqata kulturore, në fokusin e të cilave janë respektimi dhe nxitja e diversitetit kulturor dhe liria e shprehjes kulturore. Po kaq janë dhe institucione shtetërore në shërbim të eksportimit të vlerave kulturore kombëtare dhe njohjes e shpërndarjes së tyre në rajon dhe më gjerë. Në arenën ndërkombëtare diplomacia kulturore është rritur dhe zhvilluar në përmasa tilla, duke u kthyer në një industri globale me bazë ligjore dhe një set konventash, duke nisur nga Konventa e Vjenës e vitit 1961 për Marrëdhëniet Diplomatike, Konventa Kulturore Evropiane, Konventa Kuadër e KE-së për Vlerat e Trashëgimisë Kulturore për Shoqërinë e shumë konventa të tjera, ku Shqipëria është palë nënshkruese e deri tek implementimi i angazhimeve që rrjedhin nga deklaratat e takimeve, konferencave ministeriale, samiteve të kryetarëve të shteteve dhe qeverive.

Qeveria shqiptare ruan dhe mban një përqasje nxitëse dhe integruese ndaj diplomacisë kulturore përmes politikës së saj të jashtme, por Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si autoriteti i drejtpërdrejtë i zhvillimit dhe çuarjes më tej të kësaj diplomacie, zhvillon dhe synon zgjerimin dhe integrimin e kulturës shqiptare jo vetëm në rajon, por dhe jashtë kontinentit evropian. Falë natyrës së saj “të gjithëkahershme”, diplomacia kulturore përmes dialogut njerëzor, shkëmbimit të qytetërimeve dhe kulturave mundëson integrimin përmes mjeteve të saj të natyrshme dhe potenciale - kulturës, gjuhës, artit dhe sportit.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka inkurajuar veprimtari në shërbim të nxitjes së kulturës së mirëkuptimit dhe bashkëveprimit me vendet fqinj; ka intensifikuar marrëdhëniet bilaterale dhe rajonale, shkëmbimin e përvojave në fushën e artit dhe kulturës, trashëgimisë kulturore apo sportit, si dhe ka promovuar vlerat historike, kulturore, arkeologjike dhe turistike.

Mbajtja në Tiranë e Konferencës se Ministrave të Kulturës të Vendeve anëtare të BEDZ (2008), pjesëmarrjet në takimet ministeriale në kuadër të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore, të Nismës Adriatiko-Joniane, Evropës Qendrore, Ministrave të Kulturës të KE-së, pjesëmarrjet në nivel ekspertësh në takime të ndryshme rajonale për kulturën turizmin, artin, sportin rininë, realizimi i vizitave të autoriteteve të shquara të fushës së artit, kulturës dhe turizmit në Shqipëri me ftesë të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë avancuar rrugën drejt integrimit përmes diplomacisë kulturore.

Realizimi gjatë vitit 2008 u disa marrëveshjeve, protokolleve dhe programeve të bashkëpunimit me Bullgarinë, Qipron (turizëm), Federatën Ruse; nënshkrimi dhe miratimi nga Parlamenti shqiptar i Marrëveshjes se Pjesshme të Zgjeruar në Sport e Këshillit të Evropës (EPAS), nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në Fushën e Turizmit të Vendeve të Evropës Juglindore; Protokolli i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik, Shkencor dhe Teknik mes RSH dhe Republikës Arabe të Egjiptit; Protokolli i Bashkëpunimit me Turqinë në fushën e Turizmit; Protokolli i bisedimeve për bashkëpunimin për zhvillim ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe qeverisë gjermane, nënshkrimi i Planit të Veprimit për vitin 2009 – 2010 të Këshillit të Ministrave të Kulturës të EJL synojnë jo vetëm promovimin imazhit dhe vlerave kulturore shqiptare por dhe ndërtimin e një dialogu ndërkulturor, nxitjen dhe shtimin e kontakteve të shoqatave dhe individëve të artit dhe kulturës drejt proceseve integruese.

Institucionalizimi i këtyre marrëdhënieve ka shtuar një dimension të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare të MTKRS-së drejt mirëkuptimit dhe zhvillimit të dialogut kulturor. Organizimi i Javës së Kulturës Shqiptare në vende të ndryshme në bashkëpunim me ambasadat e RSH-së jashtë vendit (aktualisht në Dusseldorf/Gjermani), pjesëmarrja në Festivalin Ballkanik të Ansambleve dhe grupeve popullore, në Bruksel, Belgjikë apo pjesëmarrjet e grupeve të ndryshme në festivalet ndërkombëtare që organizohen në Shqipëri (Festivali Evropian i Grupeve Korale, në kuadër të Javës Evropiane te Kulturës, hapja e ekspozitës fotografike në Tiranë nga artisti belg, Alain Jansenn, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve) e shumë të tjera janë pjesë e diplomacisë kulturore të Ministrisë se Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Vlera e diplomacisë kulturore është ngushtësisht e lidhur me respektimin dhe ruajtjen e diversitetit kulturor dhe “oreksin” e kulturave për të zgjedhur dhe për të punuar së bashku, për të formuar shoqata dhe unione dhe për siguruar marrëveshjet dhe konventat. Miratimi dhe ratifikimi nga qeveria shqiptare e konventave ndërkombëtare në fushat që mbulon MTKRS-ja gjatë vitit 2008 (Konventa mbi Ekspozitat Ndërkombëtare; Konventa Evropiane mbi Bashkëpunimet Kinematografike, Konventa e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore;) ka vënë në një linjë kërkesat e BE/KE-së me angazhimet dhe përgjegjësitë e MTKRS-së, si institucion përgjegjës për të kultivuar dhe zhvilluar në mënyrë globale diplomacinë kulturore shqiptare dhe për të nxitur nismat në fushat që këto konventa mbulojnë.

Negocimi dhe përgatitja për të përfunduar brenda këtij gjashtëmujori një sërë marrëveshjesh dhe programesh të tjera si me Republikën e Kosovës, Republikën e Malit të Zi, Rumaninë, Arabinë Saudite, R. P. të Kinës (nënshkruar gjatë vizitës së Kryeministrit në Kinë), Greqinë apo Turqinë si dhe rinovimi i disa protokolleve dhe programeve të bashkëpunimit në fushën e turizmit, kulturës, artit dhe sportit jo vetëm me vendet e Evropës, por dhe jashtë saj, me Kanadanë, SHBA0-në etj. do të tentojnë ta kthejnë diplomacinë kulturore shqiptare në një industri potenciale jo vetëm të promovimit, por dhe të zhvillimit të atyre gjinive të artit dhe kulturës që do të ridefinojnë marrëdhëniet ekzistuese duke siguruar lëvizjen e lirë të artistëve, operatorëve kulturorë, veprave të tyre si dhe operatorëve turistikë.

*Specialiste për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›