E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Mblodhëm 4 miliardë dollarë më shumë



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vijoi takimet me banorët në komunat Pajovë, Papër dhe në fshatin Katund i Ri të komunës Bradashesh, nga ku deklaroi se qeveria e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, mblodhi 4 miliardë dollarë më shumë. Përpara qytetarëve të këtyre komunave, Basha tha se kjo qeveri, mbajti premtimet dhe paratë e mbledhura nga taksapaguesit dhe lufta kundër korrupsionit, u investuan në punë publike si dhe rritje pagash dhe pensionesh. “Katër vite më parë, - tha Basha, - askush nuk do ta besonte se pa zbuluar naftë, pa konferencë donatorësh, pa miniera floriri do të mblidhnim 4 miliardë dollarë më shumë, të cilat do t’ua rikthenim shqiptarëve me mbi 3 mijë km rrugë, mbi 600 ujësjellës, mbi 1000 kanalizime, mbi 1000 shkolla dhe pensione e rroga të rritura”. Sipas tij, ky është një vizion me të cilin Partia Demokratike po ndryshon Shqipërinë. Ministri Basha përmendi edhe deklaratën e kongresmetit Eliot Engel, i cili e përshkroi infrastrukturën shqiptare të ngjashme me vizion që kishte ish-Presidenti i SHBA-ve, Eisenhouer. “Miku 25-vjeçar i shqiptarëve, kongresmeni Eliot Engel, do ta përshkruante infrastrukturën e vendit si një rrjet të ngjashëm, për kokë dhe frymë, me atë të ngritur nga Presidenti Eisenhouer. Engel e ka krahasuar vizionin e Kryeministrit Berisha me atë të Presidentit Eisenhouer”, - u shpreh ministri Basha.

Duke qëndruar në këtë pikë, Basha përmendi edhe deklaratat e ardhura në adresë të Shqipërisë nga liderët botërorë. Ai tha se në deklaratat tyre ish-Presidenti Bush, Presidenti Obama, Presidenti Sarkozy, Kancelarja Merkel, Kryeministri Berlusconi etj. u shprehën krenarë për arritjet e Shqipërisë. Sipas tij, këto deklarata erdhën për shkak se qeveria e drejtuar nga Sali Berisha kreu reformat të cilat bënë të mundur nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të MSA-së, hyrjen e vendit në NATO si dhe bënë të mundur aplikimin për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Duke theksuar se anëtarësimi në NATO nuk ishte dhuratë por meritë, ministri Basha tha se aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian çel një kapitull të ri në bërjen realitet edhe të kësaj ëndrre të shqiptarëve.

Përpara banorëve të këtyre komunave, Basha premtoi se të gjithë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që brenda vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj mazhorance ata do të lëvizin lirshëm në vendet e Evropës. “Nën drejtimin e kësaj mazhorance, brenda vitit të parë të mandatit të dytë, qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza në hapësirën “Shengen””, - deklaroi Basha.

Ministri i Jashtëm u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme dhe të zgjedhin alternativën e cila ka ndryshuar vendin. “Ndryshimi që kjo mazhorancë i bëri Shqipërisë nga jugu në veri, ndryshimi i imazhit të saj është sot i vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga udhëheqës e përfaqësues të popullit nga vendet dhe demokracitë më të fuqishme të botës”, - u shpreh tej Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›