Gripi i shpendëve, Ministria e Bujqësisë: Kontroll veterinar në të gjitha fermat

Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar marrjen e masave nga Shërbimi Veterinar Rajonal për kryerjen e kontrollit veterinar në të gjitha fermat në vend, pas rënies së gripit të shpendëve.
Gjithashtu, është urdhëruar që të asgjësohen të gjitha shpendët e ngordhura, ndërkohë që për të gjitha rastet e dyshuara do të merren kampionët nga pronarët e shpendëve dhe do të dërgohen në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për analizim.
Ndërkohë nga ana tjetër, ministria e bujqësisë ka urdhëruar forcimin e kontrollove në të gjitha pikat kufitare. Po ashtu, parashikohet edhe mbikëqyrje për 21 ditë në ferma për vendosjen e shpendëve në karantine si dhe raportimin ditor. Nuk ka prova deri tani se ky virus mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimit. Virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve.
Ministria e Bujqësisë fton konsumatorët të mos bien pre e spekulantëve që mund të tregtojnë mish shpendësh pa certifikatë veterinare ose në kushte të papërshtatshme tregtie apo magazinimi.
/rtsh/