E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi ka prekur shumë qytetarë

Në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ditëve të fundit, është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmën mjekësore. Pjesa më e madhe e tyre tregojnë për simptoma të gripit të rëndomtë. Mjekët apelojnë tek qytetarët që të mos përdorin antibiotik pa u konsultuar me mjekun familjarë.

Qytetarët, të cilët prisnin për vizitë mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare kryesisht ankohen për viroza sezonale.

“Këtë herë gjendja mu ka dukur që është përkeqësuar pak ma shumë edhe jam detyruar me ardhë m’u kontrollu për ndryshim prej herave tjera që ka qenë pak ma i lehtë ndoshta”, thotë një paciente.

Specialistja e Mjekësisë Familjare, Hana Deshishku tha për Radio Kosovën se është rritur numri i pacientëve me simptoma që janë karakteristike për gripin. Ajo u bënë thirrje, sidomos pacientëve të moshuar si dhe prindërve të fëmijëve që të kërkojnë ndihmën e mjekut dhe të marrin këshillat adekuate për të tejkaluar këtë gjendje.

“Gripi i zakonshëm mund të prek të gjithë, por më i shprehur është te personat në moshë dhe me imunitet të dobët, kështu që do t’i rekomandoja personat e moshuar, personat me imunitet të dobët, fëmijët ose edhe ata që janë me terapi me shenjat e para të lajmërohen te mjeku. Aryseja e vetme është se këto raste po vijnë me komplikime”, thotë Hana Deshishku.

Deshishku u bënë thirrje qytetarëve që të mos përdorin sidomos antibiotik, pa e vizituar mjekun. Në shumë raste, thotë ajo, pacientët vijnë pasi të kenë provuar të shërojnë veten dhe kjo po e rëndon edhe më shumë shëndetin e tyre.

Profesionistët shëndetësor rekomandojnë qytetarët të pinë më shumë lëngje, të mos qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të kujdesen më shumë për higjienën personale. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›