E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi transmetohet edhe nga ushqimi i kontaminuar

Autori i Lajmit: Redaksia
Ftohja e zakonshme dhe gripi janë gjendje të cilat japin simptoma lokale nga hunda, fyti dhe veshi, si edhe simptoma të përgjithshme, temperaturë dhe ethe. Ftohja e zakonshme dhe gripi mund të paraqiten në disa forma, duke filluar nga ato më lehtat deri te format e rënda. Te ftohja e zakonshme, simptomat e para paraqiten në fyt dhe mbesin si simptoma kryesore. Ndërsa te gripi dominojnë: ethet, dhimbja e trupit, mundimi në stomak, plogështia, si edhe simptomat tjera të përgjithshme..

Shkaktarët dhe simptomat e ftohjes

Ftohja shkaktohet nga viruse të ndryshëm, të cilët e ndryshojnë formën e tyre gjatë shumimit. Ftohja e zakonshme mund të transmetohet me anë të teshtitjes apo kollitjes, kur spërklat nga personi i sëmurë pranohen dhe thithen nga personi i shëndoshë.

Te ftohja e zakonshme dominojnë simptomat në fyt:

- dhimbja në fyt është zakonisht simptoma e parë
- pastaj fillon rrjedhja e sekretit nga hunda, duke çuar në shkuarjen e hundëve dhe pastaj tharjen e sekrecionit në hundë
- edhe fyti prodhon sekrecion që pengon frymëmarrjen
- paraqitet ënjtje e mukozës së hundës dhe fytit
- teshtitja dhe kollitja janë simptoma të rëndësishme të ftohjes së zakonshme, të cilat ndodhin si pasojë e sekretimit dhe ënjtjes

Po ashtu mund të paraqiten edhe simptoma të përgjithshme të lehta:

- kokëdhimbje e lehët apo e rëndë
- ethe dhe temperaturë
- shtangim i lehtë dhe dhimbje në qafë

Shkaktarët, simptomat dhe komplikimet e gripit

Edhe gripi, ngjashëm me ftohjen e zakonshme, shkaktohet nga viruse të cilët ndryshojnë shumë shpejtë, mirëpo zakonisht, çdo vit ekziston një virus kryesor, i cili përhapet në gjithë botën. Transmetimi i sëmundjes bëhet me anë të spërklave të cilat mund të barten me ajër, ose mund të kontaminojnë ushqimin. Simptomat fillojë nga një deri në katër ditë pasi virusi futet në organizëm.
Gripi zakonisht fillon si mungesë e përgjithshme e vullnetit, pra si gjendje plogështie që zgjat disa orë, nganjëherë edhe disa ditë. Pastaj simptomat fillojnë të përkeqësohen duke shkaktuar jokomoditet të përgjithshëm. Sa i përket simptomave të fytit janë të ngjashme, ose më të lehta sesa te ftohja e zakonshme:
- dhimbja në fyt është zakonisht simptoma e parë
- pastaj fillon rrjedhja e sekretit nga hunda
- edhe fyti prodhon sekret
- paraqitet ënjtje e mukozës së hundës dhe fytit
- teshtitja dhe kollitja janë simptoma të rëndësishme po ashtu
Te gripi janë shumë më të fuqishme simptomat e përgjithshme:
- zakonisht ka temperaturë të lartë, e cila konsiderohet si simptoma kryesore, e cila e dallon gripin nga ftohja e zakonshme
- pavarësisht temperaturës, disa pjesë të trupit janë të ftohta
- paraqitet mundimi në stomak, zakonisht edhe vjellje, sidomos te fëmijët dhe të rinjtë
- zakonisht ekziston ndjenja e lodhjes dhe dobësimit
- kokëdhimbja është e pranishme
- dhimbje në stomak dhe çrregullime të tretjes
- dhimbje në të gjithë trupin, sidomos në muskuj dhe nyje
- dhimbje dhe shtangim të lehtë në qafë
- sytë mund të skuqen dhe irritohen
- po ashtu edhe lëkura mund të skuqet

Si të dallosh që dikush ka ftohje të zakonshme apo simptoma të gripit

Kur një person, ose sidomos një fëmijë, sëmuret nga ftohja e zakonshme ose ka simptoma të ngjashme me gripin, është me rëndësi të matet temperatura, të shikohet prania e sekretit në hundë ose fyt, teshtitja ose kollitja, të shikohet shtangimi i qafës dhe të kontrollohet i gjithë trupi për të gjetur ndonjë njollë të kuqe. Këto kontrolle duhet të bëhen disa herë brenda 24 orësh me qëllim që të dallohet nëse një sëmundje është thjeshtë një ftohje apo një grip, në raport me ekzistimin një sëmundjeje më të rëndë, siç është meningjiti.

Pezmatimi i veshit nis dhe me ftohje

Shkaktarët e përhapjes së këtyre problemeve janë virozat e stinës. Është mëse e zakonshme që pezmatimi i veshit të nisë me ftohje, sepse virusi i ftohjes ia bën të vështirë surrzlave në hundë dhe veshë të mbrohen ndaj baktereve. Nëse bakteret shumohen, krijohet lehtë një infeksion me qelb në veshin e mesëm. Infeksionet janë më të zakonshme gjatë muajve të ftohtë të vitit. Pezmatimet e veshit mund të ndahen në nëngrupe të shumta, ku më të zakonshmet janë pezmatimi i menjëhershëm me qelb i veshit dhe rrufa e veshit. Me pezmatim të menjëhershëm të veshit kihet parasysh një malcim i qelbëzuar në veshin e mesëm, i cili nis papritur, zgjat pak kohë dhe mund të vërtetohet gjatë një vizite të thjeshtë të mjekut. Në rastin e rrufës së veshit, lëngu në veshin e mesëm nuk është i qelbëzuar.
Dhembjet e veshëve paraqiten me nxehjen, skuqjen dhe irritimin e pjesëve të brendshme e të jashtme të veshit. I sëmuri ka dhembje të forta, që shtrihen deri në faring. Në vesh ka zhurma dhe fërshëllima, të cilat shkaktohen nga gjendje reumatizmale, nga të ftohtët, plagë të ndryshme, rrufa. Edhe sëmundje të ndryshme çojnë në shfaqjen e dhembjeve në vesh. Sipas mjekëve, edhe fëmijët nga mosha 1 deri në 12 vjeç janë të prirur për të vuajtur nga dhembjet e veshit.
Pezmatimi i veshit është më i zakonshëm në disa familje dhe është kështu pjesërisht një sëmundje e trashëgueshme. Është e vështirë të dihet se çfarë është me saktësi ajo që trashëgohet. Mund të jetë një funksionim jo aq i mirë i veshit të mesëm dhe i borisë së veshit, ose ka të bëjë me atë se si funksionon sistemi imunitar.
Alergjitë nuk kanë treguar deri sot të jenë ndonjë shkaktar ndihmues i pezmatimit të veshit. Vetë pezmatimi i veshit nuk ngjitet, por viruset e ftohjes apo bakteret me të cilat është infektuar njeriu janë ngjitës. Ai të cilit u ngjiten këto ia del shpesh mbanë me një ftohje të zakonshme, por ndonjëherë ftohja zhvillohet në një pezmatim veshi edhe te ky. Prandaj mund të duket sikur vetë pezmatimi i veshit është ngjitur.
Rreth moshës trevjeçare, gjysma e të gjithë fëmijëve kanë pasur ndonjëherë të paktën një pezmatim veshi. Më i zakonshëm është midis moshës 6 deri njëmbëdhjetë muajsh. Përpara se të fillojnë shkollën janë tre në katër fëmijë ata që ndonjëherë kanë pasur pezmatim veshi.

Traumat e vogla prej kruarjeve mund të infektojnë deri në shurdhim

Në sëmundjet e veshit marrin pjesë edhe shumë faktorë të tjerë, që bëjnë pjesë në këtë sëmundje të këtij organi, si dylli në vesh, furunkula në kanalin e jashtëm të veshit, çarja e daulles së veshit, otiti i jashtëm dhe ai i huaj, sëmundja e minierit dhe shurdhimi. Grumbullimi i sekrecioneve të dyllit në kanalin e jashtëm të veshit mund të japë një dhembje të lehtë, ndjenjë kruajtjeje, në disa raste marrje mendsh dhe ulje të dëgjimit ose shurdhim të menjëhershëm, si rezultat i mbylljes së kanalit. Kjo diagnozë mjekohet vetëm duke bërë larje të kanalit të veshit, duke përdorur lavazh me ujë të vakët në temperaturën 37 gradë.
Kurse furunkulat ose abceset në kanalin e jashtëm të veshit japin gjithmonë dhembje të forta dhe të padurueshme. Shkak është infektimi prej mikrobeve të ndryshme, që më shpesh ndodh prej traumave të vogla, që provokojnë kruarjen e veshit.
Otiti i jashtëm është infektimi prej mikrobeve të ndryshme të kanalit të jashtëm të veshit, i cili mund të përhapet në llapën e veshit, më shpesh është pasojë e gërvishtjeve dhe kruarjeve, ose prej infeksionit të krijuar në vesh. Ai shfaqet me skuqje të veshit dhe kanalit, të kruajtura, dhimbje, enjtje që mbyll kanalin e sekrecioneve, mund të zmadhohen gjendrat limfatike të nofullës ose prapa veshit.
Çarja e daulles së veshit mund të bëhet kur tentohet për heqjen e trupave të huaj, kur kruhet veshi me sende të mprehta ose prej shtimit të papritur të presionit të ajrit në kanalin e veshit, nga goditjet me shuplaka në vesh, gjatë zbritjeve të shpejta të aeroplanit.
Sëmundja e minierit është një sëmundje e labirintit, që karakterizohet me kriza të menjëhershme, marrje mendsh me zhurmë në vesh, me çregullime të qarkullimit të gjakut, zbehje, djersë të ftohta, të përziera. Kriza është shumë e mundimshme për të sëmurin. Shpesh ai është në gjendje ankthi, mund të shoqërohet me të fikët.

Ky lajm është publikuar: 01/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›