E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbrazet buxheti i rrugëve. Tuneli gllabëroi shumicën e fondit Nga “Faktori Plus”Ministria e Transporteve ka harxhuar rreth 93% të buxhetit të saj në gjashtëmujorin e parë të këtij viti para zgjedhjeve të 28 qershorit për zërin “Ndërtim i rrugëve naci

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Zbrazet buxheti i rrugëve. Tuneli gllabëroi shumicën e fondit Nga “Faktori Plus”

Ministria e Transporteve ka harxhuar rreth 93% të buxhetit të saj në gjashtëmujorin e parë të këtij viti para zgjedhjeve të 28 qershorit për zërin “Ndërtim i rrugëve nacionale”, duke ndërtuar vetëm 50% të tyre, dhe duke rritur rreth 40% kostot e planifikuara për ndërtim. Ky fakt skandaloz, që çon drejt falimentimit buxhetin e këtij dikasteri dhe të krejt qeverisë shqiptare, zbulohet nga statistikat e kësaj ministrie.

Në Raportin e Monitorimit, paraqitur nga Ministria e Punëve Publike, Ministria e Financave vëren se për vitin 2009, në fondet buxhetore për 6-mujorin e parë të vitit 2009, kjo ministri ka harxhuar 73,2 të planit vjetor, duke tejkaluar në disa zëra kostot e planifikuara dhe duke çuar praktikisht në kolaps fuqinë paguese të këtij dikasteri për kompanitë shqiptare, për shkak të pagesave për kompaninë “Bechtel-Enka”.

***

Në tabelën 1 shihet buxheti i vitit 2009, struktura e tij dhe realizimet faktike të gjashtëmujorit të parë.

Në rreshtin me të kuqe, produkti “Rrjeti Nacional i rrugëve” është parashikuar për gjithë vitin 47.074 milionë lekë dhe vetëm në gjashtëmujorin e parë janë harxhuar 34.754 milionë lekë ose 73.8% e gjithë buxhetit vjetor.

Ky deformim në shpërndarjen kohore vjen nga sforcimi elektoral për të hedhur gjithë lekët në rrugë përpara fushatës. Por ky është problemi më i vogël. Çështja kryesore është tejkalimi i kostove dhe shpenzimeve, që çon në falimentim buxhetin e ministrisë. Referuar tabelës, shihet se në produktin “Rrjeti Nacional i rrugëve” kolona blu, që paraqet shpenzimet faktike është më e madhe se kolona vishnje, që tregon buxhetin për rrjetin nacional të rrugëve.

Rreth 92.2% të totalit të shpenzimeve faktike të kryera gjatë gjashtëmujorit të parë 2009, e zënë shpenzimet për programin “Rrjeti i rrugëve nacionale”, (Tabela 2) ndjekur nga shpenzimet për programin “ujësjellës-kanalizime”, me rreth 5.4%. Shpenzimet për programet e tjera variojnë nga 0.01% deri në 0.7% të totalit të shpenzimeve të kryera.

***

Problem mbetet tejkalimi i kostove për njësi në autostradën Rrëshen-Kalimash dhe në disa segmente të tjera rrugore. Tabela 3 paraqet tejkalimin e këtyre shpenzimeve në 8 tipet e rrugëve nacionale.

Pra rezulton se grupi i produkteve “Ndërtim rruge”, i shprehur në kilometra, gjatë gjashtëmujorit të parë 2009, është realizuar në rreth 62% të planit vjetor, që do të thotë 61 kilometra nga rreth 98 kilometra të planifikuara për deri në fund të vitit. Në këtë grup produktesh përfshihen:

- Ndërtim rruge me katër korsi. Shpenzimet për këtë grup produkti për gjashtëmujorin janë realizuar në masën 93% të planit vjetor, ndërsa nga ana sasiore janë realizuar 17 km nga 34 km të planifikuara si realizim vjetor. Në këtë grup përfshihen kryesisht rrugë me katër korsi si rruga Rrëshen-Kalimash, që zë pjesën më të madhe të realizimit të fondit, rruga Kukës-Morinë, Kalimash-Kukës, dhe bypass-i Plepa-Kavajë-Rrogozhinë.

Në relacionin e paraqitur nga ministria nuk janë dhënë shpjegime lidhur me arsyet e tejkalimit të kostos për kilometër/rrugë për këtë program, si dhe për tejkalimin e shpenzimeve.

Pra, e ritheksojmë, është realizuar vetëm 50% e planit, Ministria e Transporteve ka harxhuar 93% të lekëve, duke boshatisur praktikisht arkën e saj dhe duke lënë pa paguar gjithë kompanitë shqiptare.

Siç shihet nga Tabela 3, tejkalim të kostos për njësi ka edhe për tipin e rikonstruksionit të rrugëve.

Këtu përfshihen rrugë me kontrata të lidhura dhe ecuri të mirë punimesh si: sistemim/asfaltim rruga Gjiri i Lalzit, rruga Dardhë-Ura e Drinit, rruga Bajram Curri-Has, segmenti Rragam-Tropojë. Për rrjedhojë kostoja mesatare faktike përllogaritet në rreth 30 milionë lekë për km, nga rreth 22 milionë lekë për km e planifikuar, pra rreth 8 milionë lekë për km më e lartë.

***

Pas kolapsit që ka përfshirë ministrinë e Olldashit, shihet qartë se kryeministri Berisha e ka kthyer buxhetin e vitit 2009 në një piramidë, duke shpenzuar gjithçka para fushatës dhe duke lënë tashmë në mëshirë të fatit dhjetëra kompani shqiptare, me mijëra njerëz të punësuar në to.

Problemet e reja të hapura në Tunelin e Kalimashit dhe mungesa e rëndë e transparencës së qeverisë lidhur me fondet, që do të duhen akoma për të përfunduar kjo vepër e madhe inxhinierike, janë një ogur i keq për një menaxhim të sigurt të këtij buxheti dhe aftësitë tona reale për ta përballuar këtë krizë. Vetë ministri Olldashi në deklaratat e tij publike disa herë ka dhënë versione me diferencë të madhe për koston e së ashtuquajturës Rruga e Kombit…

Dhe në fund, nëse i hedh një sy këtyre statistikave dhe kilometrave të llogaritura për ndërtimin e rrugëve në vitin 2009, ato gjithsej shkojnë afërsisht në rreth 300 km.

Duke llogaritur që viti 2009 është viti më i suksesshëm dhe më i guximshëm në planifikimin e ndërtimit të rrugëve, del se që nga viti 2005 qeveria e zotit Berisha ka provuar të ndërtojë jo më shumë se 800 km rrugë, ndërkohë që ka mashtruar publikisht para fushatës elektorale, se ka ndërtuar 6 mijë kilometra rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›