Grisën posterin në makinën e PS-së, procedohen
TIRANË- Identifikohen dhe nis procedimi penal ndaj dy personave të dyshuar si autorë të incidentit të djeshëm me makinën me posterin e PS-së. Sipas policisë së Tiranës, pas një pune hetimore janë identifikuar si autorë dhe ka nisur proçedimi penal në ngarkim të dy shtetasve me iniciale D.M, 47 vjeç dhe B.M, 42 vjeç.
Këto persona, dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin, dje rreth orës 18.00, në sheshin “Garibaldi” në Kombinat Tiranë, duke qarkulluar me automjetin tip “Ford Galax 2″, me targa BJ065 MC, dyshohet se kanë grisur një pjesë të reklamës së posterit të kandidatit të subjektit politik Partia Socialiste, reklamë e vendosur në automjetin furgon tip “Benz”, me targa TR 4413 U- thonë burimet të policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Ford Galax 2″, me targa BJ065 MC, me të cilën qarkullonin autorët për të realizuar këtë incident.
Pas ngjarjes mbrëmë reagoi deputeti socialist, Saimir Tahiri, duke fajësuar për këtë rivalët politikë. Kjo tregon mentalitetin e dhunshëm të kësaj qeverie ndaj qytetarëve dhe mungesën e vizionit për të trajtuar siç duhet një fushatë elektorale që duhet të ishte për qytetarët, tha ai.