“Gruaja Horizont”, ekspozitë në Galerinë e Artit Tiranë

Me rastin e tetorit si “muaji i gruas”, në Galerinë e Artit Tiranë, u hap të enjten në mbrëmje ekspozita “Gruaja Horizont”.
Në të paraqiten gratë e sotme përballë tablove ikonike.
“Pozicionimi i gruas sipas periudhave historike, do të na bëjë të reflektojmë rreth zhvillimit të saj, së bashku me dritë hijet dhe reflektimit se ç’mund të bëhet më mirë në të ardhmen” tha kuratorja Jetona Koçibelli.
Ekspozita, e cila është mbështetur nga Bashkia e Tiranës, ka si protagoniste Zhaklin Lekatari, Valentina Leskaj, Rita Petro, Mimoza Ahmeti, Anila Hoxha,Arlinda Dudaj, Luiza Gega, Irma Libohova, Nevila Nika e shumë gra të tjera.
Në 40 fotografi shpaloset transformimi, por edhe rëndësia e grave dhe kontributi i tyre në shoqërinë tonë. Ajo që e bën të veçantë ekspozitën “Gruaja Horizont” , në GAT, është dualiteti i dy epokave që shkrihen plotësisht në njëra-tjetrën. Gra të sotme duke mbajtur në dorë fotot me të spikatura të pikturave të kushtuara figurës së gruas, në artin e realizmit socialist.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 21 tetor për publikun.
/ rtsh.al /