E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e Grossman-it

Lexuesit shqiptarë mund ta pasurojnë bibliotekën e tyre edhe me një libër të vlefshëm të botuar para pak ditësh në shqip. Është ky romani ‘Gruaja që i arratisej lajmit të keq’ i shkrimtarit izraelit David Grossman.

Nga autori i librit fitues të disa çmimeve, ‘Në një jetë tjetër’, vjen një roman me forcë të jashtëzakonshme për jetën familjare dhe kostot e luftës, i botuar kohët e fundit në Izrael.

Është ky romani i shkrimtarit të njohur David Grossman ‘Gruaja që i arratisej lajmit të keq’, i përkthyer në shqip nga Taqo Trajçe dhe i botuar së fundmi nga shtëpia botuese ‘Dudaj’.

Ora po bëhet gati të festojë lirimin nga shërbimi ushtarak të birit të saj, Oferit, kur ai kthehet sërish në front për një operacion të madh. Në një çast hidhërimi e krize mendore të pashpjegueshme, ajo niset për në Galile, pa u lënë asnjë njoftim paraprak

‘lajmëtarëve’, të cilët mund të sjellin lajmin më të keq që mund të dëgjojë një nënë. E ndarë kohët e fundit nga i shoqi, Ilani, ajo e bind ish-mikun e tyre më të mirë dhe të dashurin e saj të dikurshëm, Avramin, që ta shoqërojë. Dikur me një shpirt artisti të shkëlqyer, tani i tërhequr nga bota dhe i mbyllur në vetvete, Avrami kishte shërbyer bashkë me Ilanin në ushtri, deri sa fati i ndau dhe Avrami përfundoi në Egjipt gjatë Luftës së Kipurit, ku u torturua brutalisht si rob lufte.

Ndërsa Ora dhe Avrami udhëtojnë përmes bukurisë së zymtë të Galilesë, ajo i jep atij dhuratën e Oferit, një djalë që ai nuk e ka parë kurrë. Historia që ajo tregon e mban Oferin të gjallë për Oran, edhe për lexuesin, dhe e hap Avramin ndaj lidhjeve njerëzore të papritura në botën e tij të shkatërruar.

Kurrë nuk e kemi parë kaq qartë ose në mënyrë kaq therëse realitetin dhe surealitetin e jetës së përditshme në Izrael, rrymat e ambivalencës për luftën brenda një familjeje, barrën që bie vazhdimisht mbi secilin brez.

Imagjinata e pasur e Grossman-it për një familje në dashuri e krizë e bën këtë libër një nga romanet më të mëdha të kohës sonë kundër luftës.

Libri ka marrë lëvdata të shumta nga shkrimtarë dhe kritikë të njohur.

“Janë disa shkrimtarë në fjalët e të cilëve njeriu dallon ndërtimin e jetës. David Grossman është një shkrimtar i tillë. Ai është mjeshtër i të shkruarit emocionalisht, të saktë e domethënës. Personazhet e tij nuk gjenden aq shumë në faqet e librit se sa ngrihen para syve të lexuesit në tri përmasa, lëkura e tyre e mbuluar me prozë, që njëherësh sëmbon me depërtim dhe shkëlqen me dhembshuri.” Kështu shkruan Yann Martel, autor i ‘Jeta e Pi-së’ dhe ‘Beatriçja & Virgjili’.

Ndërkaq, shkrimtari i njohur Paul Auster ka shkruar se ky është një libër me fuqi e intensitet tronditës, duke e konsideruar këtë si kryeveprën e Grossman-it.

“Një libër me pasuri të pafund, plot ankth dhe parandjenja të zymta, por gjithashtu plot forcë vitale stërgjyshore, ajo forcë që gjendet në sendet dhe në tokë. Grossman di si të hyjë në shpirtin e thellë të personazheve të tij dhe t’i bëjë ata të gjallë”, shkruan gazeta italiane ‘La Repubblica’.

David Grossman lindi në Jerusalem. Është autor i shumë veprave të letërsisë artistike, publicistike dhe për fëmijë. Konsiderohet si një prej shkrimtarëve më të mirë të Izraelit. Vepra e tij është botuar në “The New Yorker” dhe është përkthyer në tridhjetë gjuhë të botës. Është fitues i çmimeve të shumta, ku përfshihen çmimi francez ‘Chevalier de l’Orde des Artes et des Lettres’, ‘Buxtehuder Bulle’ në Gjermani, ‘Premio per la Pace e l’Azione Umitaria’ i Romës, ‘Premio Ischia – International Award for Journalism’, çmimi i Izraelit ‘Emet’ dhe çmimi ‘Albatross’, i dhënë nga Fondacioni Gunther Grass.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›