E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e ambasadorit britanik: Aksidenti që na bashkoi

TIRANE- Kjo është koha e duhur për të vizituar kopshtin e Alice Cannon, sepse ai është pika perfekte e fillimit të zbulimit të botës dhe ndjesive të kësaj zonje. Ky kopsht, që i përket ambasadës angleze në Tiranë, mund të quhet me të drejtë kopshti i Alice, në sajë të kujdesit të madh që ajo tregon vazhdimisht ndaj tij. Nuk është i sofistikuar, por i thjeshtë; jo i ngarkuar, por aq sa duhet; jo i drejtpërdrejtë, por intrigues dhe kaq shumë i rehatshëm dhe mikpritës sa dëshiron të qëndrosh aty edhe pak, edhe pak…

Derisa zonja e shtëpisë të kujton takimin tjetër që ajo ka dhe aty e kupton se është koha të ngrihesh. Ky kopsht nuk ishte kaq i mirë kur Alice erdhi në Shqipëri në mars të 2012-ës, përkundrazi ishte “i ftohtë”. Por përderisa ajo i dashuron lulet, bimët dhe pemët, ajo arriti të dizenjojë një kopsht të thjeshtë, shumë mikpritës dhe plot ngjyra, që i fton të gjithë vizitorët. Ndërsa gjendem në këtë kopsht plot ngjyra të mrekullueshme dhe jeshillëk, duke bërë një bisedë të këndshme me Alice, kuptoj se ky kopsht të rrëmben, por akoma më shumë moto e jetës së saj: “Bëj çdo gjë me dashuri dhe lumturia do të ndjekë nga pas”. 

Alice Cannon, 54 vjeç, e lindur dhe e rritur në Hong Kong, në Veri të Kinës është bashkëshortja e ambasadorit britanik në Tiranë, Z. Nicholas Cannon, që është në këtë post që nga marsi i 2012. Në një mënyrë të këndshme, ajo duket e imët, e sjellshme dhe shumë elegante si shumë vite më parë kur takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm, Z. Cannon. Por mbi të gjitha, ajo duket lumturia vetë. 

Si në filmat tipikë romantikë, ishte viti 1980 kur Alice, një trajnuese e zonja e infermiereve, u takua rastësisht me Z. Nicholas Cannon, i cili në atë kohë po shërbente në ambasadën e Britanisë së Bashkuar në Hong Kong. Ai duhej të shkonte në spital për shkak të një gjuri të përdredhur aksidentalisht gjatë një vrapimi. Po, e vërtetë, “çdo e keqe e ka një të mirë”. Aty takohet me Alice dhe nga ai moment nuk ndahen më nga njëri-tjetri. Krah bashkëshortit të saj diplomat, çifti do të jetonte në vende të ndryshme si Hong Kong, Qipro, Paris, Pakistan, Ruanda dhe aktualisht në Shqipëri. 

Alice e dashuron dhe e motivon vazhdueshëm me të. Jeta e saj duket një trekëndësh i mahnitshëm: Ajo trajnon infermierë që kujdesen për fëmijët e sëmurë dhe të lindur para kohe; ajo mbron natyrën ose “atë çfarë Perëndia na ka dhuruar për t’ia lënë brezit tjetër” dhe mbjell lule, pemë e perime. Pra, ajo është aty ku jeta ngjizet. Dhe Alice beson fort se jeta e shqiptarëve është e bekuar në disa mënyra. “Është fantastike. Ne kemi jetuar në 6 vende të tjera më parë dhe ndoshta Shqipëria është vendi më i mirë. Këtu njerëzit janë miqësorë, shumë mikpritës ndaj të huajve. Peizazhet janë të bukura. Ju keni të gjithë përbërësit që duhen për një gatim të mirë, perime e fruta shumë të freskëta, mundësi të shumta gatimesh dhe shumë fruta deti. Unë jam nga Hong Kongu. Pra, siç e dini, ne konsumojmë shumë frutat e detit dhe peshkun. Të vish në një vend ku mund t’i gjesh këto të dyja me bollëk është diçka shumë e mirë për mua”, - thotë Znj.Cannon.
(Shkrimi i plote sot ne GazetaShqiptare) 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›