E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Procesi i privatizimit të PTK, sipas strategjisë dhe planit'

Nga Express më 20 qershor 2011 në ora 19:12

Ministria e Zhvillimit Ekonomik nëpërmjet një kumtese për media ka njoftuar se procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) është duke u zhvilluar sipas strategjisë dhe planit të paraparë, bazuar në dispozitat ligjore dhe me transparencë të plotë.

Komisioni Qeveritar për Privatizimin (KQP) e PTK-së, thuhet se në përputhje me vendimet e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka kryer procesin e para-kualifikimit të ndërmarrjeve të interesuara për privatizimin e PTK-së.

“Për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK Sh.A, janë kualifikuar Hrvatski Telekom d.d., Kroaci, kompania amë Deutche Telecom, Gjermani dhe Telekom Austria AG, Austri”.

Më tutje, sqarohet se procesi i vlerësimit të aplikacioneve është kryer nga një panel profesional i përbërë nga përfaqësuesit e pesë ministrive pjesëmarrëse në KQP.

Sipas MZHE, këshilltarët e transaksionit duke realizuar detyrat dhe obligimet e veta në këtë proces janë në kontakt të përhershëm me përfaqësuesit e autorizuar të kompanive të kualifikuara dhe ato janë të interesuara për të marrë pjesë në privatizimin e PTK-së.

“Komisionit Qeveritar i Privatizimit, përmes Njësisë për Implementimin e projektit të privatizimit të PTK-së dhe këshilltarit të transaksionit është duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të shpallur thirrjen për tenderim”, njofton ministria.

Bëhet e ditur se hapi tjetër në këtë proces është thirrja për propozime, gjegjësisht oferta teknike, ku investitorëve të kualifikuar u ofrohet qasje në tërë dokumentacionin relevant dhe u prezantohet draft marrëveshja për shitblerjen e aksioneve me kufizimet potenciale.

Pas kësaj faze, kur të pranohen ofertat e tyre finale, kompanitë ftohen të japin ofertën e tyre financiare, i cili është kriteri i fundit për përcaktimin e tenderuesit fitues.

Sipas MZHE, procesi i privatizimit të PTK-së do të përmbyllet deri në fund të këtij viti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›